Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri

Kronika September 26, 2017 - 08:32

Vetëm një javë pasi një grup i serbëve kishin sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, një sulm tjetër me armë zjarri mbi Policinë ka ndodhur të dielën, rreth orës 22:00, në afërsi të Zubin Potokut. Në jug, të dielën, tre persona kanë tentuar ta vrasin një 27-vjeçar, transmeton zeri.info.

Janë shpeshtuar sulmet me armë mbi Policinë e Kosovës në veri të vendit. Vetëm një javë pasi një grup i serbëve kishin sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës derisa ata po kryenin një kontroll në objektin e “Kryqit të Kuq” paralel, një sulm tjetër me armë zjarri mbi Policinë ka ndodhur të dielën rreth orës 22:00, në afërsi të Zubin Potokut. Në afërsi të fshatit Bajë, në rajonin e komunës së Zubin Potokut, në patrullën e Policisë së Kosovës, përkatësisht në policët kufitarë, përgjatë të ashtuquajturës “vija e gjelbër” është shtënë me armë zjarri. Të lënduar nuk ka pasur, por dëmet materiale në veturën e Policisë së Kosovës janë të mëdha.

Mësohet se patrulla policore ishte duke kontrolluar të ashtuquajturën “vijë e gjelbër”, e cila përkufizon malet e Zubin Potokut me ato të fshatrave të komunës së Skenderajt, pasi që territorialisht Baja është fshat që i takon komunës së Skenderajt dhe deri në afërsi të asaj vije, e ashtuquajtur “vijë e gjelbër”. Policia nuk ka mundur ta identifikojë llojin e armëve me të cilën është sulmuar vetura e Policisë së Kosovës, por besohet se Policia është sulmuar me armë automatike.

Edhe në vitin 2014, në të njëjtin vend dhe po në të njëjtën orë, kishte ndodhur një sulm i ngjashëm mbi veturën e Policisë së Kosovës, në të cilin 3 policë kishin marrë lëndime trupore, nga të cilët dy kishin pësuar plagë të rënda. Autorët e këtij sulmi nuk janë zbuluar kurrë.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ka konfirmuar rastin, duke shtuar se aktualisht nuk ka asnjë të dyshuar për këtë rast.

“Ekipet për ekzaminim e ngjarjes dhe ato hetimore kanë dalë në terren menjëherë pasi që është raportuar rasti. Ata kanë bërë shikimin e rastit që nga mbrëmë dhe kanë vazhduar edhe të hënën, pasi që ekspertiza nuk ka mundur të kryhet të dielën gjatë natës për shkak të kushteve atmosferike. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin dhe gjithçka do të bëhet në koordinim me të”, ka thënë kapiten Hoti.

Ndryshe, sulmet mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë shpeshtuar në muajt e fundit në veri të Mitrovicës, respektivisht në veri të vendit. Gjatë periudhës prej prillit të këtij viti ka pasur edhe tri raste të tjera kur janë sulmuar policët e Kosovës dhe shtëpitë e tyre, ndërsa në gjashtë raste të tjera janë djegur vetura të pjesëtarëve të Policisë.

Të dielën, ndërkaq, edhe në jug të Mitrovicës ka ndodhur një tentimvrasje, me çrast një 27-vjeçar ka marrë plagë trupore. Rasti ka ndodhur pas një zënke në mes të disa personave, me çrast 27-vjeçari R. XH. është plagosur rëndë. Policia e Kosovës ka njoftuar se për këtë rast janë arrestuar tre persona të përfshirë, S. D., 26 vjeç, A. D., 30 vjeç dhe A. D., 25 vjeç. Ata janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u hetuar nga hetuesit policorë dhe nga prokurori i rastit.

“Më 24 shtator në orët e pasdites ka ndodhur një zënkë, me çrast ka mbetur i plagosur viktima mashkull shqiptar, 27-vjeçar nga Mitrovica. Njësitë relevante policore me të arritur në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se i plagosuri kishte mbetur viktima R. Xh., plagosja e të cilit dyshohet se është kryer nga arma e zjarrit. Viktima është trajtuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë e më pas është dërguar në QKUK. Në vendin e ngjarjes janë arrestuar tre persona të dyshuar, S. D., 26-vjeçar, A. D., 30-vjeçar dhe A. D., 25-vjeçar, ndërsa në cilësi të provave materiale është konfiskuar një pushkë automatike si dhe 32 gëzhoja. Pas procedurave intervistuese tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve. Hetuesit policorë, nën udhëheqjen e prokurorit të rastit, janë duke zhvilluar hetime për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka sqaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti./zERI/