Serbia siguron edhe 6 milionë euro për ujësjellësin në veri

Ekonomia October 19, 2018 - 08:16
Lajmet e fundit nga vendi
Image

Sipas kryetarit paralel të Mitrovicës Aleksandër Spiriq 6 milionë euro, të cilat i ka premtuar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës në veri të Mitrovicës, janë siguruar. Ai ka premtuar se projekti i ujësjellësit për komunat veriore do të përfundojë deri më 20 korrik 2019. Për ujësjellësin rajonal në veri qeveria serbe deri më tani ka paguar mbi 11 milionë euro, çka e bën këtë projekt me koston më të lartë, 17 milionë euroshkruan sot gazeta "Zëri".

Pas gati më shumë se 5 vjetësh prejse ka filluar ndërtimi i ujësjellësit për komunat veriore të Kosovës projekti i ujësjellësit rajonal në veri, për të cilin Qeveria e Serbisë ka paguar deri më tani 11 milionë euro, do të përfundojë deri më 20 korrik 2019. Kështu të paktën ka deklaruar kryetari paralel i Mitrovicës, Aleksandër Spiriq. Ai ka bërë të ditur në një konferencë me gazetarë në veri të Mitrovicës se janë siguruar edhe 6 milionë euro mjete për ta përfunduar projektin. Qeveria e Serbisë deri më tani ka paguar 11 milionë euro për këtë projekt, ndërsa edhe me 6 milionë euro të reja projekti do të këtë kosto shumë të lartë, 17 milionë euro.

LEXO EDHE: Biznesmeni Destani propozon themelimin e odës së diasporës

“Në Beograd është nënshkruar anekskontrata në mes të tria komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok dhe kompanisë ‘Jedinstvo’ nga Uzhica për vazhdimin e realizimit të projektit të filluar të ujësjellësit rajonal në veri, i cili përfundimisht do ta zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijes të komunave veriore. Përfundimi i punëve është paraparë deri më 20 korrik 2019 sipas principit ‘çelësi në dorë’. Mjetet financiare për vazhdimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal i ka siguruar qeveria e Republikës së Serbisë dhe ky është një tregues se presidenti Aleksandër Vuçiq përkujdeset për popullin serb të Kosovës dhe përpiqet maksimalisht të krijojë kushte për një jetë më të mirë. Krejt çfarë ka premtuar presidenti është përmbushur”, kanë deklaruar kryetarët e komunave veriore të Kosovës pas nënshkrimit të anekskontratës.

Punët kryhen më 20 korrik 2019

Ndërkaq kryetari i Organit të Përkohshëm të Mitrovicës, Aleksandër Spiriq, ka ripërsëritur se 6 milionë euro, të nevojshme për ta përfunduar ndërtimin e ujësjellësit rajonal për komunat veriore, që është duke u ndërtuar në Zubin Potok, tashmë janë siguruar dhe për këtë falënderon mes të tjerash edhe drejtorin e Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

“Duke iu falënderuar Qeverisë, drejtorit të Zyrës për Kosovën, 6 milionë euro të premtuara janë siguruar. Ne kemi marrë premtimin edhe nga realizuesi i projektit, si dhe nga organi mbikëqyrës se deri në fund të kësaj jave makinat do të vihen në funksion. Do të punohet me dinamikë të përshpejtuar, në mënyrë që deri në afatin e dhënë (20 korrik 2019) punët të përfundojnë”, ka deklaruar Spiriq në konferencën me gazetarë në veri të Mitrovicës. Ndryshe, dy komunat veriore Mitrovica e Veriut dhe Zveçani edhe më tutje furnizohen me ujë nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës dhe për ujin e harxhuar nuk paguajnë asnjë cent. Madje edhe kur ka prishje në jug ata alarmojnë menjëherë të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare, madje edhe Zyrën e BE-së në Kosovë me kërkesën që uji të mos u ndalet kurrë.

Në 13 milionë euro kanë arritur borxhet e serbëve të veriut të Kosovës për ujin e shpenzuar. Në vitin 2011 serbët e veriut nuk kishin pranuar fare të kenë punë me jugun sa i përket ujit të pijshëm, pasi me qeverinë e Serbisë ishin pajtuar ta ndërtojnë ujësjellësin rajonal në veri në një fshat të Zubin Potokut, për të cilin tri komunat veriore kishin hyrë në borxh te një bankë në Serbi, 9 milionë euro. Sipas një hulumtimi që është bërë dhe të cilin e kanë përcjellë mediet serbe, punët në ndërtimin e ujësjellësit rajonal në veri kanë kushtuar 11 milionë euro, të paktën këtë shumë shteti i Serbisë ia ka paguar “Hypo Alpe Adrian Banke” si garantuese e kredisë për tri komunat veriore.

Për ndërtimin e ujësjellësit tri komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku, kishin marrë 9 milionë euro kredi te “Hypo Alpe Adrian Banke”, ndërsa kishte garantuar Republika e Serbisë. Tenderi për realizimin e projektit ishte nënshkruar në kohën kur kryeministër ishte Ivica Daçiq, ndërsa në aktin e nënshkrimit të kontratës merrte pjesë edhe Aleksandër Vulin, atëherë drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, i cili kishte siguruar se ujësjellësi rajonal në veri do të përfundojë për 18 muaj.

Ankohen për keqpërdorime

Më 10 prill 2018 qeveria e Serbisë, si garantuese, paguan këstin e fundit të kredisë të tri komunave veriore të Kosovës (9 milionë euro), pasi tri komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku dhe Zveçani, kishin njoftuar Ministrinë e Financave në qeverinë e Serbisë se nuk mund ta paguajnë kredinë për mjetet që kanë marrë nga “Hypo Alpe Adria Banke” për ujësjellësin rajonal në veri, andaj qeveria serbe ishte detyruar të paguajë edhe kamatën gati 2 milionë euro.

Në veri të Mitrovicës flasin për një “plaçkitje patriotike”, siç thonë ata, ndërsa gjithë këtë e lidhin me Aleksandër Vulinin, për të cilin thonë se është keqpërdorues i madh i mjeteve të Zyrës për Kosovën dhe se ai kishte blerë banesë në Beograd me paratë që janë dhënë për kamerat e sigurisë së Zveçanit derisa ai ndodhej në postin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës thonë se për të qartësuar këtë punë është interesuar edhe vetë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Por tani kur Qeveria serbe siguron edhe 6 milionë euro të tjera për ujësjellësin për veriun, që është duke u ndërtuar në Zubin Potok, shihet qartë se të gjitha keqpërdorimet që janë bërë me mjetet e ujësjellësit rajonal për veriun kanë mbetur në harresë.