Futboll

Kosova – Malta, nuk ka mbetur asnjë biletë

Kosova – Malta, nuk ka mbetur asnjë biletë
09 tetor 2018 • 13 : 28

Dje në orën 17:00 kishte filluar shitja e biletave për ndeshjen mes Kombëtares së Kosovës dhe Maltës dhe tashmë është bërë e ditur se janë shitur që të gjitha biletat.

Ndeshja e Dardanëve do të zhvillohet të enjten dhe do të jetë e vlefshme për garën më të re të UEFA-s, Ligën e Kombeve. Kosova do të luajë për herë të dytë një ndeshje me karakter garues në shtëpi.

Për ta shikuar këtë ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri”, njerëzit ishin grumbulluar dje qysh para orës 17:00, kur edhe do të fillonte shitja e tyre, dhe kishin pritur në radhë. Dje kishte eskaluar situata dhe policia ishte detyruar të ndërhynte, duke i shpërndarë qytetarët me gaz lotsjellës.

Radha të ngjashme për blerjen e biletave ishin formuar edhe sot qysh në orët e mëngjesit dhe kjo ka bërë që brenda më pak se 24 orëve nga fillimi i shitjes, tanimë të mos mbetet asnjë biletë në dispozicion, gjë të cilën e ka konfirmuar për Express drejtori i shitjes, Arjanit Buraku.

“Po, të gjitha biletat për ndeshjen Kosovë – Maltë janë shitur. Nuk është më asnjë biletë në dispozicion”, ka thënë Buraku.

© zëri.info