Autoriteti i Konkurrencës, tri vjet pa Bord

Ekonomia January 20, 2016 - 07:49

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka tre vjet që nuk është funksional, pasi që Bordi nuk është i kompletuar. Përderisa Qeveria e Kosovës nuk ia ka propozuar ende Kuvendit të Kosovës emrat e rinj të anëtarëve të Bordit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, nuk ka dhënë përgjigje lidhur me atë se kur Qeveria e Kosovës do t’ia dërgojë Kuvendit emrat e rinj të anëtarëve të Bordit.

Në anën tjetër, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri që e mbikëqyr Autoritetin Kontraktues, ka bërë të ditur se ende Qeveria nuk i ka dërguar emrat në Kuvend për miratim.

Ai thotë se përveç Bordit të Autoritetit të Konkurrencës, edhe Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave ballafaqohet me mungesë të Bordit.

Mustafa ka thënë se është i domosdoshëm krijimi i Bordit të Autoritetit i Konkurrencës për shkak të adresimeve të problemeve të pabarazisë në treg dhe problemeve që dalin, qoftë me shfrytëzimin e pozitës monopoliste, oligopolistike.

“Ky trup duhet të merret me çrregullimin e konkurrencës fer dhe si e tillë ka rëndësi. Ai duhet të adresojë me një kompetencë profesionale dhe paanshmëri problemet e barazisë në treg dhe problemeve që dalin qoftë me shfrytëzimin e pozitës monopolistike, oligopolistike ose deformimeve tjera, qoftë me keqpërdorimet e tjera që atakojnë konkurrencën fer. Shpresoj se propozimet do të jenë adekuate në aspektin e kompetencës profesionale dhe etike. Prej agjencive që raportojnë në komision ka mbetur edhe Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, ndonëse ky bord nuk ka një rol ekzekutiv sipas ligjit përkatës. Megjithatë, në kemi dhënë një rekomandim Qeverisë që edhe ky organ të plotësohet sa më shpejtë”, ka thënë ai.

Mustafa ka pranuar se ka vonesa në plotësimin e këtij Bordi.

“Nuk kemi informata se ka ndonjë interferim për të provokuar këtë vonesë e cila pengon funksionimin e këtij autoriteti me rëndësi. Për shkaqet e vonesës më shumë mund të informoheni në Qeveri”, ka thënë ai.

Në anën tjetër edhe Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, ka thënë se është e pakuptueshme se ende Qeveria ngec në kompletimin e disa autoriteteve, si është ai i konkurrencës, duke ditur se çfarë rëndësie ka ai për tregun, konkurrencën dhe konsumatorin.

“Është e pakuptueshme se ende Qeveria ngec në kompletimin e disa autoriteteve, si është ai i konkurrencës, duke ditur se çfarë rëndësie ka ai për tregun, konkurrencën dhe konsumatorin. Çdo vonesë mund të sjellë në pozitë të palakmueshme operatorët në treg, madje edhe të sjellë para sfidave të mëdha, si ishte rasti i ‘Trepçës’ kur në mungesë të Bordit të KPMM-së nuk kishte kush t'ia nënshkruajë licencën, apo kur për mungesë të Bordit të AKP-së disa dhjetëra miliona euro nuk mund të barteshin në buxhet”, ka thënë ai.

Ndërsa, Frashër Krasniqi nga Lëvizja “Vetëvendose” ka thënë se vonesa e mosplotësimit të bordeve të agjencive të pavarura është për shkak të pazareve politike.

“Kryesisht nga përvoja që ka grupi ynë parlamentar në Kuvend sa herë ka vonesa për anëtarët e bordeve ato lidhen vetëm me pazaret midis PDK-së dhe LDK-së dhe hera-herës me Listën Serbe dhe rrallëherë edhe me ndonjë nga subjektet e minoriteteve të tjera”, ka thënë ai.