Hamza: Kosova ka nevojë për rritje ekonomike prej 7 %

Ekonomia February 06, 2016 - 16:34

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se viti 2016, dhe në vitet në vazhdim, rritja ekonomike do të jetë më e madhe se 3,8 për qind, nëse implementohen suksesshëm projektet si Brezovica, projektet e investimit në energji, në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe projektet e tjera të ngjashme.

“Kosova, sipas vlerësimeve, ka nevojë që të ketë një rritje ekonomike minimale prej 7 për qind me qëllim që t’i absorbojë gjeneratat e reja dhe t’i fusë në tregun punës’, ka theksuar ai.

Në këtë intervistë për Ekonomia Online, guvernatori Hamza flet për performancën e sistemit bankar në vitin 2015 dhe trendet e këtij fillimviti. Sipas tij, viti 2015 ka qenë ndër më të mirët për bankat, që kanë pasur rritje të kreditimit, depozitave dhe të aseteve.

“Kreditë joperformuese në Kosovë, po ashtu, janë më të ulëta në rajon – vetëm 6.2%; ndërkohë që në rajon janë në shifra dyshifrore. Por, një pengesë për uljen e normave të interesit vlerësohet vonesa e zgjidhjeve të kontesteve gjyqësore. Aktualisht, në gjykata presin të zgjidhen mbi 10 mijë lëndë’, ka theksuar ai.

Hamza ka deklaruar se remitencat nga diaspora, të cilat vitin e kaluar llogaritet se kanë qenë mbi 700 milionë euro, janë duke i dhënë një injeksion zhvillimit ekonomik të Kosovës.