Mbi 800 vetëvrasje në Kosovë

Kronika November 05, 2016 - 08:24

Numri i vetëvrasjeve në Kosovë po rritet vazhdimisht, ndërsa vetëm brenda një jave katër vetëvrasje të femrave kanë ndodhur në Kosovë. Pas luftës mbi 800 vetëvrasje kanë ndodhur në Kosovë. Nga disa raste të izoluara vetëvrasjet tani janë shndërruar në dukuri, sidomos tek gjinia femërore.

Njëra nga të vetëvrarat i takon moshës 18-vjeçare, e cila u hodh para katër ditësh nga një ndërtesë e lartë në Prishtinë. Mosha e femrave që po kryejnë vetëvrasje deklarohet më shumë rreth 30 deri në 40 vjeç.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se gjatë javës së fundit (27.10.2016 deri më 02.11.2016) janë evidentuara katër raste të vetëvrasjeve (Vdekje e dyshimtë), ku të përfshira kanë qenë katër femra.

Ndërsa, sipas të dhënave të Policisë nga 1 janari 2016 deri më 02.11.2016 janë evidentuar 19 raste të vetëvrasjeve, ku të vetëvrarat janë të gjinisë femërore. Mosha mesatare e femrave që kanë kryer vetëvrasje është 39 vjet. Policia njofton se këto raste i heton duke i vlerësuar fillimisht si “Vdekje e dyshimtë”. “Nëse nga hetimet vërtetohet se një rast i tillë është vetëvrasje, atëherë Policia prapë heton nëse ka pasur vepër penale ‘Shtytje në vetëvrasje’ apo ‘Ndihmë në vetëvrasje’”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë, dhënë për gazetën.

 Nënat po bëjnë vetëvrasje 

Miradije Gashi, drejtoreshë e OJQ-së “Venera”, thotë se vetëvrasja e këtyre femrave është një “mister”. Sipas saj, në rajonin e Dukagjinit femrat që kanë bërë vetëvrasje janë nëna të më shumë se një fëmije. “Së paku tri raste kanë qenë gjatë këtij viti dhe mosha e tyre është sjellë 34-40 vjeç”, thotë Gashi. Madje ajo nuk heziton të aludojë dhe tek një motiv që disa femra të cilat kanë qenë në moshë të re gjatë luftës e tani po vetëvriten janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Këtyre femrave pothuajse fare nuk u është ofruar ndihmë psikologjike dhe trauma nuk ka shkuar duke u zvogëluar asnjëherë”. Ajo bën thirrje që shteti të mos e hesht këtë dukuri të vetëvrasjes së femrave, por të nisë hulumtime dhe t’i kërkojë shkaktarët e t’u dalë në ndihmë. Gashi thekson se para luftës nuk janë dëgjuar raste të tilla të vetëvrasjes së femrave.

 Rritet numri i vetëvrasjeve tek femrat

Profesori universitar për çështjet e sigurisë, Avni Islami, thotë se vetëvrasja e femrave flet për rrezikimin e sigurisë njerëzore në Kosovë. “Fenomeni i vetëvrasjeve që nga përfundimi i luftës dhe deri më sot ka shënuar rritje dhe varësisht prej periudhave të caktuara po klasifikohen edhe llojet e vetëvrasjeve në Kosovë. Duke pasur parasysh se një kategori e caktuar e ish-luftëtarëve të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje, një kategori tjetër nga gjendja e rëndë ekonomike si kryefamiljarë dhe ata mund të kategorizohen në një kategori të njerëzve që po vetëvriten”.

Por, kohët e fundit ai thotë se tek gjinia femërore është rritur numri i vetëvrasjes. Islami thotë se lidhur me këto raste duhet të bëhen organizime të OJQ-ve në bashkëpunim me shtetin që të merren me shkaqet pse po ndodhin këto vetëvrasje. “Nuk gjej as hulumtime shkencore në këtë drejtim që të merren me këtë fenomen, në mënyrë që të jepen paralajmërimet apo edhe rekomandimet se çka duhet bërë për këtë kategori të njerëzve”, tha ai.

