Dëme milionëshe nga aksidentet

Ekonomia September 26, 2018 - 11:20
Lexo tjera detaje

Kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 15 milionë euro gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti për dëmet e pësuara nga aksidentet në komunikacion, përderisa alarmojnë për rritje të rasteve me lëndime të lehta. Ekzistojnë dyshime se shoferë të papërgjegjshëm po e dëmtojnë rëndë financiarisht industrinë e sigurimeve

Rreth 15 milionë euro kanë paguar kompanitë kosovare të sigurimeve për dëmet e pësuara në aksidente të komunikacionit, përfshirë këtu edhe dëmet e Fondit të Kompensimit, vetëm gjatë periudhës shtatë mujore të këtij viti (janar-korrik).

Industria e sigurimeve po ballafaqohet me rritje të vazhdueshme të pagesave për dëmet që shkaktohen në komunikacion, kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të rasteve me lëndime të lehta. Për këtë shkak ekzistojnë dyshime të bazuara se shoferë të papërgjegjshëm bëjnë mashtrime, kryesisht nëpërmjet rasteve me lëndimeve të lehta, me qëllim të përfitimeve financiare nga kompanitë e sigurimeve.

Venhar Hana, shef i Zyrës Ligjore në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2017 industria e sigurimeve ka paguar mbi 42 milionë euro për dëmet në komunikacion, përderisa, sipas tij, në vitin 2018 pagesa e këtyre dëmeve ka shënuar trend rritjeje.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, konfirmon raste të shumta kur nga shoferë të papërgjegjshëm tentohet të përfitohet financiarisht nga kompanitë e sigurimeve.

”Kemi hasur në raste të shumta kur diagnoza që i është shënuar pacientit nga mjeku pas aksidentit në komunikacion nuk përputhet me lëndimet. Kemi raste kur automjeti i përfshirë në aksident ka pësuar vetëm gërvishtje të ngjyrës, derisa diagnoza e pacientit është shumë serioze”, tregon Gërxhaliu.

Mashtrimet zinxhirore

Gërxhaliu thotë se në Institutin e Mjekësisë Ligjore zakonisht u shkojnë rastet me urdhëresë nga Prokuroria.

Sipas tij, lënda paraprakisht kompletohet në Prokurori, por në qoftë se vërejnë që diagnozat mjekësore nuk përshtaten me të dhënat nga vendi ngjarjes, atëherë kërkohet ekspertiza mjekësore.

Ai pohon se gjatë sezonit të verës ka rritje të rasteve me lëndime të lehta, qoftë në vendet e punës, por edhe nga aksidentet në komunikacion.

”Ka raste kur përmes mashtrimeve të ndryshme tentojnë të përfitojnë kompensime financiare nga kompanitë e sigurime, sidomos për dëme shëndetësore. Por, kur hasim në veprime të tilla ne automatikisht e njoftojmë prokurorin, në mënyrë që rasti të trajtohet për mashtrim”, thotë Gërxhaliu.

Sipas tij, zakonisht mashtrimet janë zingjirore, duke filluar nga vendi ku shkaktohet aksidenti.

”Nga rastet me lëndime të lehta në komunikacion mund të theksoj se ndodh që pas aksidentit, palët nuk shkojnë fare te mjeku për të marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor, por një gjë të tillë e bëjnë pas disa ditësh, apo edhe muajsh. Unë nuk e kam të qartë se si mund të lëshohet një dokument mjekësor, i cili dëshmon se i aksidentuari ka pasur ndrydhje të muskujve para 5 muajve”, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se individë të papërgjegjshëm që tentojnë të përfitojnë financiarisht nga kompanitë e sigurimeve sjellin fatura të barnave, apo incizime të caktuara që nuk ndërlidhen fare me diagnozën.

“Ka pasur raste kur një person ka sjellë fatura të një barnatoreje në vlerë prej më shumë se 4 mijë euro. Por, më joseriozja është se ato fatura janë lëshuar brenda një intervali kohor prej dy apo tre orësh. Ka pasur raste kur na janë sjellë fatura të blerjes së rrobave të brendshme për femra, fatura për blerje të produkteve ushqimore, etj.,” ka thënë Gërxhaliu.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore thotë se i bëjnë disa lloje të ekspertizave mjekësore. ”Kur kemi të bëjmë në vepra penale, ne bëjmë vetëm kualifikimin e lëndimeve në të rënda dhe të lehta dhe për pasojat e tyre. Por, në Gjykata bëjmë edhe ekspertizë të dokumenteve mjekësore që ofrohen pas kohës së shërimit, pasi që na ofrohen fatura marramendëse, duke tentuar të na bindin se trajtimi ka qenë shumë i shtrenjtë”.

 

Aksidentet e shumta

 

Venhar Hana, shef i zyrës Ligjore në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, thotë se çdo ditë në rrugët e Kosovës ndodhin aksidente të shumta, ku për pasojë dëmtohen mjetet motorike që marrin pjesë në aksident, dëmtohen pronat e luajtshme ose të paluajtshme të personave të tretë, shëndeti i njerëzve, madje paraqiten edhe pasojat fatale me humbjen e jetës.

