Komandantët e UÇK-së, milionerë të privatizimit

Ekonomia March 14, 2016 - 07:51

Për toka bujqësore, lokale e fabrika janë paguar shuma të mëdha kryesisht nga ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët sot janë pronarë të pronave që kushtojnë miliona euro. Në listë të blerësve që posedon gazeta “Zëri” janë vëllezërit, por edhe familjarë të ish-komandantëve të luftës

Ish-komandantë të UÇK-së, familjarë të tyre, udhëheqës partish, politikanë, kanë paguar shuma të mëdha parash për të privatizuar ndërmarrje shoqërore. Lista e shitjeve të ndërmarrjeve shoqërore që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar, ka nxjerrë në pah emra të ish-komandantëve dhe shuma të mëdha parash që janë paguar gjatë këtij procesi. Për toka bujqësore, lokale e fabrika janë paguar shuma të mëdha kryesisht nga ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët sot janë pronarë të pronave që kushtojnë miliona euro. Në listë të blerësve ndodhet ortaku i vëllait të Hashim Thaçit, vëllai i Sylejman Selimit, vëllai i Rexhep Selimit, kryetari aktual i AAK-së Ramush Haradinaj e shumë e shumë të tjerë.

Vëllai i Hashim Thaçit, Blerim Thaçi, bashkë me Fazli Cakiqin, një biznesmen nga Drenasi, janë ortakë në kompaninë "Iliria Bulding” SHPK. Cakiqi më 25 shkurt 2010, e ka privatizuar ndërmarrjen shoqërore “Metanb” në Prishtinë, në vlerë prej 2.6 milionë eurove. Kurse në vitin 2011 ka blerë tokë në Prishtinë në vlerë prej 640 mijë eurove. Fazli Cakiqi, më 6 janar 2010, e ka privatizuar ndërmarrjen “Kosova Elektro” në vlerë prej mbi 1 milion eurove.

Në vlerë monetare shumë më të vogël në vitin 2010 ka privatizuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka privatizuar tokë bujqësore në Izniq të Deçanit në hapësirë prej 1,988,670.00 metra katrorë, në vlerë monetare prej 70 mijë eurosh.

Milazim Lushtaku, djali i vëllait të kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, ka privatizuar një lokal në Skenderaj në vlerë prej 51 mijë eurove. Të njëjtin lokal në vlerë prej 31 mijë eurove e ka privatizuar edhe në vitin 2013.

Selman Selimi, vëllai i ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka privatizuar tokë prej 3,058,256 metra katrorë në vlerë prej 390 mijë eurove. Selimi edhe në vitin 2014 ka privatizuar një tokë tjetër në vlerë prej 164 mijë eurove. Po në vitin 2014, në emrin e Selman Selimit është privatizuar një parcelë tokë dhe një ndërtesë administrative në vlerë prej 101 mijë eurosh.

Ilaz Selimi, vëllai i deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, në vitin 2006 e ka privatizuar fabrikën e farërave në Klinë në vlerë prej 200 mijë eurove. Selimi ka qenë kryetar i parë i PDK-së dega në Klinë për disa vite. Ndërkohë në vitin 2009 ka privatizuar edhe një hapësirë tokë bujqësore prej 1,938, 747.00 metra katrorë në vlerë prej 102 mijë eurove.

Po ashtu, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” nga Vitia, Salih Salihu, ka privatizuar 96,681.00 metra katrorë tokë bujqësore, të cilën e ka blerë 310 mijë euro. Toka është blerë në kohën sa ka qenë deputet, ose saktë më 17 mars 2014 në Valën e 59-të të Privatizimit. Pasuria e Salihut nuk figuron në deklarimin e Kundër Korrupsionit për vitin 2015, ndërkohë në vitin 2014 pasurinë e ka deklaruar pak më herët që të blejë tokën nga AKP-ja dhe në atë kohë në llogarinë bankare i figuronin vetëm 6 mijë euro para të gatshme.

 

Image

Gani Geci privatizoi 4 ndërmarrje

Halil Geci, vëllai i Gani Gecit, i cili nga viti 2007 - 2010 ka qenë deputet nga radhët e LDK-LDD. Nën emrin e Halil Gecit në vitin 2005 është privatizuar fabrika “Përparimi LLC” në Skenderaj për 1 milion e 200 mijë euro. Ndërkaq, Nebih Geci, vëlla i Gani Gecit, figuron që ka privatizuar 2,156,964 metra katrorë tokë bujqësore në vlerë prej 155 mijë eurove në vitin 2009. Në të njëjtën ditë, Nebihi figuron që e ka privatizuar edhe një tjetër parcelë në vlerë prej 200 mijë eurosh. Vetë ish-deputeti dhe pjesëtari i UÇK-së, Gani Geci, në vitin 2011 figuron se ka privatizuar tokë dhe lokal në Skenderaj në vlerë prej 14 mijë eurove.

