Tërheqja e BB-së rrezikon projektin për ndërtimin e 'Kosovës së Re'

Ekonomia October 12, 2018 - 07:59
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Tërheqja e Bankës Botërore nga financimi i termocentralit “Kosova e Re” nuk do të ndikojë asgjë në realizimin e projektit. Të paktën kështu janë shprehur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE). Në këtë institucion kanë deklaruar se projekti do të finalizohet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Deklarimet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) se termocentrali “Kosova e Re” do të finalizohet patjetër pavarësisht kundërshtimeve të Bankës Botërore po i mohojnë ekspertët e ekonomisë.

Ata po paralajmërojnë kosto të lartë të huamarrjes, të cilën taksapaguesit do të detyrohen ta paguajnë përmes shtrenjtimit të rrymës ose buxhetit shtetëror.

LEXO EDHE: Serbia në ofanzivë për 'çnjohjet' e Kosovës

Por, përfaqësuesit e MZHE-së shprehen të bindur se projekti do të finalizohet për të arritur sigurinë e furnizimit me energji.

“Projektin e TC ‘Kosova e Re’ do ta finalizojmë, sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit. Ne do të avancojmë me projekte alternative nga burimet e ripërtërishme, por nuk mund dhe as nuk guxojmë të eksperimentojmë me sigurinë energjetike të vendit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë për gazetën “Zëri”.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë Hekuran Murati në një prononcim për gazetën “Zëri” ka sqaruar në detaje barrën buxhetore që pritet t’i shtohet shtetit pas kësaj tërheqjeje.

“Tërheqja e Bankës Botërore për mendimin tim vetëm sa e konfirmon faktin se ky projekt është skajshmërisht i pafavorshëm për vendin tonë. Realizimi i këtij projekti me këto kushte financiare që janë negociuar do të ndikonte në thellimin e varfërisë në vend, gjë që bie ndesh me synimet e Bankës Botërore. Për sa i përket barrës për buxhetin, kjo tërheqje tërthorazi ndikon në rritjen e barrës. Tani që Banka Botërore është tërhequr kostoja e huamarrjes do të jetë më e lartë e këtë kosto duhet ta paguajmë ne, qoftë përmes shtrenjtimit të rrymës, qoftë përmes buxhetit”, ka shpjeguar Murati.

Ndryshe nga Murati janë shprehur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Në këtë institucion kanë treguar se kompania amerikane “Contour Global” është në rrugë të drejtë të sigurimit të këtij projekti nga burime të ndryshme, duke përfshirë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

“Njëri ndër projektet më të rëndësishme të Kosovës është edhe termocentrali ‘Kosova e Re’. Këtë projekt e kemi filluar me mbështetjen e madhe dhe të pakursyer të partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë, andaj këtë projekt do ta finalizojmë duke i ndjekur dhe duke i përmbushur të gjitha rregullat dhe direktivat ndërkombëtare”, janë shprehur më tej në Ministri.

Mustafa: Projekti, i shtrenjtë pa përkrahjen e Bankës Botërore

Paralajmërimet se projekti do të dalë më i shtrenjtë pa përkrahjen e Bankës Botërore i kanë përmendur edhe ekspertët e sektorit të ekonomisë.            

                                       

Muhamet Mustafa, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka treguar se me këto tërheqje do të çrregullohet tërësisht rrjedha e termocentralit.

“Nëse ky është një konfirmim definitiv i BB-së për tërheqje nga projekti për ‘Kosovën e Re’, ky është një moment i ri që çrregullon rrjedhën etj. Pa komponentin e kredisë së BB-së projekti me investitorin aktual do të dilte tepër i shtrenjtë dhe në këtë rast, duke marrë parasysh edhe disa momente të tjera kritike të tij, duket se do të duhet një rishqyrtim i tërësishëm i tij deri te kërkimi i alternativave të reja për formësimin dhe realizimin e tij”, ka thënë Mustafa. Ai ka treguar edhe rrugën për lehtësimin e kostos financiare, duke përmendur intervenimet e sistemeve energjetike Kosovë - Shqipëri, që sipas tij do të arrihej një përpjesëtim i mirë midis burimeve në ujë dhe atyre në thëngjill.

“Nëse do të analizonim rrjedhën e përgatitjes dhe të realizimit të këtij projekti, që nga viti 2005, me baticat dhe zbaticat e tij, ky është një rast tipik studimi se si nuk duhet të udhëhiqen dhe zbatohen projektet e mëdha me rëndësi strategjike dhe me implikime të shumëfishta sekondare e terciare. Një rast për t’u studiuar, por edhe për të mësuar nga gabimet për të mos i përsëritur më”, ka përfunduar eksperti i ekonomisë.                                                

Lajmi se Banka Botërore nuk do ta përkrahë financiarisht ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” u bë publik para dy ditësh. Konfirmimin për një tërheqje të tillë financiare e bëri drejtori i Bankës Botërore, Jiim Young Kim. Publikisht u tha se Banka Botërore nuk do të përkrahë asnjë investim me qymyr dhe zyrtarisht tërhiqet prej financimit të mundshëm “Kosova e Re”.

Përfaqësuesit e Qeverisë: Nuk tërhiqemi nga projekti

Këmbënguljen për ta finalizuar ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” e kanë ritheksuar edhe përfaqësuesit e Qeverisë.                        

                                                         

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit, i ka thënë gazetës “Zëri” se nuk tërhiqen dot nga realizimi i projektit, derisa nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Termocentrali të ndërtohet me para të buxhetit.

“Ne nuk do të tërhiqemi në asnjë mënyrë, do të realizojmë projektin, por nëse ky variant i burimit të financimit nuk funksionon ne do të gjejmë forma të tjera, kemi alternativa që e garantojnë realizimin e projektit. Ne duhet të diskutojmë, të përcaktohemi për to, kur zyrtarizohet qëndrimi i BB-së ne marrim një qëndrim tjetër dhe vendosim në cilën alternativë të përcaktohemi”, ka paralajmëruar Shatri.

Buxhetin prej 1 miliard e 300 milionë eurove e konsideron opsion ndihme.

“Nuk është e pamundur që projekti të realizohet përmes buxhetit se 1 miliard e 300 milionë kemi financuar projekte të kësaj madhësie deri tash autostradat, që janë gati ngarkesë e buxhetit. Nuk do të thotë që nuk mundemi ose pjesërisht, ose diçka ashtu”, ka potencuar ai.                        

                                                                                                                  

Projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” u cilësua në vazhdimësi si projekti më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.                      

                                         

Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, kostoja e të cilit projekt do të kushtojë 1.3 miliard euro. Shumë herë publikisht u tha se ky termocentral pritet të vihet në funksion në vitin 2023, derisa bazuar në marrëveshje Qeveria do të marrë në pronësi impiantin tek pas një periudhe më shumë se 20-vjeçare, por pa kosto.

Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur të jetë diku rreth 40 vjet, ndërsa kompania “Contour Global” është thënë ta sigurojë kapitalin deri në 30 për qind të vlerës së projektit dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare. Deri më tani kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, e nënshkruar me kompaninë amerikane “Contour Global”, është publikuar vetëm në gjuhën angleze, pavarësisht premtimeve se e njëjta do të përkthehet në shqip.

Me këtë zvarritje taksapaguesit do ta kenë të pamundur të dinë se çfarë marrëveshjeje ka nënshkruar shteti i tyre.