Sipas tij, numri i lartë i aksidenteve që shkaktohen në komunikacion rrugor vije si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe shkaqeve tjera të pakujdesisë së drejtuesve të mjeteve motorike. Porse, sipas tij, kompanitë e sigurimeve përballen me dëme që rrjedhin nga llojet tjera të sigurimit që ofrojnë, siç janë: sigurimi i shëndetit privat, sigurimi i shëndetit në udhëtim, sigurimi i pasurisë, sigurimi kasko, sigurimin i mallit në transport, sigurimi i garancive, sigurimi i përgjegjësive e shumë lloje të tjera të sigurimeve.

Sipas Hanës, nëse trajtohet shkurtimisht aspekti i dëmeve të shkaktuara në aksidente të komunikacionit, duhet të kihet parasysh së pari se është detyrim ligjor i secilit pronar dhe drejtues të mjetit motorik që para daljes në qarkullim me mjetin e tij motorik të kontraktojë sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL – Third Party Liability).

“Ky sigurim, mbulon përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit motorik në shkaktimin e dëmit në persona deri në shumën prej 1,000.000 € për rast të siguruar dhe dëmet në pasuri deri në shumën prej 200,000 € për rast të siguruar”.

Kriteret për vlerësimin e dëmeve

Ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës të cilat rregullojnë fushën e sigurimeve, sipas Hanës, kanë përcaktuar bazë të fortë ligjore për shpërblimin e dëmit kur dëmi shkaktohet nga mjetet motorike të pasiguruara, në mënyrë të njëjtë sikurse kur ato shkaktohen nga mjetet motorike për të cilat është kontraktuar sigurimi i detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Pra palët e dëmtuara nuk janë të diskriminuara në shpërblimin e dëmit të pësuar në kuptimin kur atyre u shkaktohet dëmi nga mjeti motorik i pasiguruar në raport me rastet kur dëmi shkaktohet nga mjeti motorik i siguruar”, thotë Hana.

Ai ka bërë të ditur se Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore të veçantë me të cilën janë përcaktuar procedurat e trajtimit të kërkesave për kompensimin e dëmeve që rrjedhin nga sigurimi i detyrueshëm nga autopërgjegjësia. “Qëllimi i kësaj rregulloreje është trajtimi i drejtë dhe i barabartë i policëmbajtësve dhe të dëmtuarve nga siguruesit”.

Gjithashtu, Banka Qendrore e Kosovës ka përcaktuar edhe kriteret sipas të cilave këto dëme duhet të vlerësohen nga siguruesit, duke respektuar dhe tabelën mjekësore për vlerësimin e zvogëlimit të aktivitetit të përgjithshëm jetësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Qytetarët duhet të jenë të informuar se për shpërblimin e dëmeve materiale (dëmet e shkaktuara në mjete motorike dhe pasuri, kur nuk ka persona të lënduar), është e mjaftueshme që të plotësohet Formulari i Raportit Evropian të Aksidentit, bashkë me të dhënat e palëve pjesëmarrëse në aksident dhe duhet fotografuar vendi i ngjarjes së ndodhjes së aksidentit dhe siguruesit t’i paraqitet kërkesa e plotësuar së bashku me dokumentacionin e mjetit të dëmtuar dhe atyre personale të drejtuesit. Pra thirrja e Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes për hartimin e raportit policor, nuk është e domosdoshme. Kur në aksident ka persona të lënduar, detyrimisht duhet njoftuar Policia e Kosovës, e cila do të kryejë detyrën zyrtare sipas ligjit”, thotë ai.

Palët e dëmtuara kanë të drejtë që kërkesën për shpërblimin e dëmit ta paraqesin në forma të ndryshme, siç janë: në mënyrë të drejtpërdrejtë, me postë, me postë elektronike, dhe me faks. Në dy mënyrat e fundit, siguruesi ka për detyrim që parashtruesin e kërkesës ta njoftojë me numrin referues të kërkesës për shpërblim dhe duhet ta udhëzojë se cilat dokumente të nevojshme duhet prezantuar në origjinal. Kjo procedurë, mundëson vënien në dijeni të siguruesit për dëmin e pësuar dhe inicimin e procedurave për trajtimin e kërkesës, duke nisur nga regjistrimi i saj, vlerësimi dhe njoftimi i palës me vendimin përkatës. “Tek rastet me lëndime të rënda trupore, apo me shëmtim trupor është i detyrueshëm ekzaminimi i drejtpërdrejtë i palës së dëmtuar, ndërsa në rastet tjera mund të vlerësohet dëmi në bazë të dokumentacionit të ofruar”, thotë shefi i Zyrës Ligjore në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës.

