Mungojnë nafta e eksplozivi në minierë, mijëra euro humbje në ditë
Foto: Laura Hasani

Mungojnë nafta e eksplozivi në minierë, mijëra euro humbje në ditë

Ekonomia March 14, 2024 - 09:55
Borxhet milionëshe, minatorët në Stantërg pa naftë e eksploziv

Ndërmarrja “Trepça” po ballafaqohet sërish më probleme. Në Stantërg, minatorët thonë se tash e gati dy javë nuk janë duke bërë ndonjë punë, krejt kjo në mungesë të naftës e eksplozivit, produkte këto që u duhen për të gërmuar në thellësi. Udhëheqësit e ndërmarrjes, konfirmojnë se kanë borxhe milionëshe, derisa paralajmërojnë se me probleme të tilla do të vazhdojnë të ballafaqohen.

Një nga një po dalin nga 800 metra thellësi, por minatorët e “Stantërgut” tash e gati 2 javë pak punë kanë bërë, dhe jo me fajin e tyre.

Nga fillimi i muajit, ata nuk kanë në dispozicion eksploziv e as derivate të naftës, e si rezultat i mosprodhimit, kanë drojë për vonesa të pagave, problem me të cilin janë ballafaquar shpeshherë.

“Eksploziv nuk ka prej fillimi të muaji, minatorët vinë punë më kohë shkojnë poshtë, vishen edhe e hanë pluhurin, por nuk kanë qa me punu, nuk ka as naftë”, ka thënë Gani Osmani-Minator në “Stantërgut”.

Të shqetësuar me gjendjen janë edhe sindikalistët e kësaj ndërmarrjeje.

“Sot o dita e 13 e nuk po mundet mu realizu puna. Në vazhdimësi në këto vite të pasluftës asnjëherë nuk është marr seriozisht më Minatorët as një qeveri”, ka thënë Fevzi Ademi nga Sindikata e Minatorëve të “Trepçës”.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, ka konfirmuar telashet me mungesat e këtyre dy produkteve të nevojshme, por paralajmëron se problemet, mund të vazhdojnë edhe më tutje.

“Është e vërtetë që kemi mungesë të eksplozivit pasi janë disa obligime të mbetura, na e kemi një fond prej qeverisë dhe besoj që sot na dalin disa mjete, lidhur me naftën, na e kem siguru naftën por komisionin I brendshëm I kanë pasur disa vërejtje dhe kanë mbetur pa u shpërnda. Na I kemi rreth 7 milion euro borxh ndaj furnitorëve dhe derisa nuk e bëjmë një zgjedhje afatgjate ne do të ballafaqohemi me problem”, ka thënë ai.

Problemet e shitjes së koncentratit ishin arsyeja që në muajt e fundit të vitit 2023, punëtorët e kësaj ndërmarrje patën problem më paga, që u bë shkas që ata të futeshin në grevë për më shumë se 10 ditë.