Hyseni: ''Trepça'' s’i ka punët mirë, por s’është para falimentimit

Ekonomia September 13, 2018 - 08:25
Lexoni më shumë detaje
Image

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës” Miftar Hyseni ka deklaruar se në “Trepçë” vazhdon të jetë gjendje e njëjtë sikurse edhe më përpara, me nivel të ulët të prodhimit, por në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për falimentim të ndërmarrjes. Nuk ka asnjë lëvizje përpara pa u miratuar draftstatuti, pa u regjistruar ndërmarrja dhe pa u pranuar  punëtorë të rinj, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Derisa në “Trepçë” të veriut të Mitrovicës flitet për ndërtimin e fabrikave të reja dhe për shtimin e prodhimit, në “Trepçë” të jugut mendohet edhe për falimentimin e ndërmarrjes.

Miftar Hyseni, ushtrues i detyrës së drejtorit të “Trepçës” në Stan Tërg, nuk pranon se situata ka ardhur deri aty sa minierës t’i vihet dryni, megjithëse vështirësitë me të cilat përballet pothuajse prej pasluftës thotë janë të qarta.

Ai i ka thënë Zërit të mërkurën se aktualisht në “Trepçë” është situatë e njëjtë sikurse ka qenë edhe më përpara, pa asnjë ndryshim, se prodhimi vazhdon të jetë i nivelit të ulët, por që punëtorët të cilët punojnë pagat i marrin me kohë dhe nuk kanë asnjë arsye për t’u brengosur se ata do të mbesin pa paga.

Ai thotë gjithashtu se edhe miratimi i Ligjit për “Trepçën” para dy vjetëve nuk i ka ndihmuar fare ndërmarrjes, sepse janë bërë vonesa me formimin e Bordit Mbikëqyrës, ndërsa nuk është miratuar as statuti dhe as nuk është regjistruar ndërmarrja.

“'Trepça’ falimenton vetëm atëherë nëse të gjithë ne ndalemi dhe nuk punojmë fare. Kështu siç është situata tani për një gjë të tillë as që mund të mendohet e kurrsesi të diskutohet. Ndodhemi në status quo, do të thosha ‘as me Pejë, as me Gjakovë’. Qeveria e Kosovës duhet të veprojë shpejt, sepse pa miratimin e draftstatutit dhe pa u regjistruar ndërmarrja nuk ka ecje përpara. Për falimentimin flasin vetëm ata që kanë interesa, të cilët pretendojnë dhe kanë orekse të bëhen drejtorë. Ata që e dinë gjendjen nuk flasin për falimentimin. Në ‘Trepçë’ duhet të mendohet për inkuadrimin e punëtorëve të rinj në prodhim, sepse aktualisht mosha mesatare e tyre është mbi 60 vjeç. Çfarë pune mund të bëhet me punëtorë të kësaj moshe? Fatbardhësisht i kemi rreth 300 punëtorë, të cilët janë pranuar më vonë e që mund të sistemohen në prodhim, por gjithsesi duhet të pranojmë punëtorë të rinj”, i tha Zërit Hyseni, të mërkurën.

Sipas tij, në vitin 2013 “Trepça” ka pasur 1.520 minatorë, ndërkaq tani i ka vetëm 1.300. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hyseni, thotë se pa u regjistruar ndërmarrja dhe pa miratimin e draftstatutit nuk mund të pranohen as punëtorët e rinj dhe nuk mund të kryhet asnjë punë.

“Një version i draftstatutit është në Qeveri, por ai është kundërshtuar nga punëtorët e ‘Trepçës’, të cilët edhe kanë mbajtur grevë. Brenda tre muajve prej atëherë duhet të hartohet një draftstatut tjetër. Dy komisionet që janë formuar, njëri për vlerësimin e pasurive që janë në pronësi të ‘Trepçës’ dhe komisioni tjetër i cili do të ofrojë zgjidhje për çështje sociale të punëtorëve, do të fillojnë punën në javën që vjen e që brenda tre muajve sipas marrëveshjes së Bordit të ‘Trepçës’, të sindikalistëve dhe të Qeverisë duhet të konkretizohet marrëveshja me një draftstatut”, thotë ai, duke siguruar se në asnjë rast nuk është bërë fjalë për mospagesën e pagave të minatorëve.

