Të akuzuarit për sulmin në Kuvend mbrohen në heshtje

Kronika October 26, 2017 - 18:17

Të akuzuarit për sulmin kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha u deklaruan se do të mbrohen në heshtje.

Ata nuk pranuan të deklarohen para trupit gjykues duke e cilësuar procesin politik.

Me këtë deklarim seanca e sotme përfundoi.

Ndërkohë, sot, gjatë procedurës së administrimit të provave, prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, tha se nga ekspertiza e ADN-së, ekspertiza daktiloskopike dhe provat e tjera, nuk ka ndonjë provë që i lidhë direkt të akuzuarit me kryerjen e veprës.

Pas deklaratës së prokurorit, avokati i të akuzuarit Atdhe Arifi, Ramiz Krasniqi, tha se nuk di se çfarë i mbetet mbrojtjes të deklarojë kur prokurori të gjitha provat që i prezantoi janë prova shfajësuese.

“Dhe kjo është sjellje profesionale e prokurorit që zbatoi dispozitat e kodit të procedurës që t’i propozojë edhe provat shfajësuese”, tha avokati Krasniqi.

Ndërsa, Tomë Gashi, avokati i të akuzuarit Frashër Krasniqi, tha se krejt çka është vërtetuar deri më tani është se sulmi në ndërtesën më të rëndësishme të Kosovës ka ndodhur në vendin dhe kohën e caktuar dhe atë nuk e konteston askush.

LEXO EDHE: Ish-infermieri i 'Medicus' tregon për operacionet që 'Dr. Vampiri' i bëri në Kosovë

“Por, prokurori ka dështuar me prova materiale të vërtetojë se të akuzuarit e këtij rasti janë autorët e sulmit”, tha avokati Gashi.

Në këtë rast, të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi, raporton Kallxo.com.

Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore.

Seanca e radhës, ku do të jepet fjala përfundimtare, u caktua për datën 13 nëntor.