Sherifi: Simmons nxjerri të vërtetën në shesh

Kronika November 16, 2017 - 20:00

Deputeti nga radhët e Nismës, Bilall Sherifi ka komentuar në lidhje me johnen që ka bërë dorëheqja e kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons në qarqet politike dhe mediale të BE-së.

Sherifi në emër të qytetarëve të Kosovës dhe simpatizantëve të Nismës që gjithmonë besuan në pafajësinë e Fatmir Limajt falënderon Malcolm Simmons për nxjerrjen e të vërtetës në shesh, shkruan Zeri.Info.

Më poshtë lexojeni statusin e tij të plotë:

Kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons në një intervistë për të përditshmen franceze “Le Monde”, pos tjerave, ka deklaruar se EULEX-i për motive politike kishte për qëllim eliminimin nga skena politike të Fatmir Limajt!

Dorëheqja e zotit Malcolm Simmons dhe denoncimi i tij për korrupsion brenda EULEX-it, ka bërë një jehonë të madhe në qarqet politike dhe mediale të BE-së. Sidomos deklarata e tij se “EULEX-i nuk është një mision që ka për qëllim të promovojë një shtet të së drejtës por është mision politik. Kush mendon ndryshe ai është ose naiv ose i marrë” tronditi themelet e një misioni aq të ndjeshëm në këtë pjesë të Ballkanit.

Për ta ilustruar pohimin e tij se ky mision vepron në bazë të vendimeve politike e jo parimeve të së drejtës, si do të duhej të ishte, ish Kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons sjell shembullin e Fatmir Limajt. Zoti Malcolm Simmons deklaron se “EULEX-i dëshironte ta eliminonte një pjesë të klasës politike, siç është rasti i Fatmir Limajt (Ish-Komandant i gueriles shqiptare të UÇK-së dhe Kryetar i NISMA për Kosovën, parti opozitare e Presidentit Hashim Thaçi) i akuzuar për krime lufte.

Kam qenë kryetar i gjyqit në këtë proces në vitin 2013 dhe shumë shpejtë e kuptova se misioni i Eulex-it dëshironte t’i nxjerrë pengesa atij në rrugë kur afroheshin zgjedhjet. Kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it të asaj kohe, Charles Smith, më tha që misioni dëshironte që z.Limaj të dënohet. Ai bëri presion ndaj meje, presion që e mora si kërcënim personal. Këtë çështje ia përcolla ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, por mendoj se qeveria britanike nuk dëshironte ta njolloste imazhin e misionit. Kjo mënyrë veprimi u përdor edhe në dosjet tjera. Në vazhdimësi ka persona që qëndrojnë mbi gjyqtarët.

Krahas kësaj britaniku Malcolm Simmons denoncon këtë institucion se është i korruptuar dhe në kundërshtim me parimet e së drejtës. Ai dorëheqjen e vet e arsyeton se nuk ka gjetur mbështetjen e duhur në Bruksel për t’i luftuar dukuritë negative që karakterizojnë EULEX-in.

Qytetarët e Kosovës dhe sidomos anëtarët dhe simpatizantët e NISMA për Kosovën që gjithmonë besuan në pafajësinë e Fatmir Limajt falënderojnë zotin Malcolm Simmons për nxjerrjen e të vërtetës në shesh.

Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për mbështetje të mirëfilltë që të funksionojë shteti i së drejtës e jo për misione politike që veprojnë nën petkun e institucioneve të drejtësisë!

P.S: 
Të gjithë të interesuarit për të lexuar të plotë intervistën e zotit Malcolm Simmons mund ta gjejnë në linkun e mëposhtëm. Teksti i plotë është vetëm me pagesë (2 euro).