ZRRE dhe Odat ekonomike diskutojnë rreth hapjes të tregut të furnizimit me  energji elektrike

ZRRE dhe Odat ekonomike diskutojnë rreth hapjes të tregut të furnizimit me energji elektrike

Ekonomia March 16, 2020 - 15:53

Përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë takuar sot me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshillit të Investitorëve Evropianë për të diskutuar rrethanat dhe sfidat që do të krijohen, për konsumatorët komercial të kyçur në nivelin e tensionit 35 kV, me hapje e tregut të furnizimit me energji elektrike, përcjell “Zëri.info”.

Përfaqësuesit e Odave kanë kërkuar nga ZRRE që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për shtyrjen e serishme të këtij afati për kohë të pacaktuar deri në krijimin e rrethanave të cilat do të mundësonin liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Ata kanë rikujtuar kërkesat e parashtruar para një viti si dhe vendimin e ZRRE për shtyrjen e afatit për liberalizim për një vit dhe kanë theksuar se përgjatë periudhës së kaluar dymbëdhjetë mujore nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë e cila do të lejonte zbatimin e duhur të akteve ligjore të cilat parashohin liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, respektivisht furnizimin e konsumatorëve komercialë me energji elektrike me tarifa jo të rregulluara. Prandaj kanë kërkuar që ZRRE të ketë në konsideratë kërkesat e komunitetit të biznesit.

Me këtë rast përfaqësuesit e Bordit të ZRRE kanë theksuar se edhe përkundër sfidave që mund të kenë konsumatorët, hapja e tregut është detyrim ligjor dhe do të duhej të ishte në interesin e të gjithëve.

ZRRE ka siguruar se roli i saj në për kujdesin ndaj konsumatorëve do të vazhdoj të jetë i njëjtë edhe në tregun e çmimeve të parregulluara, duke monitoruar të gjithë furnizuesit dhe duke u siguruar se po respektohen rregullat e tregut dhe konsumatorëve ju ofrohen shërbime të duhura pa diskriminim./ZËRI