Institucionet mbi 15 milionë euro shpenzim për vetura luksoze

Ekonomia October 27, 2018 - 08:32
Image
Image

Miliona euro para të taksapaguesve kosovarë edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për blerjen e veturave dhe të xhipave luksozë për nevoja të institucioneve qendrore dhe të atyre lokale në vend. Vetëm gjatë 12 muajve të fundit, respektivisht nga fundi i tetorit të vitit që lamë pas, Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), institucion ky i cili organizon prokurime të centralizuara në emër të të gjithë institucioneve që marrin para nga buxheti i shtetit, ka nënshkruar kontrata në vlerë prej më shumë se 10.4 milionë eurosh për marrje me qira të rreth 500 automjeteve gjatë 60 muajve të ardhshëm. Mirëpo numri i kërkesave për vetura me qira është duke u rritur nga dita në ditë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Burime të gazetës “Zëri” brenda AQP-së bëjnë të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës ka kërkuar që numrin e automjeteve ta rritë për 30 për qind. Po ashtu numër shtesë të automjeteve të reja ka kërkuar edhe Ministria e Infrastrukturës. Edhe Ministria e Tregtisë përveç automjeteve që ka marrë deri më tash ka kërkuar edhe 8 tjera shtesë për nevoja të stafit të MTI-së.

Edhe zyra e kryeministrit të Kosovës, sipas të dhënave që ka siguruar gazeta, shihet se përpos veturave që ka marrë me qira deri më tash kanë kërkuar edhe 2 xhipa luksozë shtesë. Tetë xhipa po ashtu nga Agjencia Qendrore e Prokurimit i ka kërkuar edhe koordinatori Rexhep Hoti. Po ashtu në numër më të vogël automjete me qira kanë kërkuar edhe shumë institucione qendrore, lokale, por edhe ato të pavarura që operojnë ne vendin tonë.

MST: Nënshkruhet kontrata për blerjen e 46 xhipave

Në bazë të dokumenteve të siguruara shihet se në fillim të këtij muaji Agjencia Qendrore e Prokurimit ka nënshkruar tenderin për furnizim me 46 xhipa dhe vlera totale e kontos, e cila është e ndarë në dy lote, është 942 mijë euro. Në lotin e parë janë paraparë të blihen 33 xhipa e çmimi për njësi është 17 mijë e 990 euro, derisa në total vlera e lotit të parë është 593 mijë e 670 euro. Derisa në lotin e dytë të këtij tenderi janë paraparë të blihen 13 xhipa e çmimi për njësi është 26.828, derisa vlera totale e lotit të dytë është 348.771 euro. Mirëpo një tender tjetër për blerje të veturave të reja po ashtu është në proces të vlerësimit nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, derisa një tjetër i Policisë rreth 3 milionë euro për këtë qëllim një herë është anuluar e tash pritet të rishpallet sërish. Në tenderin e fundit të AQP-së ofertat e të cilit janë hapur më 25 tetor shihet se për lotin 1 janë paraparë të blihen 12 automjete. Në bazë të dokumenteve të siguruara shihet se për këtë lot ka aplikuar vetëm një kompani, e cila ka ofruar çmim total prej 357 mijë e 600 eurosh. Për lotin e dytë në të cilin parashihet të blihen 7 vetura kanë aplikuar dy operatorë ekonomikë, njëri me çmim prej 226 mijë eurosh, derisa tjetri 285 mijë euro. E për lotin e tretë ofertat e të cilit nuk janë hapur ende është paraparë të shpenzohen hiç më pak se 84 mijë euro. Mirëpo burime të besueshme të gazetës “Zëri” thonë se një shumë e përafërt e mjeteve, siç është shpenzuar sivjet për blerje të veturave të reja, parashihet të shpenzohet edhe gjatë vitit që vjen pasi institucionet lokale dhe ato qendrore në vend në vazhdimësi po rrisin kërkesat për blerje të veturave të reja. Duke u bazuar në dokumentet e siguruara nga AQP-ja shihet edhe se para pak kohësh është anuluar tenderi i Policisë për blerje të veturave të reja e për këtë qëllim ishin paraparë të shpenzohen rreth 2.7 milionë euro. Sipas burimeve, tenderi në fjalë pritet të shpallet në ditët në vijim ose nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, ose nga vetë zyra e prokurimit e Policisë së Kosovës.

