Policia arreston 5 persona për vrasjen në Sharban të Prishtinës

Kronika October 26, 2017 - 16:40

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se ka arrestuar 5 persona të dyshuar për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve sot në fshatin Sharban të Prishtinës.

Në komunikatë nuk jepen arsyet e këtij incidenti, ndërsa sqarohet se edhe një person tjetër është në kërkim.

LEXO EDHE: Një i vrarë dhe dy të plagosur në Prishtinë

Kjo është komunikata e plotë:

Sot rreth  orës 14:00, policia  ka marrë informacionin se në fshatin Sharban të Prishtinës ,  ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje dhe plagosje, ku nga arma e zjarrit janë plagosur viktimat:

Sh. R, rreth 60 vjeç, mashkull , shtetas Kosovar,  i cili duke mos mundur tu përballoj plagëve të mara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë.  Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion,  ndërsa personat e plagosur :
F. R , 33 vjeç mashkull, shtetas Kosovar dhe
Xh. R, 30 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar , të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor,

Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar, ndërkohë që bazuar në hetimin fillestar dyshohet se ne këtë rast është i përfshirë edhe një person tjetër si të dyshuar të mundshëm, i njëjti është identifikuar dhe po kërkohet nga ana e policisë.

Aktualisht hetuesit policor, janë duke punuar për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili nga ana e Prokurorit të shtetit  është cilësuar si Vrasje e rëndë.