FMN-ja paralajmëron depresionin më të thellë ekonomik që nga vitet e '30-ta

FMN-ja paralajmëron depresionin më të thellë ekonomik që nga vitet e '30-ta

Ekonomia April 10, 2020 - 10:25

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia botërore për shkak të pandemisë COVID-19 po përballet me krizën më të rëndë që pas depresionit të madh të viteve të ’30-ta.

Shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha të enjten se po përballen me një krizë të paparë ndonjëherë.

“Ne po konfrontohemi me një krizë të paparë ndonjëherë”, tha shefja e FMN-së pak para fillimit të mbledhjes së pranverës të FMN-së, që sivjet zhvillohet në mënyrë virtuale.

Ajo theksoi, megjithatë, se nuk ka aspak dyshim që do t’i përballojnë sfidat.

Georgieva konsideron si inkurajuese ndihmat financiare të vëna në dispozicion nga qeveritë në mbarë globin, që arrijnë një vlerë prej gjithsej rreth tetë bilionë dollarësh.

Të enjten banka e rezervave në SHBA “Fed” deklaroi një tjetër program emergjence me mbi 2.3 bilionë dollarë. Kësisoj duhet të mbështetet ekonomia, kryesisht ndërmarrjet dhe komunat, vuri në dukje “Fed” në Uashington.

Shefi i Bankës Qendrore, Jerome Powell, deklaroi se ripërtëritja ekonomike duhet “të jetë sa më e fuqishme që të jetë e mundur”.

Të martën e ardhshme (14.04.2020) FMN-ja do të publikojë parashikimet konkrete për ekonominë.

Georgieva tha se këto do të jenë humbjet më të mëdha që pas depresionit të viteve 1930 përpara gati 100 vjetësh.

Para tre muajsh FMN-ja parashikonte për 2020 një rritje të të ardhurave për frymë në më shumë se 160 vende, ndërsa aktualisht parashikohet tkurrje ekonomike në më shumë se 170 shtete të botës.

Pasiguri e madhe

Nëse jeta publike e paralizuar aktualisht në gjysmën e dytë të vitit bashkë me ekonominë do të përjetojnë një hop, atëherë mund të parashikohet një ripërtëritje e pjesshme në vitin 2021. Por ky parashikim është i “lidhur me shumë pasiguri”, vuri në dukje Georgieva. “Mund të ndodhë edhe më keq”. Kjo varet nga kohëzgjatja e pandemisë.

Kriza prek, sipas FMN-së, shtetet më të varfra dhe vendet në zhvillim, që nuk mund të reagojnë si duhet ndaj saj. Këto vende kanë sisteme më të dobëta shëndetësore, më pak depozita në buxhet dhe ndodhen më fort nën presionin e investitorëve. “Gjatë dy muajve të fundit nga portofolat e vendeve në zhvillim janë tërhequr rreth 100 miliardë dollarë – mbi tri herë më shumë se në një krizë ekonomike botërore”.

Georgieva shtoi se së fundi mbi 90 shtete kanë parashtruar kërkesë për financime emergjence dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

FMN-ja mund të japë kredi gjithsej një bilion dollarë, ndërkohë që për financimet e emergjencës llogaritet që kërkesa të jetë rreth 100 miliardë dollarë. FMN-ja ndërkohë po verifikon instrumentet që ka në dispozicion për të mbështetur vendet në nevojë, vuri në dukje shefja e këtij institucioni financiar. Synohet që të hapen linja kredish profilaktike si dhe në disa shtete të varfra të lehtësohen borxhet, në mënyrë që paratë të mundë të derdhen në sistemin shëndetësor. /DW/