ATK në aksion për parandalimin e shmangieve tatimore

Ekonomia November 15, 2018 - 16:18
Lexo detajet!

Departamenti për Hetimet Tatimore dhe Inteligjencë, që vepron në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, me autorizim të prokurorit të rastit dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar të enjten një aksion në funksion të parandalimit të shmangies tatimore.

Në këtë aksion të zhvilluar në një lokacion në qytetin e Fushë Kosovës, ATK ka kryer bastisje tek një subjekt afarist, i cili dyshohet se vazhdimisht ka lëshuar fatura dhe ka bërë transaksione të dyshimta.

Nga këto veprime ilegale kanë përfituar shumë biznese, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës.

I gjithë aksioni është zhvilluar nën asistimin e Policisë së Kosovës, dhe në koordinim me prokurorin e rastit, thuhet në komunikatën e Administratës Tatimore të Kosovës, përcjellë Klan Kosova.

Vetëm gjatë periudhës janar-tetor 2018 Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, ka zhvilluar 265 aktivitete në funksion të parandalimit të shmangieve tatimore,ku janë bastisur 17 lokacione, ku vlera e shmangieve tatimore llogaritet të jetë 7 milionë euro.