Guvernatori i BQK-së takohet me ambasadorin e Suedisë, përmendet edhe rregullorja që ndaloi dinarin

Guvernatori i BQK-së takohet me ambasadorin e Suedisë, përmendet edhe rregullorja që ndaloi dinarin

Ekonomia March 07, 2024 - 10:48

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, takoi ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Në fillim të këtij takimi Ismaili njofton ambasadorin në lidhje me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike e shumë të tjera.

“Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar ambasadorin Westerlund lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA dhe Sistemin Evropian të Pagesave të Shpejta (TIPS)”, thuhet në njoftim.

Guvernatori falënderoi ambasadorin Westerlund për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit suedez për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Në këtë takim u diskutua edhe për progresin drejt digjitalizimit dhe bashkëpunimin potencial në këtë fushë me institucionet suedeze, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me bankën qendrore të Suedisë.

Ndërkaq, përveç kësaj u diskutua edhe lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje të tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së.

Gjithashtu ambasadori u njoftua edhe për kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së, si dhe veprimet për kompletimin e Strukturës Organizative të BQK-së, e miratuar në fund të vitit të kaluar, si edhe diskutohet për sfidat dhe mbështetjen e anëtarësimit në Kartonin e Gjelbër, transmeton Zeri.info

“Pjesë e diskutimit ishin sfidat dhe mundësitë e mbështetjes për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër për automjete, si dhe nevoja për të gjetur mundësitë për listimin e Republikës së Kosovës në platformat botërore të pagesave (PayPal, Apple Pay, Google Pay) dhe Kodin ISO, për të cilën u kërkua mbështetja edhe nga shteti suedez”, thuhet në njoftim.

Westerlundi njoftohet edhe mbi Rregulloren për operacione me para të gatshme, si dhe sqarohet se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, dhe që ajo nuk kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhet nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK-ja.

Ndërsa për fund konstatohet se do të ketë shkëmbime të mëtutjeshme të informacionit me qëllim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet BQK-së dhe institucioneve suedeze në fushat e interesit të përbashkët. /Zëri