Subjekt i vlerësimit nga mjeku i fushës përkatëse janë: zvogëlimi i aktivitetit jetësor, zvogëlimin e aktivitetit punues, duke përcaktuar përqindjen (shkallën) e humbjes së aftësisë së përhershme për punë, të pjesshme ose të përgjithshme, afatin e paaftësisë së përkohshme për punë, intensitetin dhe kohëzgjatjen e dhembjeve trupore, intensitetin dhe kohëzgjatjen e frikës, shkallën e shëmtimit, nevojën për shpenzimet mjekësore për trajtim dhe medikamente mjekësore, nevojën për kujdesin e huaj (të një personi të tretë) dhe kohëzgjatjen e tij, nevojën për ushqim të përforcuar dhe kohëzgjatjen e tij, nevojën për ekzaminime shtesë si dhe vlerësimin e gjendjes nga specialistë mjekësorë të tjerë.

Gjithmonë, sipas tij, duhet të kihet parasysh që qëllimi i shpërblimit të dëmit për dëmet materiale është kthimi në gjendje të mëparshme kur është e mundur (riparimi) dhe kur jo, shpërblimi i dëmit në të holla. Me nenin 169 të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, është përcaktuar se “Personi përgjegjës ka për detyrë ta rivendosë gjendjen e cila ka qenë para se të shkaktohet dëmi”. Ndërsa kur kjo nuk është e mundur, të dëmtuarit i takon shpërblimi i dëmit në të holla.

Milionat për pagesën e dëmeve

Trajtimi i kërkesave për shpërblimin e dëmit në produktet tjera të sigurimit të përmendura si më sipër, është edhe më kompleks, kjo për shkak të variacioneve të ndryshme që këto produkte ofrohen nga siguruesit dhe kushtet e ndryshme nën të cilat kontraktohen ato.

Kujdes i veçantë në kontratat e sigurimit të produktet vullnetare të sigurimit, duhet t’i kushtohet kushteve të veçanta të sigurimit, sepse të njëjtat mbizotërojnë në raport me kushtet e përgjithshme të sigurimit. Sipas Hanës, është e rëndësishme që të lexohen me kujdes ofertat që u dërgohen si dhe kontrata e sigurimit para se ajo të nënshkruhet.

Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe përfitimeve në mbulim dhe përjashtimeve nga kontrata e sigurimit, për shkak se, sipas tij, kjo pjesë do të ketë efektin kryesor të përmbushjes së kontratës së sigurimit në kuptim të respektimit të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga ajo. “Çdo herë, duhet sqaruar çdo detaj për të siguruarin, i cili mund të ketë paqartësi, ose vështirësi në kuptimin e terminologjisë së sigurimeve të përdorur në kontratë. Mënyra më e mirë e realizimit të komunikimit ndërmjet siguruesit dhe palëve është komunikimi me shkrim përmes shkresave ose më praktikisht, përmes postës elektronike. Secila palë do të gëzojë mbrojtjen e barabartë në rast të kontestit eventual”.

Në këtë frymë, sipas Hanës, mund të konstatohet se vetëm gjatë vitit 2017 industria e sigurimeve ka paguar mjete për shpërblimin e dëmeve në shumë prej 42.2 milionë euro, nga të cilat deri në muajin korrik 2017 janë paguar 14.8 milionë euro për dëmet e pësuara në aksidente të komunikacionit (përfshirë dëmet e Fondit të Kompensimit). Ndërsa, në vitin 2018 pagesa e këtyre dëmeve ka trend rritje, ku për të njëjtën periudhë deri në muajin korrik 2018 për dëmet e pësuara në aksidente të komunikacionit (përfshirë dëmet e Fondit të Kompensimit) janë paguar 14.8 milionë euro.

“Pra, qëllimi kryesor i funksionimit të sistemit të sigurimeve është bartja e rrezikut kundrejt pagesës së një primi të caktuar dhe përfundimisht shpërblimi drejtë i dëmeve të shkaktuara si pasojë e ndodhjes së rasteve të siguruara për aq sa ato realisht kanë ndodhur dhe jo nën qëllimin e përfitimit nga sigurimi”, thotë Hana.

Rritja e aksidenteve me lëndime

Edhe Policia e Kosovës konfirmon rritjen e numrit të aksidenteve me lëndime në nga viti në vit.

Sipas Policisë, në vitin 2014 janë shënuar 4876 aksidente me të lënduar, 5275 aksidente me lëndime në vitin 2015, 6130 në vitin 2016, 6390 në vitin 2017, si dhe 3434 aksidente me lëndime vetëm gjatë periudhës janar-korrik 2018.

Mbikëqyrja nga Banka Qendrore

Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), thotë se institucioni që ai e drejton në mënyrë të vazhdueshme i mbikëqyr kompanitë e sigurimeve, por nuk ka hasur në raste të keqpërdorimeve nëpërmjet aksidenteve me dëmtime të lehta në komunikacion.

Sidoqoftë, sipas tij, në rast të identifikimit të këtyre rasteve, siguruesit dhe kushdo qoftë tjetër duhet t’i drejtohet organeve kompetente për të ndjekur procedurat e parapara ligjore ndaj abuzuesve të mundshëm.