Lekaj: Vendimi për anulimin e kontratës për 'Bechtel & Enka', i pamatur

Lekaj: Vendimi për anulimin e kontratës për 'Bechtel & Enka', i pamatur

Ekonomia March 13, 2020 - 09:56
Anulimi i tenderit për konsorciumin “Bechtel & Enka” mund ta dërgojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit. Kjo drojë është shprehur nga njohësit e çështjeve ekonomike, të cilët kanë shprehur shqetësimin se buxheti i vendit mund të dëmtohet shumë rëndë në rast se kompania turke ka qenë e rregullt në procedurat e tenderimit, shkruan sot gazeta Zëri.

Javën e kaluar qeveria “Kurti” ka vendosur për ta anuluar vendimin e qeverisë “Haradinaj” për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”. Gjatë mbledhjes së Qeverisë u propozua që të mos vazhdohet edhe më tutje kontrata me konsorciumin turk. Megjithatë sipas njohësve të rrethanave ekonomike kjo çështje është parë me shqetësim, pasi në rast se kompania në fjalë ka qenë në rregull me procedurat e tenderimit, atëherë çështja mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas tyre, në rast se ndodh një gjë e tillë, Kosova do të humbë më shumë para sesa ka qenë e paraparë shuma e kontratës.

Në ndërkohë ministri i Infrastrukturës dhe i Ambientit, Lumir Abdixhiku, duke e shtjelluar vendimin e Qeverisë për ta shkëputur kontratën me “Bechtel & Enka”-n potencoi se qëllimi është shpëtimi i 49 milionë eurove për ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”. “Kostoja e prezantuar nga ‘Bechtel & Enka’ ka vlerë prej 49.6 milionë eurosh. Kjo kontratë ende nuk është nënshkruar dhe ne si Ministri e Infrastrukturës kërkojmë që ky vendim të shfuqizohet”, tha ai.

Ai pohoi se kjo kompani për çdo muaj kërkon nga Ministria 1.18 milion euro edhe pse në mes të tyre nuk ka një marrëveshje të nënshkruar.

Vendim të pamatur dhe që shkon në dëm të qytetarëve e ka cilësuar Pal Lekaj, ministër gjatë kohës kur u nënshkrua marrëveshja me kompaninë “Bechtel & Enka”, vendimin e fundit të qeverisë “Kurti” për anulimin e kontratës për këtë kompani.

“Vendimi për anulim të ndërtimit të kyçjeve dhe të mbikalimit është vendim i pamatur dhe që shkon në dëm të qytetarëve e të bizneseve të Ferizajt, të Vitisë dhe të Elez Hanit. Ato investime duhet të ndodhin me të njëjtin standard sikur edhe autostrada, ndryshe çdo lëshim mund të shkaktojë rrezik në zhvillimin e trafikut rrugor dhe rrjedhimisht rrezikim të jetës së qytetarëve”, ka thënë Lekaj për “Zërin”.

Sipas tij, Kosova nuk mund të marrë vendime arbitrare pa analiza të duhura.

“Kosova nuk e ka luksin të marrë vendime arbitrare pa i bërë analizat e duhura dhe pa i gjetur zgjidhjet e alternativat. Nuk mund të thuash se shpëtuam buxhetin (duke gënjyer qytetarët me shifra imagjinare), duke marrë vendime të njëanshme. Njëjtë situatën e kanë lënë edhe në vitin 2017, duke mos ditur të menaxhojnë situatën me kontraktuesit”, ka thënë ndër të tjera Lekaj.

Ish-ministri i Infrastrukturës paralajmëroi se së shpejti do të shihen pasojat e vendimeve të pamatura të qeverisë aktuale.

“Nuk e di se si do të trajtohet tutje kjo çështje nga kompania dhe nga Ministria, por rregullat janë të qarta në kontratën bazë dhe të gjitha përgjegjësitë janë mbi Qeverinë e Kosovës, e cila edhe ashtu nuk është se ka ndonjë ide se çka do të bëjë tutje. Kjo Qeveri është duke demoluar gjithçka çka është ndërtuar mirëfilli deri më tani në bashkëpunim edhe me miqtë tanë. E vërteta e vendimeve të pabazuara dhe pasojat e vendimeve të qeverisë ‘Kurti’ do të shihen shumë shpejt”, ka thënë Lekaj për gazetën. /ZERI

Lexo edhe Lamtumirë “Bechtel & Enka”, droja nga Arbitrazhi
Ekonomia March 12, 2020