Paralajmërohet diskutimi i “çështjes” në Komisionin për Buxhet dhe Financa

Për shpenzimin e miliona eurove nga buxheti shtetëror në marrjen me qira të veturave për institucionet përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa po kërkojnë nga Qeveria të jetë më e vetëdijshme në realizimin e politikave për shpenzimin e mjeteve buxhetore. Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjoj, në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” ka kërkuar një analizë të detajuar sa i përket kësaj çështjeje. “Qeveria duhet të jetë e vetëdijshme të bëjë politika për shpenzimin e mjeteve me efikasitet dhe efiçiencë. Këtu ka qenë mirë të bëhet një analizë, sa kanë qenë shpenzimet për vetura në momentin kur ata nuk i kanë marrë këto vetura me qira dhe a është vlera e shpenzimeve pasi janë marrë këto vetura me qira?”, është shprehur ajo. Hadërgjonaj ka paralajmëruar se të njëjtën çështje do ta adresojnë në komisionin që përfaqëson. “Këtu ka nevojë për hulumtim, për analizë të mirëfilltë dhe për të parë se si është çështja. Ne kemi interesim, ndoshta do të merremi me këtë problematikë si komision, sepse kemi interesimin që mjetet buxhetore të shfrytëzohen me efikasitet dhe me efiçiencë dhe jo ku munden individët e caktuar t’i shpenzojnë mjetet”, ka shtuar në mes tjerash.

Në anën tjetër monitoruesit e shpenzimeve buxhetore nuk arsyetojnë assesi faktin që Qeveria të kërkojë vetura luksoze me paratë e taksapaguesve kosovarë. Të paktën kështu është shprehur menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi-Krasniqi, e cila edhe ka monitoruar për së afërmi këto shpenzime. “Nuk ka asnjë arsye që Qeveria të kërkojë vetura luksoze përpos për delegacione të veçanta, veturat edhe ashtu janë me qira, të cilat mund të merren dhe të kthehen, por edhe nëse e marrin me afat të gjatë. Mirëpo nuk e shoh të arsyeshme kur merren vetura luksoze për ministri të ndryshme me kusht: ngjyra, dizajni këto janë produkte të luksit që njeri i kërkon me para të veta, por jo produkte të funksionalitetit që paguhen me para të popullit”, ka sqaruar për gazetën “Zëri” Metushi-Krasniqi.

Lajqi: Keqpërdorimi i institucioneve tona

Kërkesën e institucioneve për marrjen e veturave me qira po e konsideron si të panevojshëm edhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa nga radhët e Vetëvendosjes, Ali Lajqi. Për gazetën “Zëri” Lajqi i ka quajtur këto kategorizime si keqpërdorime buxhetore dhe të papërgjegjësisë nga ana e institucioneve. Kjo hyn në kuadër të keqpërdorimeve buxhetore, të korrupsionit dhe të papërgjegjësisë. Janë këto kategorizime që po vazhdojnë të jenë në kuadër të menaxhimit të buxhetit, madje edhe të funksionimit të institucioneve tona. Kjo vazhdon të jetë si e tillë pavarësisht deklarimeve se do të mundë të ndalen në kuadër të një menaxhimi të keq, të pakontrolluar dhe të papërgjegjshëm të institucioneve tona”, ka pohuar Lajqi. Më tej ai ka shtuar se këto çështje të menaxhimit nuk janë adekuate dhe racionale. “Kjo është çështje e menaxhimeve që nuk janë adekuate, nuk janë të mira, s’janë racionale dhe është keqpërdorim. Sigurisht se dëmtohet edhe buxheti se janë destinime buxhetore, të cilat janë keqpërdorur dhe kanë dalë jashtë normave, jashtë planeve”, ka përfunduar Lajqi.