Një delegacion nga FMN-ja vjen në Kosovë, takohet me zyrtarë të BQK-së

Një delegacion nga FMN-ja vjen në Kosovë, takohet me zyrtarë të BQK-së

Ekonomia March 07, 2024 - 14:03

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka pritur sot në takim udhëheqësin e ekipit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në fushën e Menaxhimit të Rrezikut, Gabriel Andrade.

Në këtë takim hyrës, Andrade është njoftuar dhe për kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së, pas zgjedhjes së dy zëvendësguvernatorëve dhe për Strukturën Organizative të BQK-së, e miratuar në fund të vitit të kaluar.

Në njoftim nga BQK-ja thuhet se guvernatori në fillimin e takimit e ka njoftuar udhëheqësin e FMN-së lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, por aty u diskutua edhe për angazhimet e BQK-së, transmeton Zeri.info

“Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar Andrade lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, angazhimet e BQK-së në zbatimin e rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare, avancimet e mëtutjeshme në fushën e Menaxhimit të Rrezikut, dhe orientimin e BQK-së drejt fuqizimit në menaxhimin e rreziqeve tjera, me fokus në rrezikun kibernetik”, thuhet në njoftimin e BQK-së

Tutje thuhet se ky mision ka për qëllim të ndihmojë BQK-në në ndërtimin e kapaciteteve, ngritjen e strukturave të brendshme dhe fuqizimin e funksionit të integruar të menaxhimit të rrezikut, si dhe avancimin e kuadrit rregullator bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ndërkaq gjatë këtij takimi, i pari i BQK-së informoi ekspertin e Misionit të FMN-së edhe mbi politikat e brendshme dhe atë të personelit e Planin e Integritetit të BQK-së.

“Misioni i FMN-së do të qëndrojë tri ditë dhe do të takohet me ekipet dhe personelin e BQK-së në të gjitha nivelet e organizimit të ndërlidhura me menaxhimin e rrezikut”, thuhet në njoftim. /Zëri