Rexhepi: BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive

Rexhepi: BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive

Ekonomia April 08, 2020 - 13:09
Valmire Maliqi/ Prishtinë

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, në një intervistë për “Zërin” ka pohuar se vendimet e këtij institucioni për prolongimin e kthimit të kredive nga kredimarrësit është marrë në përputhje me ligjin.

Sipas tij, nga BQK-ja me kohë janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore. Mirëpo zbatimi i këtyre masave, sipas Rexhepit, është në duart e bankave komerciale individualisht. Megjithatë, ish-guvernatori i BQK-së ka vlerësuar që edhe pse shumë individë dhe biznese që janë goditur nga kjo situatë nuk kanë aplikuar qoftë edhe nga arsyeja e mosinformimit ose mosmundësisë së lëvizjes, bankat komerciale kanë bazë të të dhënave për klientët e tyre e që sipas tij mund të gjejnë mënyrë të përshtatshme për zbatimin e këtij vendimi.

Lidhur me humbjet që ka pësuar së fundmi Fondi Pensional i Kosovës Rexhepi ka thënë që ky nuk është vetëm problem i Kosovës, por një problem global, i cili sipas tij pritet të vazhdojë deri në largimin e kësaj pandemie.

Ndërsa Pakoja Emergjente Fiskale me të gjitha objektivat e përfshira në të, sipas tij, paraqet mundësitë reale që ka buxheti i Kosovës në këtë fazë. Sipas Rexhepit, prioriteti numër një sa i përket kësaj Pakoje është të sigurojë shpenzime të drejtpërdrejta, që lidhen me shëndetin, me mbrojtjen e mirëqenies së njerëzve dhe të familjeve të goditura, të kujdesemi për të sëmurët dhe të ngadalësojmë përhapjen e virusit.

Zëri: A është sqaruar mjaftueshëm procedura rreth prolongimit të kthimit të kredive nga kredimarrësit dhe pse ngurrojnë kaq shumë bankat komerciale për kthimin e tyre?

Rexhepi: Si rezultat i ndërmarrjes së masave për parandalimin e pandemisë COVID-19 dhe shpalljes së emergjencës shëndetësore nga Qeveria e Kosovës, duke i kuptuar vështirësitë me të cilat po ballafaqohen një pjesë e bizneseve dhe e punonjësve, BQK-ja së bashku me institucionet kredidhënëse kanë vendosur për lejimin e një periudhe mospagimi për pagesat e kësteve të kredisë, duke filluar nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe në varësi të zhvillimeve të situatës kjo periudhë mund të zgjatet. Kjo ka për qëllim lehtësimin e barrës financiare për të gjithë huamarrësit, që po hasin në vështirësi të realizimit të të hyrave si pasojë e krizës pandemike. Pezullimi i përkohshëm i pagesave të kësteve të kredisë do të rishikohet rast pas rasti nga bankat, me qëllim që këto përfitime të shkojnë vetëm tek ata të cilët janë prekur nga kriza aktuale. Në rast të miratimit të një kërkese të tillë nga banka interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe asnjë masë e përkeqësimit të vlerësimit të kredisë nuk do të zbatohet për huamarrësit. BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive, të mos kërkojë provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi joperformuese në Regjistrin e Kredive.

Shihet se zbatimi i këtij vendimi varet nga bankat komerciale individualisht. Bankat kanë lejuar një afat deri më 31 mars që bizneset dhe individët të aplikojnë në bankë me kërkesë për shtyrje të pagesës. Nuk kam ndonjë informacion se sa kredimarrës kanë aplikuar dhe sa prej tyre u është aprovuar kërkesa. Besoj se shumë individë dhe biznese që janë goditur nga kjo situatë nuk kanë aplikuar qoftë nga arsyeja e mosinformimit ose mosmundësisë së lëvizjes. Konsideroj se bankat komerciale kanë bazë të fuqishme të të dhënave për klientët e tyre dhe duhet të gjejnë mënyrë të përshtatshme për zbatimin e këtij vendimi. Kjo është edhe në interes të bankave komerciale./ZERI

Lexo edhe Rexhepi: Zbatimi i vendimit për kreditë varet nga bankat komerciale
Ekonomia April 08, 2020