Në 2015-n u importuan vetëm 2120 arka fiskale

Ekonomia May 06, 2016 - 08:11

Çmimi i arkave fiskale në vend edhe më tutje vazhdon të jetë shumë i lartë, pavarësisht se çmimi real i tyre është shumë më i ulët. Në bazë të të dhënave që ka siguruar gazeta “Zëri” nga Dogana e Kosovës shihet qartë se çmimi i një arke fiskale të importuar në Kosovë është 130 euro. Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, ka treguar se gjatë vitit 2015 dhe në tremujorin e parë të këtij viti janë importuar vetëm 2120 kasa regjistruese, pajisje për të gjitha llojet e bizneseve. Sipas Doganës, gjithsej vlera e tyre ka qenë 287,200 mijë euro e që mesatarja e çmimit për një arkë është 130 euro për copë. Për 2120 arka është paguar taksë doganore rreth 30 mijë euro dhe rreth 55 mijë euro TVSH. Po sipas të dhënave të Doganës, të gjitha këto pajisje janë importuar nga Bullgaria. Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë se çmimet kanë qenë enorme të larta për fiskalizmin e naftëtarëve.

Ai ka thënë se ankesat e naftëtarëve kanë qenë dhe mbetën të mëdha, pavarësisht se çmimi i tyre është ulur për 50 për qind. “Naftëtarët e ngritën zërin se çmimet e ofruara nuk mund t’i përballojnë sepse në regjion një pikë karburanti komplet që të jetë e pajisur me arkë fiskale dhe sistem fiskal paguan 2000 deri në 3000 euro”, tha Berjani. Ndërkohë Shaban Sylaj, pronar i kompanisë “Intertrans Cop” nga Suhareka, ka thënë se është gjobitur dy herë nga ATK-ja në vitin e kaluar, ngase nuk e ka pasur të instaluar sistemin fiskal që është kërkuar sipas Udhëzimit Administrativ të fundit, ani pse ka pasur arkë fiskale. “Arkat fiskale manuale i  kam pasur nga viti 2010, ato patën kushtuar diku 1000 euro një copë. Me ato arka kemi lëshuar kuponë. Mirëpo me ardhjen e rregullores së re për instalimin e programeve, pasi që nuk bëhet fjalë për akra fiskale, por bëhet fjalë për një softuer të instaluar dhe ai softuer për katër aparate kushton deri në 20 mijë euro. Kompania ‘Gekos’ në pranverën e vitit të kaluar na ka instaluar dy aso softuerë në vlerë prej 8 mijë e 700 eurove, ndërkohë 2 mijë euro kanë qenë dënimet nga ATK-ja ngase jam vonuar dy javë për t’i instaluar ato.

Pra, fiks dhjetë mijë euro më ka kushtuar instalimi i tyre. Dhe më pas ATK-ja e ka ndalur hovin e dënimeve, është shtyrë afati pasi ka thënë se duhet të licencohet edhe një kompani tjetër për ta kryer këtë punë”, ka thënë Sylaj. Ai ka treguar se “Gekos” ua ka dërguar një printer dhe një shtëpizë për të operuar me sistemin fiskal, sipas udhëzimit të Qeverisë. “Shtëpiza ta llogaritësh kushton 50 euro. Kjo pasi që ata nuk lejojnë që programin ta instalojnë në kompjuter tëndin. Pra ky printer i kësaj arke fiskale i pranon vetëm tri produkte, naftë, benzinë dhe gazë. Dhe tash ne duhet të përdorim dy arka fiskale, një për produktet tjera dhe një për derivate”, ka treguar Sylaj. Ndërkohë që numri i bizneseve të të gjitha llojeve të regjistruara në Kosovë është rreth 90 mijë, sipas të dhënave të ATK-së numri i bizneseve të fiskalizuara deri më tani është 24.141, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 31.062. “Në kuadër të aktiviteteve dhe vizitave të përditshme të inspektorëve në terren, duke u bazuar në planet e veprimit dhe planin e trajtimit të rreziqeve, ATK-ja paralajmëron me kohë bizneset për obligimin që kanë të fiskalizohen sipas Ligjit për Administratën dhe Procedurat. Në raste se bizneset nuk i binden kërkesës, atëherë sigurisht se vendosen gjoba konform Ligjit 03/L-222, përkatësisht Nenit 57 - Ndëshkimi Administrativ për Mospërdorim të Pajisjeve Elektronike Fiskale, (vlera e gjobës për mospajisje me arkë fiskale është 1000 euro)”, ka thënë Valentina Bytyqi – Sefa, zyrtare për komunikim me publikun në ATK.