Prokuroria ekspertizat i çon jashtë Kosovës
Një numër i madh i rasteve penale të cilat janë në shqyrtim të Prokurorisë së Shtetit presin kryerjen e ekspertizave ligjore, shumicën prej të cilave Prokuroria detyrohet që t’i dërgojë jashtë vendit për ekzaminim për shkak të mungesës të ekspertëve vendorë në fusha të caktuara, sidomos në çështjeje të forenzikës dhe në ato të mjekësisë.
Përveç mungesës së resurseve profesionale për zbardhjen e rasteve nga ana e Prokurorisë, ekzaminimi i ekspertizave ndërkombëtare përbën edhe një kosto të lartë financiare për organin e akuzës.
Sipas Prokurorisë, dërgimi i ekspertiza jashtë vendit bëhet për arsye se një numër i rasteve nuk mund të realizohen në Kosovë. Sipas Hekrem Luftiut, nga Këshilli Prokurorial, shumica e ekspertizave e të cilat dërgohen jashtë vendit kanë të bëjnë me natyra të ndryshme të cilat janë jashtë profesionit të prokurorëve.
“Në raste të caktuara kur kemi të bëjmë me ekspertiza që nuk mund të realizohen në Kosovë, atëherë me qëllim që Prokuroria të ketë informacione sa më të plota lidhur me rastin konkret i dërgon jashtë Kosovës për ekspertizë”, ka thënë Luftiu.
Sipas tij, ekspertiza kërkohet për çështje që nuk janë të natyrës ligjore por të çështjeve forenzike, mjekësisë dhe shkencave tjera për të cilat kualifikimi kërkohet jashtë natyrës profesionale të prokurorëve.
“Nuk ekziston kategori specifike për ekspertizë ndërkombëtare. Qëllimi i Prokurorit të Shtetit është zbardhja e rastit dhe marrja e dënimit meritor”, ka thënë Hekrem Luftiu nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Sipas tij, Këshilli Prokurorial ka themeluar një komision, i cili do të shqyrtojnë kërkesat e prokurorëve të cilët kërkojnë ekspertë për raste të caktuara.
“Këshilli ka themeluar një komision ad hoc i cili do të shqyrtojë të gjitha rastet kur prokurorët e shtetit kërkojnë të angazhojnë ekspertë. Ky komision është bërë me iniciativën e Kryeprokurorit të Shtetit me qëllim të ekonomizimit të shpenzimeve të buxhetit të KPK-së, për këtë kategori”, ka thënë në fund Luftiu.
Ndërkaq, sipas Institutit Kosovar për Drejtësi, kërkimi i ekspertizave ndërkombëtare vjen si mungesë e mospunës së prokurorëve në zbardhjen e rasteve.
Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në këtë institut, ka thënë për “Zërin” se prokurorët dhe gjyqtarët nuk kanë nevojë që të kërkojnë bërjen e ekspertizave ende pa zhvilluar hetime profesionale në të gjitha anët.
“Problemet e prokurorëve ndërlidhen më shumë me mungesën e përkushtimit të tyre që të bëjnë punë profesionale për të siguruar prova dhe dëshmi në zbardhjen e rasteve dhe që ekspertizat t’i kërkojnë vetëm atëherë kur është e nevojshme për zbardhjen e rastit”, ka thënë Miftaraj.
Ai vlerëson se nuk duhet të krijohet praktikë shabllon që vetëm të kërkohen ekspertiza dhe gjithçka të varet prej një ekspertize, por hetimi duhet të jetë gjithëpërfshirës për të zbardhur rastet deri në detaje.
“Niveli profesional i prokurorëve dhe gjykatësve vërtetohet edhe me rastet e shumta që kanë dështuar dhe kjo është pasqyra reale e performancës së tyre”, ka thënë Miftaraj.
Sipas IKD-së, është e domosdoshme që në të gjitha rastet kur provat, dëshmitë dhe rrethanat tjera nuk e zbulojnë një rast të caktuar atëherë të kërkohet bërja e ekspertizave të caktuara, të cilat mund të bëhen jashtë shtetit edhe pse si të tilla mund të jenë të kushtueshme.
Deri më tani Prokuroria e Shtetit ka kërkuar ekspertizë ndërkombëtare për zbardhjen e një sërë rasteve penale.
Ekspertiza për vdekjen e ish-zyrtarit për informim në Qeverinë e Kosovës, Hamdi Sopa, autorizimi i një ekspertize profesionale ndërkombëtare për lëshimet e mundshme gjatë ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë, janë vetëm disa nga rastet ku Prokuroria e Shtetit ka kërkuar ekzaminim ndërkombëtar në zbardhjen rasteve të cilat kanë qenë objekt trajtimi i saj. Zeri