Islami e bën përgjegjës shtetin. Ai thotë se tërë barra e këtyre vetëvrasjeve bie mbi institucionet e Kosovës. “Institucionet po merren me ‘çështje të mëdha’ politike e nuk po merren me sigurinë njerëzore”. Mirëpo, ai thotë se ndër shkaktarët që mund të llogariten se po shtyjnë tek vetëvrasja është edhe gjendja e rëndë ekonomike.

 Nuk ka psikologë dhe sociologë nëpër shkolla

Ndërkaq Leutrim Sahiti, sociolog dhe politolog, drejtor i institutit për hulumtime dhe studime sociologjike “Sociometri”, thotë për gazetën se vetëvrasja si dukuri në Kosovë ka shënuar rritje pas luftës së fundit. Me fillimin e tranzicionit në Kosovë ai përmend se deri tek vetëvrasja ka ndikuar transformimi i vlerave kulturore, zbehja e rolit të familjes tek individi dhe i solidaritetit, rritja e individualizmit, pasojat pastraumatike të luftës së fundit, mungesa e perspektivës, niveli i lartë i papunësisë, zhgënjimi i qytetarëve me pushtetin shtetëror...,etj.

“Që nga pas lufta e deri më tani mbi 800 qytetarë i kanë dhënë fund jetës së tyre, prej këtij numri shumica e tyre janë meshkuj, pra meshkujt vetëvriten më shumë, ndërsa femrat tentojnë të vetëvriten më shumë për shkak se zakonisht përdorin metoda më të lehta, të cilat në shumë raste nuk rezultojnë me vetëvrasje, por me helmime të ndryshme”, thotë ai.

Vetëvrasja edhe pse është akt individual, Sahiti thotë se duhet të shikohet si revoltë e individëve ndaj shoqërisë, familjes apo grupit, pasi që në shumicën e rasteve, sipas tij, janë shkaqet sociale ato që i shtyjnë njerëzit të bëjnë vetëvrasje.

“Ditëve të fundit kemi pasur disa raste të gjinisë femërore që janë vetëvrarë. Pozita inferiore e femrës në shoqëri, përfshirja e tyre si viktima të trafikimit me qenie njerëzore, prostitucioni, statusi i saj i ulët social, mungesa e përkrahjes ndaj saj, mungesa e qasjes në trashëgimi..., e bën atë shumë të dobët në jetën e saj dhe problemet që mund t’i ketë në jetën bashkëshortore apo paramartesore e ka shumë të vështirë t’i zgjidhë ato probleme e  mendon që zgjidhja e fundit për të është vetëvrasja”, thotë ai.

Sahiti mendon se një faktor që ndikon mjaft shumë që femrat të bëjnë vetëvrasje është edhe mungesa e përkrahjes institucionale.

“Kur femrat kanë probleme bashkëshortore, si në rastet e dhunës në familje apo divorcit, ku femra nuk mbrohet me ligj, mungon trajtimi i duhur i tyre në qendrat e rehabilitimit dhe pas divorcit apo problemeve të tjera me bashkëshortin ajo nuk ka se ku të gjejë mbështetje, pastaj ajo do të përballet me situata depresioni, të cilat e shtyjnë të zgjedhë rrugën e vetëvrasjes”, thotë Sahiti.

Ai thekson se psikologu dhe sociologu në shkolla do të ndikonte në reduktimin e vetëvrasjes dhe dukurive të tjera në Kosovë.
“Nxënësit do të mësonin më shumë mbi menaxhimin e situatave, depresionin e stresin, ballafaqimin me probleme dhe ngritjen e nivelit të vetëdijes së nxënësve në raport me barazinë gjinore”, thotë Sahiti për “Zërin”.