“Punëtorët zakonisht i marrin pagat më 12 ose 13 të muajit. Kësaj here i kanë marrë më 7 shtator. Në minierën e Stan Tërgut ka prodhim, ndonëse jo në nivelin e dëshiruar.

Ky nivel i prodhimit është që prej pasluftës me ndonjë ndryshim të vogël. Nëse situata ka ardhur para falimentimit, ashtu siç flasin disa njerëz, atëherë ata duhet ftuar në përgjegjësi, sepse e kanë lënë ‘Trepçën’ të shkojë deri në atë situatë, por përsëris ‘Trepça’ nuk do të falimentojë.

‘Trepça’ falimenton vetëm nëse duam të gjithë ne, nëse ndalemi e nuk punojmë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës” Miftar Hyseni.

 “Qeveria e Kosovës ka themeluar dy grupe punuese-teknike për vlerësimin e të gjitha pasurive që janë në pronësi të saj, që ato të përfshihen në statutin e shoqërisë aksionare ‘Trepça’ dhe njëkohësisht t’u përgjigjemi sindikalistëve të këtij gjiganti në trajtimin dhe në ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga minatorët”, ka thënë kryeministri i vendit, duke ripërsëritur se Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues teknik për vlerësimin e të gjitha pasurive që janë në pronësi të “Trepçës” dhe përfshirjen e tyre në statutin e shoqërisë aksionare “Trepça”.

Grupin punues, i cili do të merret me çështjet sociale të punëtorëve që i ka bërë publike dhe i ka kërkuar SP-ja e Punëtorëve të “Trepçës”, e përbëjnë një përfaqësues i Ministrisë së Punës dhe e Mirëqenies Sociale, një përfaqësues i Zyrës së kryeministrit, një përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, një përfaqësues i Ministrisë së Financave, një përfaqësues i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës” dhe një ekspert i pavarur.

Ndërkaq grupin punues për vlerësimin e të gjitha pronave të “Trepçës” e përbëjnë: dy përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, një përfaqësues i kabinetit të kryeministrit, një përfaqësues i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, një përfaqësues i Bordit të “Trepçës”, një përfaqësues i menaxhmentit të “Trepçës”, dy përfaqësues të SP-së së Punëtorëve të “Trepçës” dhe një përfaqësues, ekspert i pavarur.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se edhe pas gati dy vjetësh nga miratimi i Ligjit për “Trepçën” ende nuk janë përmbyllur të gjitha procedurat për fillimin e rimëkëmbjes dhe për zhvillimin e kombinatit.

“Kjo ndërmarrje është duke kaluar në procese të shumta ligjore, por besoj se në muajin tetor do të kalojë miratimi i statusit të ‘Trepçës’ në Kuvendin e Kosovës dhe të regjistrohet si shoqëri aksionare. Në momentin që kemi ardhur në Qeveri kemi shtuar dinamikën që të përfundojmë këtë aspekt ligjor, por kemi hasur në disa probleme mes Sindikatës dhe Bordit, ku rezultoi me një grevë nga Sindikata. Por, jemi ulur dhe kemi arritur një pajtim që brenda tre muajve t’i zgjidhim ato probleme. Komisionet për zgjidhjen e problemeve janë formuar dhe janë në fillim të punës”, ka thënë ministri thotë Lluka.

Në anën tjetër kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, shprehet se institucionet kanë neglizhuar punën rreth “Trepçës”.  

“Prodhimi po shënon rënie që nga vitit 2014. Kemi rënie 27 për qind në krahasim me vitin 2017. Për vitin 2018 janë planifikuar të prodhohen 184 mijë tonë xehe në Stan Tërg, ndërsa ky plan është realizuar vetëm rreth 60 për qind”, precizon Sadiku, i cili ka ripërsëritur se në “Trepçë” i “ka përzier” duart politika.