Policia jep detaje se si ndodhi incidenti i mbrëmshëm në veri

Kronika April 22, 2018 - 08:55
Policia jep detaje të hollësishme

Mbrëmë është raportuar për një shpërthim në restorantin “Simonida”, i cili gjendet në veri të Mitrovicës, përkatësisht në mes Zveçanit dhe Leposaviqit në Rrugën Mitrovicë-Jarinje, ose Magjistralen e Ibrit, raporton “Zeri.info”.

Ky lokal gjendet në afërsi të një pompe të derivateve.

Policia e Kosovës ka treguar për “Zërin”, se dyshohet se bëhet fjalë për shpërthimin e një granate dore.

LEXO EDHE: Shpërthim në një restorant në veri

Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, ka dhënë detaje për “Zërin”.

Hoti ka thënë se ky incident ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, mirëpo është raportuar në mbrëmje.

Sipas tij, përpos dëmeve materiale në kuzhinën e këtij lokali nuk ka pasur të lënduar.

“ Incidenti është raportuar diku rreth orës 20:45, mirëpo incidenti ka ndodhur në mesditën e djeshme pas orës 11:00. Me të marrë informacionin Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Besohet se ka pasur një shpërthim dhe dyshohet se ka qenë granatë dorë. Është dëmtuar kuzhina e lokalit në fjalë”, ka deklaruar Hoti për “Zërin”.

Ai ka thënë se Policia edhe gjatë ditës së sotme është duke i vazhduar hetimet se si ka ndodhur ky incident dhe se do të merren hapa të mëtutjeshëm për të kuptuar arsyen përse nuk është raportuar me kohë incidenti në fjalë.

“Përveç që është dëmtuar kuzhina, asnjë rrethanë tjetër nuk është sqaruar gjatë natës. Kemi pritur edhe sot në mëngjes që të shkojmë në vendin e ngjarjes për shkak të ndriçimit dhe kohës dhe të marrim edhe prova të tjera. Arsyen si ka ndodhur ky incident, arsyen pse nuk është raportuar me kohë, por me aq vonesë dhe këto sigurisht se duhet të sqarohen në vazhdim të procesit të mëtutjeshëm”, ka treguar Hoti për “Zeri.info”.