Vezët industriale ende në treg (VIDEO)
Vezë industriale ende ka në tregun e Kosovës, ndonëse më herët ishte thënë se të gjitha janë asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës së Kosovës (AUVK).
Kjo e fundit nuk jep detaje nëse në treg ende shiten vezët industriale, por burime të gazetës “Zëri” brenda kësaj Agjencie thonë se ka ende shumë vezë të tilla në treg.
Drejtues të Shoqatës së Shpezëtarëve të Kosovës ditë më parë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me shitjen në treg të vezëve të destinuara për përpunim, të cilat në Kosovë shiten për konsum. Sipas tyre, vezët janë i vetmi produkt që plotëson nevojat e vendit qind për qind, prandaj nuk ka nevojë për import.
Edhe qytetarët thonë se janë të shqetësuar nga mosqartësimi i kësaj situate kur konsumatorëve u shiten vezë industriale.
Zaide Gërbeshi, qytetare nga Prishtina, thotë se çdoherë ka dyshime rreth cilësisë së produkteve në treg. Por që është e detyruar t’i blejnë këto ushqime.
“Boll me dyshime i bleva vezët. Unë gjithë vezët i blej në treg, i marr me shpresën se janë të Kosovës. Shumë pak po ju besojmë pse të na gënjejnë”, ka thënë ajo.
Edhe Ragip Avdullahu ka thënë se ka dyshime se vezë industriale mund të ketë ende në treg. Por ai thotë se vetë qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm në produktet e importit dhe të blejnë edhe produkte vendore.
“Kam dëgjuar për vezët e bardha që janë importuar kanë qenë vezë industriale, të cilat kanë qenë në market me çmime të lira. Unë zakonisht nuk blej vezë të importit, por vetëm vendore”, ka thënë ai.
Ndërsa shitësit ankohen se ditëve të fundit kanë rënie të shitjes së vezëve në treg. Ata thonë se qytetarët hezitojnë t’i blejnë këto produkte.
Esat Haxha, shitës në Tregun e Gjelbër të Prishtinës, tregon se kohëve të fundit ka rënie të shitjes së vezëve. Ai thotë se qytetarët hezitojnë t’i blejnë vezë, pavarësisht asaj, siç thotë ai, se shet vetëm produkte vendore.
“Tek unë qytetarët nuk kanë se çka të frikësohen se është mall i Kosovës. Ne shesim vetëm produkte vendore e assesi nuk marrim vezë nga Shqipëria dhe nga Serbia. Na kemi informata se ka produkte të tilla në treg. Shitja ka rënë sepse konsumatorët po kanë frikë, ndonëse ne shesim produkte vendore që janë shumë të sigurta”, ka thënë ai.
Edhe Xhemajl Mehmeti, shitës në treg, konfirmon se ka rënë kërkesa e konsumatorëve për vezë.
“Qytetarët po pyesin nëse vezët janë vendore apo të importuara. Problemi me importin e vezëve të dyshimta ka bërë që të kemi më pak shitje, por jo në masë të madhe”, ka thënë ai.