Po ashtu, Musa Jashari, përgjegjës për Veprime Operacionale në Zonën e Pashtrikut në luftën e UÇK-së ka privatizuar një lokal dhe tokë në Mitrovicë në vlerë prej 39 mijë eurosh në vitin 2007.

Ndërkaq, Nasim Haradinaj, komandanti i UÇK-së dhe i njohur për luftën në Koshare, në vitin 2009 ka privatizuar tokë bujqësore në hapësirë prej 2,195,231 metra katrorë në vlerë prej 257 mijë eurosh në Pejë. Po në vitin 2009, Haradinaj ka privatizuar edhe një tjetër hapësirë tokë në Gjakovë në vlerë prej 817 mijë eurosh.

Po ashtu, Burim Marmullaku, i cili është vëllai i bashkëshortes së ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Sokol Bashota, i cili që disa vite është kryetar i Klinës. Marmullaku, sipas AKP-së, ka blerë zyrat ku ndodhet selia qendrore e PDK-së në vlerë prej 371 mijë eurove.

Nevzat Isufi, kryetar i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan, në vitin 2014 ka privatizuar 186,034.00 metra katrorë, tokë kullosa në vlerë prej 80 mijë eurove. Pak para se të blejë tokën, Isufi në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar para në bankë rreth 15 mijë euro, ndërkohë pasi e ka blerë tokën, në vitin 2015 ka deklaruar para të gatshme në bankë vetëm 350 euro dhe nuk ka deklaruar ndonjë borxh.

Florin Kelmendi, ish-deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje” në kohën sa ka qenë deputet, në vitin 2012 e ka privatizuar një lokal 70 metra katrorë për vetëm 5,500 euro. Ndërsa, Jeton Jagxhiu është koordinator i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Prizren, në nëntor të vitit 2013 ka blerë një lokal 485 metra katrorë në vlerë prej 172 mijë eurove.

Deputeti Kelmendi, privatizues i madh

Ramiz Kelmendi nga viti 2013 është deputet i PDK-së, ndërkohë më herët ka qenë anëtar i AAK-së. Ai është i përfshirë në pesë valë të privatizimit. Për të fundit herë ka privatizuar në vitin 2011 tokë dhe ndërtesë në hapësirë prej rreth tre hektarë në vlerë prej rreth 4 milionë eurosh. Privatizimin e ka nisur në vitin 2003 ku ka blerë 550.00 hektarë tokë në vlerë prej 275 mijë eurove, më pas në vitin 2005, tre hektarë tokë në vlerë prej 706 mijë eurove, po në vitin 2005, 2.3 hektarë tokë në vlerë prej 630 mijë eurove, në vitin 2006, 7 hektarë tokë në vlerë prej 600 mijë eurove, dhe po në vitin 2006 ka privatizuar 0.45 hektar tokë në vlerë prej 70 mijë eurove.

Lulëzim Kabashi, në zgjedhjet e fundit lokale ka qenë kandidat i AAK-së dhe LDD-së për kryetar të Prizrenit. Prej vitit 2010 deri më tani është asamblist komunal. Në vitin 2012 e ka privatizuar një lokal së bashku më një parcelë tokë në vlerë prej 51 mijë eurove. Gjatë luftës ka qenë komandant i batalionit “Kabashi” të Brigadës 125 në Korishë.

Më 17 mars të vitit 2014, derisa ishte në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Infrakos”, Agron Thaçi ka privatizuar tokë bujqësore në hapësirë prej 57,374.00 metra katrorë, në vlerë prej 73 mijë e 500 euro. Thaçi drejtor është edhe aktualisht. Këtë blerje, Thaçi e ka paraqitur edhe në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Në vitet e mëhershme të deklarimit të pasurisë nuk figuron ndonjë shumë e madhe e parave të përbashkëta që Thaçi e ka paraqitur në AKK, për shembull, në vitin 2012 derisa ishte anëtarë bordi, ka paraqitur para të gatshme më pak se 10 mijë euro, së bashku me të fëmijëve e të bashkëshortes. Formulari i pasurisë së tij në vitin 2013 nuk hapet në ueb-faqen e AKK-së, ndërsa në vitin 2014, si kryeshef ekzekutiv ka paraqitur para të gatshme në vlerë prej rreth 10 mijë euro.

Deshishku bleu hotel “Drenicën”

Ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, në vitin 2005 ka privatizuar hotel “Drenicën” që gjendet në Fushë Kosovë, në vlerë prej 188 mijë eurove. Një vit më vonë ka privatizuar edhe  një lokal dhe tokë në Podujevë në vlerë prej 450 mijë eurove. Në vitin 2008 e ka privatizuar një depo në Prishtinë në vlerë prej 1.2 milion eurosh.

