Për nëntë muaj “Bechtel & Enka” mori 101 milionë euro

Ekonomia November 06, 2018 - 07:43
Lexo Detajet
Image

Konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”, që është duke e ndërtuar autostradën Prishtinë – Hani i Elezit nga fillimi i këtij viti e deri në fund të muajt shtator, nga buxheti i Kosovës për punët që ka bërë ka marrë hiç më pak se 101 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në raportin nëntëmujor të buxhetit të Ministrisë së Financave shihet se gjatë vitit 2018 konsorciumi në fjalë nga buxheti i shtetit në total do të marrë 116 milionë e 900 mijë euro, ku përveç mjeteve që janë paguar atyre u është zotuar edhe pagesa e 14.2 milionë eurove tjera. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se deri në fund të muajit shtator Ministria e Infrastrukturës ka shpenzuar 153 milionë euro nga 294 milionë euro sa ka paraparë t’i shpenzojë sivjet për projekte kapitale.

Shpenzohen vetëm 2 milionë për rrugën Prishtinë - Pejë

Më tutje në raportin e MF-së thuhet se për projektin “Zgjerimi, rehabilitimi i magjistrales Prishtinë - Pejë” sivjet janë paraparë të shpenzohen 39 milionë e 795 mijë euro, por deri në fund të muajit shtator të këtij viti për këtë projekt janë shpenzuar vetëm 2 milionë euro ose 5 për qind e buxhetit të paraparë për këtë qëllim. Po ashtu gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti thuajse ka pasur pak progres edhe në realizimin e projektit për “Zgjerimin, rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë - Mitrovicë”, ku nga 17.4 milionë euro të parapara janë shpenzuar vetëm 3.3 milionë euro ose 19 për qind e buxhetit të paraparë për këtë projekt. Po ashtu duke u bazuar në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave shihet se sivjet për rehabilitimin e rrugëve rajonale Ministria e Infrastrukturës kishte paraparë t’i shpenzojë 10 milionë euro, por për nëntë muajt e para të këtij vit për këtë qëllim nuk e ka shpenzuar asnjë cent.

Shumë projekte të parealizuara

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se për shumë projekte, të cilat janë paraparë të realizohen sivjet deri në fund të muajit shtator të këtij viti nuk është shpenzuar asnjë cent. Në raportin nëntëmujor të MF-së thuhet se për ndërtimin e rrugës Dollc - Gjakovë sivjet janë paraparë të shpenzohen 8.5 milionë euro e derisa deri në fund të muajit shtator të këtij viti për këtë projekt nuk është shpenzuar asnjë cent. Po ashtu, edhe për ndërtimin e qarkores në Gjakovë sipas raportit të buxhetit janë paraparë të shpenzohen 2 milionë euro, por edhe për këtë projekt deri në fund të periudhës raportuese nuk është shpenzuar asnjë euro. Po ashtu për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit sipas të dhënave të Ministrisë së Financave janë paraparë të shpenzohen 10 milionë euro, por edhe për këtë projekt deri në fund të muajit shtator nuk është shpenzuar qoftë një euro e vetme.

Projektet e vogla realizohen në tërësi

Por derisa realizimi i projekteve të mëdha ka ngecur, një numër i madh i projekte të vogla sipas të dhënave të prezantuara në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave shihet se janë realizuar në tërësi, siç është rehabilitimi i rrugës Viti - Letnicë ku për këtë projekt janë paraparë të shpenzohen 200 mijë euro e ku deri në fund të muajit të nëntë të këtij viti shihet se këto mjete janë shpenzuar në tërësi. Po ashtu sipas të dhënave zyrtare shihet se edhe projekti “Zgjerimi, ngritja e sistemit të aterrimit në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’” po shkon sipas dinamikës së paraparë ku prej 2.4 milionë eurove të parapara për këtë projekt deri në fund të periudhës raportuese, respektivisht në fund të muajit shtator të këtij viti janë shpenzuar 1.5 milion euro ose 73 për qind e buxhetit e paraparë për këtë projekt

1.1 milion euro për mirëmbajtjen e autostradës

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se për mirëmbajtjen e autostradës Morinë – Merdare sivjet janë paraparë të shpenzohen 1.1 milion euro dhe deri në fund të muajit shtator për këtë qëllim janë shpenzuar 96 për qind e buxhetit të paraparë për këtë qëllim. Po ashtu i tërë buxheti brenda nëntëmujorit të parë të këtij viti është shpenzuar edhe për realizimin e projektit “Zgjerimi i rrugës nacionale Suharekë - Korishë” dhe për punët e bëra nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 352 mijë euro. Po ashtu 389 mijë euro nga 476 mijë sa janë paraparë me buxhet janë shpenzuar edhe në realizimin e projektit tjetër për zgjerimin e rrugës rajonale Magurë - Lipjan.