'Ushtarët' e Muhaxherit planifikuan të kryejnë sulme terroriste në Ballkan

Kronika November 18, 2016 - 08:23

Ndonëse ishte vizita e parë e tyre në tokën shqiptare për të zhvilluar një ndeshje futbolli, ekipi i përfaqësueses së Izraelit dhe tifozët e tyre ishin në shënjestër të një sulmi terrorist. Ndeshja Shqipëri-Izrael e zhvilluar në një kompeticion ndërkombëtar, shumë lehtë ka mundur të shndërrohet në një tragjedi. Kjo për arsye se një grup prej 18 kosovarëve, bashkë me një shqiptar nga Maqedonia, sipas Policisë së Kosovës, planifikonin të shpërthenin lëndë eksplozive në stadiumin e Shkodrës, në të cilin ishte paraparë që të zhvillohej ndeshja e vlefshme për eliminatorët “Botërori 2018”. Mirëpo, jo vetëm Shkodra ishte cak i sulmeve terroriste të këtyre personave. Të 19 personat që u arrestuan derisa po organizonin sulmin, të ndarë të dy grupe të ndryshme, kishin marrë udhëzimet nga krye-terroristi shqiptar i ISIS-it, Lavdrim Muhaxheri të kryenin shpërthime tjera terroriste edhe në Kosovë dhe vende tjera të Ballkanit.

Në mbështetje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Prokurorisë Speciale të Kosovës, dhe Shërbimeve të Inteligjencës ndërkombëtare, Policia e Kosovës, i ka arrestuar 19 “ushtarët” e Lavdrim Muhaxhirit, të cilët, dirigjoheshin nga ai për të kryer akte terroriste në vendet e Ballkanit, në rend të parë në Kosovë dhe pastaj në Shqipëri, aty ku ishte planifikuar të zhvillohej ndeshja e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit për eliminatorët e botërorit 2018.

Grupi i parë i arrestuar nga Policia e Kosovës, i përbërë prej Bujar Brahimit, Visar Ibishit, Liridon Morinës, Burim Istrefit, Leutrim Musliut, Kenan Plakaj dhe Leotrim Vojvodës, të gjithë këta të dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për përgatitjen e sulmeve terroriste, në bazë të vendimit të cilin e posedon gazeta, bëhet e ditur se ekziston dyshim i bazuar se të gjithë këta të pandehur, të cilët i takojnë organizatës terroriste “ISIS”, kanë përgatitur sulm terrorist së pari në Kosovë për të vazhduar në vendet e tjera të Ballkanit.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Bujar Brahimi, Visar Ibishi, Liridon Morina, Burim Istrefi, Leotrim Musliu, Kenan Plakaj dhe Leotrim Vojvoda, i takojnë organizatës terroriste ISIS, në atë mënyrë që i pandehuri Bujar Brahimi një kohë me dashje ka marrë pjesë edhe në veprimtarinë terroriste në radhët e kësaj organizate në Siri, ashtu që gjatë muajve shtator –tetor 2016, sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri – Lavdrim Muhaxheri, të pandehurit e lartcekur dyshohet se kanë përgatitur sulm terrorist së pari në Kosovë si dhe në vende tjera të Ballkanit, ashtu që të njëjtit kanë planifikuar të sulmojnë objekte të ndryshme, mes tyre edhe institucionet e sigurisë, me qëllim që seriozisht ta frikësojnë popullsinë, destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme e pastaj në territorin e tyre ta krijojnë të ashtuquajturin Shtet Islamik të Irakut dhe Levantit”, bëhet e ditur në kërkesën e Prokurorisë.

Së bashku me shtatë të arrestuarit e këtij grupi, policia i ka arrestuar edhe dymbëdhjetë persona të tjerë, duke e çuar në gjithsej 19 numrin total të të arrestuarave në lidhje me dyshimet për këto vepra penale. Ndërsa, në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në lidhje me masën e caktimit të paraburgimit prej një muaji për shtatë të arrestuarit e parë, bëhet e ditur se ekziston rreziku se të njëjtit po të gjenden në liri e mund të ndikojnë të dëshmitarët dhe mund ta pengojnë zhvillimin normal të kësaj procedure penale, pasi që ata nuk janë marrë akoma ne pyetje nga prokuroria.

Po ashtu, gjithnjë sipas këtij vendimi, në bazë të rrethanave me të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, nga gjithë këta të pandehur tregohet rreziku se nëse këta gjenden në liri, mund të përsërisin veprën penale, duke marrë parasysh se të njëjtit kanë vepruar në bashkëkryerje duke planifikuar të sulmojnë objekte të ndryshme dhe ne këto rrethana tregojnë rrezikun se po të jenë në liri të gjithë këta kanë mundësi që t’i përfundojnë sulmet e planifikuara. Grupit të parë të të arrestuarave i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Përveç këtij grupi, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që edhe 11 të arrestuarve të tjerë t’ju caktojnë masën ligjore të paraburgimit. Ndërsa, njeri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt pas ndalimit prej 48 orëve.

Gazeta ka provuar që të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës në lidhje me atë se a pritet të ketë arrestime të reja në lidhje me këtë rast dhe se a përbën rrezik për sigurinë e vendit numri kaq i madh i personave, të cilët kishin cak të kryenin sulme terroriste në Kosovë dhe vende të tjera të Bllkanit, ndërsa policia e Kosovës ka thënë se institucionet e sigurisë në vend janë të gashme që të parandalojnë çfarëdo kërcënimi nga terrorizmi

“Policia e Kosovës dhe Institucionet tjera të sigurisë bëjnë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi. Institucionet e vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit në përgjithësi dhe kundër qytetarëve të saj në veçanti”, bën të ditur Policia e Kosovës.

Ndërkaq, sipas ekspertëve të çështjeve të sigurisë, ky numër kaq i madh i personave të cilët janë arrestuar nga policia nën dyshimet për planifikimin e veprave terroriste është një alarm i qartë se Kosova është duke u kërcenuar seriozisht nga ky fenomen.

Sipas Behar Selimit, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, nëse vërtetohet se këta të dyshuar kanë pasur për qëllim kryrjen e akteve terroriste në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit, atëherë nuk bëhet fjalë për kërcënim, por për rrezik të drejtpërdrejtë për qyetetarët.

“Nëse provohen dyshimet e bazuara të institucioneve të sigurisë për pretendimet në lidhje me kryerjen e një akti terrorist atëherë përfundimisht del se në Kosovë më nuk kemi të bëjmë më kërcenim i cili është i tolerueshëm dhe i arsyeshëm, por kemi të bëjmë më një rrezik të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë nacionale dhe qytetarëve në përgjithësi. Pra, gjithnjë nëse akuzat të cilat i kemi lexuar provohen në proces të hetimeve, atëherë kësaj radhe flasim për diçka shumë serioze”, ka thënë Selimi.

Ndërsa, Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, ka thënë se individë dhe grupe të ndryshme kanë rënë nën ndikimin e kësaj ideologjie globale dhe normalisht se paraqesin sfidë për sigurinë nacionale. Sipas tij, rrethanat e rënduara të situatës në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, mund të ndikojnë në qëllimin e përhapjes së akteve terroriste edhe në zona tjera, përfshirë edhe Ballkanin. Ai ka thënë se Kosova, sikurse edhe vendet në rajonin ballkanik, përballen me rrezik të nivelit mbi-mesatar të terrorizmit.

Ndërkaq, besohet se aktualisht pjesë aktive e organizatave terroriste në Siri dhe Irak janë mbi 70 shtetas të Kosovës dhe se numri total i kosovarëve që gjenden në zonat e konfliktit është mbi 300.