Ndërtimi i rrugës që lidh 18 fshatra nuk përfundon sivjet

Ekonomia November 13, 2018 - 08:37
Lexo Detajet
Image

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka konfirmuar se dy projektet më të rëndësishme të financuara nga Ministria e Infrastrukturës (MI), projekti i zgjerimit të rrugës Nedakovc – Vushtrri – Smrekovnicë dhe ai i ndërtimit të rrugës Bukosh – Gllavotin, që lidh 18 fshatra të Artakollit e deri në Obiliq dhe në Prishtinë dhe 9 fshatra të tjera të këtyre komunave janë buxhetuar për vitin 2019, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tahiri ka pasur një takim me ministrin e Infrastrukturës Pal Lekajn të enjten, me të cilin përveç për këto dy projekte ka biseduar edhe për disa projekte të tjera, që janë duke u realizuar në komunën e Vushtrrisë. “Kam biseduar me ministrin Lekaj për projektet e planifikuara nga Ministria e Infrastrukturës, që janë duke u realizuar më me sukses në Vushtrri, siç është zgjerimi i rrugës Nedakovc – Vushtrri dhe rruga Bukosh – Gllavotin, realizimi i të cilave do të lehtësojë jetën e qytetarëve. Fatmirësisht këto dy projekte janë buxhetuar për vitin 2019. Me ministrin Lekaj kam biseduar edhe për disa projekte të tjera, për të cilat ka nevojë komuna e Vushtrrisë dhe kam kërkuar nga ai që këto projekte të përkrahen nga MI-ja. Problemi më i madh, jo vetëm për qytetarët e komunës së Vushtrrisë, është rruga që është duke u ndërtuar Bukosh – Gllavotin, e cila lidh 18 fshatra të Artakollit. Për shkak të ngecjeve të mëdha banorët e këtyre fshatrave kanë protestuar duke bllokuar autorrugën Prishtinë – Mitrovicë, në Pestovë dhe kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që shtresën e parë të asfaltit t’ia vënë kësaj rruge deri në fund të këtij viti”, ka thënë ai.

Tahiri përkrah banorët

Kryetari Xhafer Tahiri i ka përkrahur banorët, të cilët edhe janë kërcënuar se nëse kjo nuk ndodh, atëherë protesta e tyre do të zhvendoset para Qeverisë së Kosovës. Punët në këtë rrugë, të cilat kanë filluar në prill të këtij viti, janë zvarritur tej mase, ndërkohë që rruga është shndërruar në gropa e pluhuri, është bërë pengesë e madhe për banorët e shtëpive në afërsi dhe për ata që kalojnë rrugës. Vonesat e mëdha në ndërtimin e rrugës janë bërë për shkak të mungesës së fondeve ndonëse Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.9 milion euro për ndërtimin e kësaj rruge. Kjo rrugë, e cila njihet si rruga alternative Mitrovicë - Prishtinë dhe e cila lidh 27 fshatrat të Vushtrrisë, të Obiliqit dhe të Prishtinës, ka filluar të ndërtohet në fund të prillit të këtij viti. Përveç trasesë dhe shtrimit me zhavorr punët tjera nuk janë kryer, ndërsa në fazën e parë, siç thonë banorët, ishte paraparë të vihet një shtresë e asfaltit. Qeveria e Kosovës ndërtimin e kësaj rruge, të gjatë 18 kilometra, e ka mbështetur me 2 milionë euro. Më saktësisht projekti i rrugës 18-kilometërshe Bukosh – Gllavotin ka koston prej 1.9 milion eurosh dhe këto mjete janë siguruar nga Qeveria e Kosovës. Për këtë rrugë dhe për disa projekte të tjera infrastrukturore Tahiri ka marrë mbështetje edhe nga ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës Pal Lekaj dhe kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe pavarësisht premtimeve dhe përkrahjes së dy njerëzve më të fuqishëm në Qeverinë e Kosovës për infrastrukturën rrugore projekti i rrugës “R220” është përcjellë me zvarritje dhe me vonesa të mëdha pikërisht për shkak të mungesës së mjeteve.

Tahiri: Shpresoj se MI-ja do të sigurojë mjete për ta përfunduar fazën e parë

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë se nuk ndihet rehat derisa banorët e fshatrave të Artakollit përballen me problemin e rrugës, e cila ka filluar të ndërtohet, por që në mungesë të mjeteve punët kanë ngecur. “Shpresoj se MI-ja do të sigurojë mjete për ta përfunduar fazën e parë, që do të thotë vënia e shtresës së parë të asfaltit”, thotë Tahiri, i cili ka siguruar qytetarët e Vushtrrisë se do të realizohen edhe një varg projektesh të tjera që do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ai ka përmendur ndriçimin e rrugëve në qytet, eliminimin e problemit të përhershëm të qenve endacakë, ndërtimin e një kopshti fëmijësh për vitin që vjen, rregullimin e rrugës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, e cila pritet të rinovohet deri në fund të këtij viti, reformat në shëndetësi dhe projektin me të rëndësishëm, siç tha kryetari Tahiri, projekti i ndërtimit të stacionit të autobusëve, që do të nisë të ndërtohet në vitin 2019. Tahiri tha gjithashtu se do të ndërtohet një shkollë e muzikës, për herë të parë në Vushtrri, duke përkrahur në mënyrën më të mirë komunitetin artistik të komunës. Problemi më i madh i Komunës së Vushtrrisë pa dyshim ka qenë dhe është stacioni i autobusëve, të cilin e ka menaxhuar Agjencia Kosovare e Privatizimit, por kur i është dorëzuar Komunës së Vushtrrisë në menaxhim AKP-ja nuk kishte treguar për problemin me ish-pronarët e tokës ku ka qenë i ndërtuar objekti i stacionit të autobusëve, kështu që e tërë lënda kishte shkuar në gjykatë. 4 milionë euro janë vlerësuar borxhet që AKP-ja ia kishte lënë Komunës së Vushtrrisë, gjë që Komuna nuk ka mundur t’i përballojë. Në këtë situatë gjykata kishte vendosur pro kërkesëpadisë së ish-pronarëve të tokës. Ishte bërë edhe një marrëveshje në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe ish-pronarëve dhe si rezultat prona u është kthyer pronarëve, të cilët menjëherë kanë rrënuar ish-objektin e stacionit të autobusëve./ZERI