Dështon drejtësia, i kthehen Kanunit

Kronika August 27, 2016 - 08:43

Numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar një rritje të ndjeshme nga viti i kaluar. 15 persona janë vrarë këtë vit deri në muajin korrik për dallim nga viti 2015, ku gjatë tërë vitit kishte vetëm 11 vrasje. Vetëm në shtatë ditët e fundit vendi është tronditur me gjashtë vrasje të njëpasnjëshme. “Java e vdekjes” nisi në Ferizaj më 18 gusht, ku u vra një mashkull 20-vjeçar. Ajo vazhdoi në Gjakovë, ku në mesditën e 23 gushtit u vranë tre persona ndërsa të enjten në mbrëma në Deçan nga hakmarrja mbetën të vrarë edhe dy vëllezër.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë dhe të sigurisë kanë vlerësuar se organet e drejtësisë në Kosovë nuk janë duke funksionuar si duhet. Sipas tyre, nga ky mosfunksionim i institucioneve në fjalë qytetarët po e marrin vetë rolin e drejtësisë, duke shuar jetë njerëzish. Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar Policia e Kosovës, e cila ka thënë se punën e saj e kryen me shumë seriozitet.

Sipas Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës, thuhet se ky institucion ka arritur që përgjatë viteve t’i zbardhë mbi 70% të rasteve. “Nëse u referohemi statistikave lidhur me zbulueshmërinë e rasteve të vrasjeve nëpër vite, Policia e Kosovës ka arritur nivelin e zbulueshmërisë së rasteve të tilla mbi 75%”, ka thënë për “Zërin” Daut Hoxha, nga Policia e Kosovës.

Qytetarët kanë humbur besimin në drejtësi

Pavarësisht kësaj, ndryshe është shprehur Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Ai ka vlerësuar se moszgjidhja e rasteve nga organet e drejtësisë po çon deri aty sa qytetarët po shkojnë deri te vrasjet. “Mungesa e zgjidhjes së këtyre rasteve dhe ndërmarrjes së veprimeve adekuate për t’i parandaluar dhe luftuar këto dukuri negative nga organet e ndjekjes përçojnë pasiguri juridike te qytetarët, të cilët këtë pasiguri e përkthejnë fatkeqësisht në vetëgjyqësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, zbatimi i drejtësisë selektive dhe mosveprimi i organeve të sigurisë, Prokurorisë dhe gjyqësisë për t’i përmbushur obligimet e tyre po ndikon që qytetarët ta humbasin besimin në këto institucione.

Miftaraj gjatë bisedës për gazetën “Zëri” ka përmendur rastin e Elvis Pistës, ish-kandidatit për deputet në Kuvendin e Kosovës, i cili qe vrarë para rreth një viti.

Sipas tij, moszbardhja e këtij rasti dëshmon qartë mungesën e vullnetit të prokurorit të Shtetit për t’ia kushtuar vëmendjen e mjaftueshme rastit në fjalë.

 Drejtësia po dështon në punën e saj

Nga ana tjetër, sipas njohësit të sigurisë Burim Ramadani, dy faktorët kryesorë të cilët po e rrezikojnë sigurinë në Kosovë kanë të bëjnë me mbajtjen e armëve në mënyrë jo të ligjshme, si dhe me mosefikasitetin e organeve të drejtësisë.

“Numri i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve po vazhdon ta rrezikojë sigurinë publike dhe sigurinë e përgjithshme në Kosovë. Madje, fatkeqësisht, numri i vrasjeve është jashtëzakonisht i lartë dhe si pasojë edhe ndjenja e pasigurisë është në rritje”, ka thënë ai për “Zërin”.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar Policia e Kosovës, duke thënë se ky institucion ka punuar në mënyrë permanente për parandalimin e vrasjeve, qoftë duke konfiskuar armët që janë mbajtur në mënyrë jo të ligjshme, qoftë në mënyra të tjera.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarrë veprime konkrete për parandalim, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla”, ka thënë Hoxha nga Policia e Kosovës. Më tej duke mossaktësuar, ka thënë se vrasjet të cilat po ndodhin në Kosovë shkaktohen për motive të ndryshme, por që me gjëra të tilla, siç ka thënë PK-ja, merret drejtësia.

Kurse sipas Burim Ramadanit, numri i vrasjeve në Kosovë mund të zvogëlohet vetëm duke u rritur efikasiteti i organeve të drejtësisë.

“Zvogëlimi i rasteve të vrasjeve dhe lëndimeve qartësisht mund të arrihet përmes efikasitetit të drejtësisë dhe gjyqësisë, sikurse edhe përmes një programi gjithëpërfshirës për heqjen e armëve ilegale nga duart e qytetarëve”, ka thënë Ramadani, sipas të cilit, njëra prej kushteve kyçe që të arrihet një gjë e tillë është rritja e besimit ndaj  institucioneve shtetërore.