Besnik Berisha, që ka qenë drejtor në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga viti 2010, ka privatizuar një objekt dhe tokë në vitin 2007 në vlerë prej 202 mijë eurove. Berisha ka qenë në paraburgim për një kohë si i dyshuar kryesor për rastin me pasaporta biometrike. Ai është dyshuar që kishte marrë gjysmën e parave nga Natali Velijaj, ndërkohë ishte liruar nga të gjitha akuzat.

Sebahedin Ramaxhiku në kohën sa ishte u.d i kryshefit ekzekutiv në Postën dhe Telekomunikacioni e Kosovës në vitin 2008 ka privatizuar një parcelë tokë në hapësirë prej 100 metrave katrorë në vlerë prej 7 mijë eurove.

Edhe biznesmeni kosovar, drejtor i banjës terapeutike “Nëna Naile”, Dardan Novosella, në vitin 2012 e ka privatizuar Banjën e Kllokotit, për 340 mijë euro, ndërsa në maj të vitit 2014 i është bashkuar PDK-së. Aderimin e tij në këtë parti e pati bërë publik, Hashim Thaçi në rrjetin social “Facebook”.

Privatizim nga personat e fuqishëm të degëve

Feim Fetoshi, drejtor i Shërbimeve Publike në Rahovec, në mars të vitit 2013 kishte kaluar nga AAK-ja në PDK. Në nëntor të vitit 2013, sipas AKP-së, ka privatizuar 42,649.00 metra katrorë, që është blerë në vlerë prej 20 mijë eurove. Në deklarimin e pasurisë të vitit 2015, Fetoshi e ka paraqitur këtë hapësirë të tokës si pronë të përbashkët familjare dhe vlerën e saj ia ka vënë 85 mijë eurove.

Irfan Fusha në vitin 2007 e ka privatizuar një fabrikë në Prizren, në vlerë mbi 1 milion euro. Ai është anëtar i PDK-së dhe në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat për deputet. Në vitin 2011, Fusha ka privatizuar fabrikën “Industria ushqimore” në Prizren, në vlerë prej 7 milionë eurove.

Skender Hebibi, ish-kryetar i Kuvendit Komunal të Vitisë, nga radhët e AAK-së, në vitin 2009 ka privatizuar një depo, pronë e NSH “Letnica Textile Factory”, në vlerë prej 185 mijë eurove, të madhësisë 3 mijë e 300 metra katrorë. Hebibi nga viti 2004 ka qenë ish-anëtar i kryesisë qendrore të AAK-së dhe, kryetar i degës së kësaj partie në Viti. 

Ukshin Rrecaj është njëri i fuqishëm në PDK-në e Mitrovicës, ku ka qenë edhe kryetar dege dhe koordinator për zgjedhje. Nga viti 2010 është menaxher në Ministri të Financave, ndërsa nga viti 2009 është anëtar i Bordit në KRM “Uniteti” në Mitrovicë. Në vitin 2007, sipas të dhënave të AKP-së ka privatizuar 9,243,376.00 metra katrorë, tokë bujqësore ku për të ka paguar 154 mijë euro. Ndërkohë në deklarimin e pasurisë të vitit 2015, Rrecaj ka shënuar se nga privatizimi ka blere 4,620.00 metra katrorë, tokë bjeshke në vlerë prej 78 mijë eurove.

Istref Elshani është anëtar i PDK-së dhe njëherësh nga viti 2013 është anëtar në Kuvendin e Drenasit. Në vitin 2007, sipas AKP-së, ka privatizuar 4,045,492.00 metra katrorë tokë. Po ashtu, në vitin 2011 ka privatizuar tokë në Fushë Kosovë në vlerë prej 211 mijë eurove.

Fahri Selmanaj i cili është vëllai i kryetarit të Deçanit, Rasim Selmanaj, në vitin 2007 e ka privatizuar një lokal në Gjakovë në vlerë prej 171 mijë eurove.

Arzen Bytyqi, ish-anëtar i këshillit drejtues të AAK-së, ka privatizuar një lokal 55 metra katrorë në vlerë prej 121 mijë eurove në qytetin e Pejës. Nga viti 2009 deri në vitin 2015, Bytyqi ka qenë asamblist në Kuvendin e Komunës së Pejës për të kaluar pastaj i pavarur. Ndërkaq, në vitin 2014 ai ka privatizuar një lokal në vlerë prej 33 mijë urove.

Edhe Lavdie Bujupaj është asambliste në Komunën e Istogut nga radhët e AAK-së prej vitit 2013, në vitin 2014 e ka privatizuar një lokal në vlerë prej 61 mijë eurove.

Ahmet Rrahmanaj është asamblist i PDK-së në Malishevë që disa vite. Në vitin 2009 ka privatizuar tokë bujqësore në vlerë prej 1.2 milion eurove.

Image
Image