Mbetet i bllokuar Pallati i Rinisë
Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ka kaluar direkt nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Por, kjo ndërmarrje është në krizë të thellë financiare.
Si pasojë e mungesës së parave, ndërmarrja e cila është nën menaxhimin e AKP-së, që disa muaj është duke pranuar të hyra dhe duke bërë pagesa kundërligjshëm. Menaxhmenti i ndërmarrjes ka mbyllur llogaritë bankare përkohësisht dhe të gjitha të hyrat nga qiratë e lokaleve janë duke u kryer me para kesh.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme kishte dhënë aktvendim ku e detyronte Pallatin e Rinisë që t’i kompensonte të dëmtuarit që u ishte djegur malli në depot e Pallatit të Rinisë, pasi këta të fundit kishin ushtruar një padi ndaj Pallatit ku edhe kishin fituar rastin për shkak që në depot e objektit kishte pasur materiale të bizneseve që operojnë në Pallat.
Ky vendim kishte bërë që ndërmarrjes para pak muajve t’i merren të gjitha paratë në llogaritë bankare. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike nuk lejon që më shumë se 500 euro të qarkullojnë në dorë.
Qaush Berisha, kryeshef ekzekutiv i Pallatit të Rinisë, ka thënë se ende mbeten të bllokuara xhirollogaritë e Pallatit të Rinisë, dhe të gjitha pagesat, sipas tij, po bëhen përmes arkës.
Berisha: Arkën e pagesave e kemi të licencuar
Berisha ka thënë se arka është e licencuar, por nuk ka precizuar nëse po bëhen dhe po pranohen pagesa mbi 500 euro.
Berisha ka thënë se kjo është bërë për arsye se nuk ka pasur rrugëdalje në këtë rast.
“Pasi e fituan lëndën, na bllokuan xhirollogaritë. Në Bankën Qendrore kemi pasur rreth 800 mijë euro të cilat janë bllokuar, prandaj ne jemi detyruar që patjetër të punojmë në një formë krejt ndryshe përmes arkës fiskale tonë të licencuar. Në mënyrë legale dhe transparente i paguajmë rrymën, ujin, punëtorët, tatimet. Nëpërmes kuponit fiskal lëshohet çdo pagesë”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe 2 milionë e gjysmë është borxhi që nuk është paguar ndaj të dëmtuarve.
Berisha ka treguar se pasi të zgjidhet statusi i Pallatit, titullarit të këtij objekti i barten edhe këto borxhe.
“Edhe pse këto borxhe na janë bartë pa të drejtë. Ne ua patëm dhënë me qira depot qiraxhinjve dhe ata është dashur të kujdesen vetë për sigurinë e mallit. Këtë gjë e kam diskutuar me drejtorë të bordit të AKP-së, ata kanë vendosë prapë ta kthejnë ndërmarrjen nën administrimin direkt të Pallatit të Rinisë, për të na ndihmuar. Ata janë në kundërshtim absolut që të shiten dyqanet në Pallatin e Rinisë ashtu siç kishin ardhur përmbaruesit muaj më parë”, ka thënë ai.
Berisha thotë se tash kur është marrë vendim që Agjencia Kosovare e Privatizimit të jetë administrator i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt. Ndërkohë, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetës a do të kompensohet borxhi apo do të lejohet edhe shitja e lokaleve.
AKP-ja hesht
Para pak muajve, lidhur me këtë problem, zyrtarë të AKP-së nuk e patën komentuar nëse është duke u shkelur ligji, kur menaxhmenti i Pallatit të Rinisë është duke i kryer dhe duke i bërë pagesat me kesh në dorë.
Ata patën thënë se ndërmarrja e ka arkën fiskale për pagesa të licencuar dhe se janë në procedurë për ta ndihmuar që të dalë nga kriza këtë ndërmarrje.
“Pallati i Rinisë operon me arkë fiskale të licencuar, ndërsa për të gjitha të ardhurat i deklaron rregullisht tatimet. AKP-ja nuk ka miratuar dhe as nuk miraton asnjë veprim të ndërmarrjes që është në kundërshtim me ligjet në fuqi. AKP-ja udhëzon rregullisht menaxhmentin e Pallatit të Rinisë që operimi i ndërmarrjes të jetë në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë që kanë si ndaj AKP-së si administruese e ndërmarrjeve shoqërore, ashtu edhe ndaj institucioneve të tjera, përkatësisht në përputhje me ligjet relevante që rregullojnë funksionimin e subjekteve, përfshirë edhe Ligjin për Tatimet”, pati thënë Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP.
Ai ka thënë se AKP-ja ka koordinuar takime në mes të menaxhmentit të Pallatit të Rinisë dhe kreditorëve, përkatësisht përmbaruesve për të dalë nga kriza.
“Si rezultat i takimeve në të cilat ka marrë pjesë edhe menaxhmenti i AKP-së, palët janë dakorduar që të dilet me një propozim, përkatësisht ofertë konkrete karshi kreditorëve për shlyerjen e borxhit sipas mundësive dhe kapaciteteve financiare aktuale të ndërmarrjes. Pas një pune serioze, menaxhmenti i Pallatit të Rinisë e ka dërguar në Agjenci një propozim përkatës me ofertën konkrete për shlyerjen e borxhit”, ka pohuar Kaloshi, duke treguar se pas shqyrtimit nga Agjencia të këtij propozimi, së shpejti do të aranzhohet një takim i përbashkët në mes të menaxhmentit të Pallatit me kreditorët dhe përmbaruesit për të arritur një marrëveshje të shlyerjes së borxhit.
Ndërkohë, në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me këtë rast. Ata kanë thënë se kanë lëshuar edhe një urdhëresë lidhur me këtë rast.
Ndërkaq, ish- drejtori i Pallatit të Rinisë, Bajram Uka, vitin e kaluar ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj Qaush Berishës, tash drejtor i Pallatit, dhe ndaj 5 udhëheqësve të Pallatit të Rinisë duke dyshuar se për shkak të neglizhencës së tyre ka ndodhur një zjarr i madh në vitin 2000 ku kishte shkaktuar dëme miliona euro, e cila çoi edhe në bllokimin e xhirollogarisë së Pallatit për shkak të borxheve.