Vrasja e Ivanoviqit, ende ka edhe shumë materiale për t’u ekzaminuar

Kronika January 23, 2018 - 15:41

Ndonëse deri më tani të gjitha materialet e grumbulluara për vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, janë dërguar për ekzaminime, ende nuk ka ndonjë rezultat. Sipas zyrtarëve policorë, ka shumë materiale dhe për këtë edhe merr më shumë kohë

Të gjitha provat, kamerat e sigurisë, detajet e automjetit e gjithçka tjetër, rreth rastit të vrasjes së kryetarit të SDP-së, Oliver Ivanoviqit, janë ende duke u ekzaminuar.

Forenzika nuk ka dhënë ende rezultatet e ekzaminimeve.

Vonesën e publikimit nga ekzaminimi i këtyre provave, Policia e Kosovës e arsyeton me faktin që ka shumë materiale dhe merr kohë derisa ato të analizohen.

Këtë e ka konfirmuar për Express zëvendëskomandanti i stacionit Policor të Mitrovicës veriore, Besim Hoti.

“Grupi punues është duke punuar në atë drejtim. Ata kanë diskrecionin e tyre, është çështje intimiteti e hetuesve policorë. Ende nuk bëhen publike pa ndonjë rezultat të qartë. Momentin që prokurori e konsideron që është informacion që duhet ta ketë publiku, atëherë ne do ta bëjmë publike pa problem. Ka shumë materiale që duhet të analizohen prandaj edhe merr më shumë kohë”, tha Hoti.

Ndërkohë, që një ditë më parë kryeprokurori Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla kishte konfirmuar për Express se janë në pritje të këtyre rezultateve nga ekzaminimi i kamerave të sigurisë.

Për mediat serbe, autoritetet kosovare po heshtin për rrjedhën aktuale të hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviq. Sipas tyre, kjo po nxit edhe më tej dyshimet se po fshihet diçka.

“Heshtja e vazhdueshme e autoriteteve kosovare për rrjedhën aktuale të hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviq ka nxitur më tej dyshimet se Prishtina po fsheh diçka. Pavarësisht nga njoftimi, rezultatet e analizës së kamerave të sigurisë nga vendi i vrasjes të kryetarit të Iniciativës Qytetare "Liria, Demokracia dhe Drejtësia" dje nuk u shpallën”, shkruajnë mediet serbe.

Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë me Zyrën e Prokurorit të Beogradit në mënyrë që të ofrojnë të gjitha informacionet përmes të cilave do të mundë të kryhej një hetim i koordinuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe të zbulohen autorët e krimit.

Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje më 16 janar rreth orës 8:10 minuta para selisë së partisë së tij.