Afera e drogës së djalit të prokurorit, Berisha: Prokurorja e rastit është e pavarur

Kronika April 21, 2018 - 22:45
Lexo detajet

Ibrahim Berisha, zëvendës-kryeprokuror i Prishtinës, siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë, ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni se në rastin e drogës të cilin e kishte mbyllur prokurorja Arbëresha Shala – Raqa kishte qenë i përfshirë djali i prokurorit special Haki Gecaj.

Berisha, në intervistën dhënë për Emisionin “Drejtësia në Kosovë”, e ka arsyetuar veprimin e prokurores duke thënë se rasti ka qenë i rëndësisë së vogël.

“Prokurorja e rastit i ka analizuar të gjitha rrethanat, Arbëresha Shala është në këtë rast dhe duke pasur parasysh personalitetin e të pandehurit ku për herë të parë është ndesh me ligjin, është thirrur në disa rrethana dhe mbi këtë bazë edhe e ka hedhur  kallëzimin penal duke e llogaritur se kjo ka qenë e një rëndësie të vogël”, ka deklaruar zëvendës-kryeprokurori Ibrahim Berisha.

Sipas tij, të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe se ata nuk thirren në emra. Mirëpo përkundër kërkesës së “Drejtësia në Kosovë” që a kanë raste kur kanë vepruar njëjtë sikurse në rastin e djalit të kolegut të tyre, nuk ka qenë gjendje të ofrojë të dhëna që tregojnë se ata kanë vepruar njëjtë.

“Sasia ka qenë shumë e vogël, paragrafi 2 I këtij neni ( neni 275 I KPK-së) e parasheh se dënimet mund të jenë më gjobë, ose me burgim deri në një vit. Kështu që në këto raste ka mundur të përdoren edhe procedurat alternative. Personat janë zënë me  drogë, është e vërtet, por edhe më herët e thash se është e një rëndësie të vogël dhe janë përdorues, nuk janë shitës dhe shpërndarës dhe mbi këtë bazë prokurorja është autonome në këtë rast, është e pavarur dhe e ka vendosur ashtu ia ka marrë mendja”, ka deklaruar Berisha.

Berisha tregoi edhe kur hedhet poshtë kallëzimi penal.

“Përveç në rastet kur ka arritur parashkrimi, parashkrimi relativ edhe nuk mund të merren veprime më tutje, sepse ligji decidivisht e përcakton, kur vepra parashkruhet, atëherë mund të pushohen hetimet nëse kanë filluar, ose mund të hedhet kallëzimi penal”, ka thënë zëvendës-kryeprokurori Ibrahim Berisha.

Siç dëshmoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, Valdrin Gecaj, djali i prokurorit special, Haki Gecaj ishte zënë me drogë nga Policia e Kosovës dhe i njëjti e kishte pranuar edhe para policisë dhe prokurores Arbëresha Shala- Raqa.

Përkundër faktit se i njëjti bashkë me shokun e tij e kishin pranuar se janë zënë me drogë, prokurorja kishte vlerësuar se rasti është i rëndësisë së vogël dhe e kishte mbyllur rastin duke e hedhur poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga Policia e Kosovës.