​Ekspertët e UBT-së: Ja si të parandalohet përhapja e lojës 'Balena e Kaltër'

Kronika June 19, 2017 - 11:28
Loja e fundit vetëvrasëse në internet, “Balena e Kaltër” e cila është shkaktare e vdekjes së qindra të rinjve nëpër botë, ditëve të fundit ka mbërritur edhe në Kosovë e Shqipëri, me ç’rast pre e saj kanë rënë disa adoleshentë.

Një kërcënim i tillë, ka ngjallur shqetësim edhe tek ekspertët e çështjes së sigurisë dhe privatësisë në UBT, përkatësisht tek Qendra për Siguri kibernetike dhe Privatësi (SKP) dhe tek divizioni për siguri i UBT-së, UBT-CERT.

Duke qenë kështu, ekspertët e këtyre çështjeve vlerësojnë se kjo dukuri negative, e maskuar si një lojë, është rrezik i mundshëm për fëmijët dhe
adoleshentët e vendit tonë, andaj edhe ofrojnë bashkëpunim dhe mbështetje të plotë për institucionet relevante, me qëllim të parandalimit të
përhapjes masive të kësaj loje.

Tutje, ekspertët vlerësojnë se krijimi i një grupi teknik të përbashkët, ku do të përfshiheshin të gjitha palët, do të ishte një ide e qëlluar, që do të kishte rezultate të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të kësaj loje vetëvrasëse, transmeton Klan Kosova.