Burg në vend të gjobave
Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik është dashur që të amendamentohet që në vitin 2013 dhe të harmonizohet me Kodin Penal të Kosovës, por nuk është amendamentuar akoma.
Deri më tani Kodi Penal i Kosovës ka paraparë dënime të ashpra me burg për zyrtarët që ndodhen në konflikt të interesit, por Ligji për Parandalim e Konfliktit të Interesit i ka selektuar vetëm si kundërvajtës duke u shqiptuar gjoba. Hasan Preteni, drejtor në AKK, shpreson se me harmonizimin e këtij ligji me Kodin Penal dënimet dhe sanksionimet e zyrtarëve të lartë publikë do të jenë shumë më të ashpra, si dhe do të definohet qartë nëse ata kanë të drejtë të marrin nga dy paga në institucione publike.
“Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, të miratuar më 2012 dhe të hyrë në fuqi më 2013, në Nenin 424 është paraparë vepra penale ‘Konflikti i Interesit’, ndërsa në Ligjin bazë nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, çdo shkelje e detyrim në këtë ligj kur nuk ka paraqitur vepër penale paraqet kundërvajtje. Andaj, duke u bazuar në parimin e njohur juridik një vepër nuk mund të cilësohet edhe si kundërvajtje, edhe si vepër penale. Kjo ka qenë njëra ndër arsyet që ne si institucion i kemi kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që kjo vepër të kategorizohet dhe të marrë iniciativë për plotësim-ndryshimin e ligjit dhe të harmonizohet edhe me pika të tjera si për shembull: çështja e personave zyrtarë sipas Kodit Penal dhe termit Zyrtar i lartë sipas Ligjit nr. 04/L-051”, ka thënë Preteni.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili është anëtar i Komisionit për Legjislacion, ka thënë se në fund të sesionit pranveror do të vijë në Kuvend nga Qeveria edhe ky ligj, pasi ashtu është paraparë në agjendën legjislative të Qeverisë.
Me ndryshimin e ligjit nuk do të ketë dy vende të punës
Kryetari i AKK-së është shprehur se sipas informatave që i disponon, ligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik i është kthyer Qeverisë. “Mirëpo, ne si institucion nuk kemi pranuar informata zyrtare se në cilën fazë gjendet tash”, ka treguar Preteni.
Ai ka thënë se Agjencia, si institucion kompetent në zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ka dhënë kontributin e saj lidhur me këtë proces dhe i ka bërë një numër propozimesh. “P.sh: personat zyrtarë të jenë unikë si në Ligjin për Deklarimin e Pasurisë nr. 04.L/-50; çështja e punësimit të zyrtarëve të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se dy funksione publike; bartësve të funksioneve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial t’ju përcaktohet saktë ushtrimi i funksioneve të tjera gjatë ushtrimit të funksionit publik; çështja e kufizimeve të zyrtarëve publikë pas përfundimit të mandatit; çështja e angazhimit të zyrtarëve të lartë në bordet të ndryshme; çështje e precizimit të vendimmarrjes dhe disa propozime të tjera”, ka shtuar më tutje Preteni.
Canhasi: Sanksionimet janë pothuaj inekzistente
Artan Canhasi, menaxher i programit për transparencë dhe kundërkorrupsionit në KDI, thotë se mekanizimi i kontrollit të deklarimit të pasurisë nuk është duke funksionuar dhe se dobësitë qendrore mbesin me zbatimin e dobët dhe të gabuar të legjislacionit në fuqi. “Deklarimi i pakontrolluar nuk është duke sjellë rezultate. Mekanizimi i kontrollit të deklarimit të pasurisë është aq i fuqishëm sa është secila hallkë në zinxhirin e ligjeve dhe procedurave e institucioneve për zbatimin e tyre. Hallkat e dobëta janë të shumta në këtë mekanizëm dhe në këtë mënyrë i gjithë sistemi nuk arrin qëllimin që është parandalimi i pasurimit joligjor të zyrtarëve të lartë dhe frenimit të korrupsionit. Dobësitë qendrore mbesin me zbatimin e dobët dhe të gabuar të legjislacionit në fuqi”, ka thënë Canhasi. Ai treguar se sanksionimet janë pothuaj inekzistente. Kjo, sipas tij, fillimisht për fajin e gjykatave me interpretimin e gabuar të dispozitave të Kodit Penal, ku dënimi me burg është shndërruar në dënim me gjobë.
“Kurse problemi i dytë në këtë drejtim është shfaqur me rastet e dërguara në Prokurori nga AKK-ja, e cila nuk ka kërkuar sqarime shtesë nga personat, të cilët janë konsideruar se kanë deklaruar rrejshëm pasurinë para se t’i dërgojnë rastet në Prokurori. Në këtë mënyrë janë shpenzuar kot resurse të pakta nga AKK-ja, Prokuroria dhe gjykatat për të zbatuar norma, të cilat thjesht kanë synime tjera – pasurimin e paligjshëm e jo shtesat që marrin zyrtarët gjatë kryerjes së punëve të tyre. AKK-ja ka mundur thjesht të kërkojë nga këta zyrtarë që t’i përmirësojnë formularët e deklarimit, t’i shtojnë shtesat që i marrin”, thotë Canhasi.
Ndërkohë, janë mbi 80 mijë shërbyes civilë të punësuar në institucionet publike, por AKK-ka obliguar 4390 zyrtarë të lartë publikë për të deklaruar pasurinë.