Institucionet, 8 miliardë euro pasuri

Ekonomia September 15, 2018 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), pasuria e institucioneve qendrore të Kosovës, e prezantuar në pasqyrat vjetore të institucioneve, ka arritur në 2 miliardë e 370 milionë euro, derisa pasuria e institucioneve lokale, sipas të dhënave të Auditorit, në fund të vitit që lamë pas ka arritur në 5.7 miliardë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vlera e pasurive të institucioneve qendrore, lokale dhe atyre të pavarura në vend ka arritur në 8 miliardë euro. Këto të dhëna janë publikuar në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Sipas Auditorit, pasuritë e institucioneve qendrore, vlera neto e pasurive kapitale të prezantuara në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) është 2.370.301.102 euro, ndërsa sipas auditimeve individuale vlera e tyre është 2.378.338.918 euro. Sipas Auditorit, ekziston një mosbarazim prej 7.863.189 eurosh, respektivisht një nënvlerësim i PFV-ve të Qeverisë në raport me gjendjen e auditimit. “Vlera neto e pasurive jokapitale të prezantuara në PFV është 60.406.358 euro, kurse sipas auditimeve 28.880.236 euro. Mosbarazimi prej 31.526.122 eurosh është rezultat i mbivlerësimit të vlerave të paraqitura në PFV. Përveç menaxhimit joefektiv dhe kontrolleve të dobëta, çështjet të cilat më së shpeshti janë hasur gjatë auditimit të pasurive te institucionet qendrore janë: në katër institucione mungojnë procedura të brendshme për menaxhimin e pasurisë, në tetë institucione mosfunksionalizim i sistemit e-pasuria, në pesë institucione mosharmonizim i të dhënave në mes regjistrit të përgjithshëm të pasurisë dhe raportit të inventarizimit”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Po ashtu aty më tutje thuhet se në katër raste nuk është bërë kalkulimi i zhvlerësimit të pasurisë në sistemin e-pasuria sipas normave të përcaktuara, në pesë institucione nuk është kryer inventarizimi, si dhe në një rast nuk janë raportuar në MF pasuritë nën 1000 euro.

5.7 miliardë euro pasuria e komunave

Sipas Auditorit, pasuritë e komunave, vlera neto e pasurive kapitale të prezantuara në PFV është 5.710.123.801 euro, ndërsa sipas auditimeve është 5.713.696.648 euro. Sipas ZKA-së, mosbarazimi në mes PFV-ve dhe vlerave sipas auditimit është 3.572.847 euro dhe si rezultat i kësaj PFV-të janë nënvlerësuar. “Vlera neto e pasurive jokapitale të prezantuara në PFV është 14.726.634 euro, kurse sipas auditimit vlera e tyre është 13.998.767 euro. Ekziston një mosbarazim prej 727.867 eurosh, që paraqet mbivlerësim të pasurive sipas PFV-ve. Edhe në vitin 2017 komunat nuk kanë arritur ta përfundojnë procesin e regjistrimit të pasurive”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se gjetjet tjera në fushën e pasurive te komunat janë: Komuna e Mamushës dhe e Leposaviqit nuk kanë prezantuar asnjë vlerë për pasuritë, Komuna e Parteshit nuk ka raportuar pasuritë nën 1.000 euro,

komunat Ferizaj, Zveçan, Novobërdë, Zubin Potok dhe Kllokot kanë raportuar pasurinë nën 1.000 euro me vlerën zero, njëzetepesë komuna nuk kanë regjistruar pasuritë e blera gjatë vitit aktual. “Në nëntëmbëdhjetë komuna mosfunksionalizimi i sistemit e-pasuria, në shtatë komuna mosharmonizimi i të dhënave në mes regjistrit të përgjithshëm të pasurisë dhe raportit të inventarizimit, si dhe në shtatë komuna mungesë të evidencave dhe vonesa në inventarizimin e pasurisë. Mangësi tjera të evidentuara janë: numërimi fizik dhe vlerësimi i pasurisë, raportet jo të përfunduara të inventarizimit të pasurisë, kategorizimi joadekuat i pasurisë, zhvlerësimi, tjetërsimi dhe klasifikimi jo i drejtë i investimeve të papërfunduara. Organizatat buxhetore, po ashtu, kanë paqartësi lidhur me regjistrimin dhe përditësimet e pasurive me vlerën kontabël zero”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.