Institucionet për udhëtime shpenzuan 6.1 milionë euro për 6 muaj

Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti shpenzimet e udhëtimeve janë rritur për 27 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sivjet gjatë gjysmës së parë të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar 6 milionë e 140 mijë euro, derisa gjatë gjysmës së parë të vitit paraprak 4 milionë e 850 mijë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Hiç më pak se 6.1 milionë euro kanë shpenzuar institucionet e vendit për udhëtime zyrtare vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti e ku në raport me vitin paraprak ka një rritje prej 27 për qind. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti shpenzimet e udhëtimeve janë rritur për 27 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sivjet gjatë gjysmës së parë të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar 6 milionë e 140 mijë euro, derisa gjatë gjysmës së parë të vitit paraprak 4 milionë e 850 mijë euro.
Në raportin e gjashtëmujorit të buxhetit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se gjatë kësaj periudhe kohore shpenzimet për mallra dhe shërbime janë rritur për 12 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë kësaj periudhe kohore po ashtu janë rritur shpenzimet dukshëm prej 33 për qind edhe për shpenzime të telekomunikimit. Sipas raportit gjashtëmujor të Ministrisë së Financave për këtë qëllim gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë shpenzuar 2 milionë e 770 mijë euro ose rreth 700 mijë euro më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Gjatë kësaj periudhe kohore po ashtu rritje për 3 për qind kemi edhe për derivate e lëndë djegëse. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shihet se sivjet deri në përfundim të muajit qershor janë shpenzuar për këtë qëllim 9 milionë e 330 mijë euro.
Shpenzimet për vendime gjyqësore rriten për 1535%
Një rritje shumë të madhe të shpenzimeve prej 1535 për qind kemi edhe në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport si “Shpenzime për vendime gjyqësore”, ku për gjashtë muajt e parë të këtij viti sivjet janë shpenzuar 3.6 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë shpenzuar vetëm 220 mijë euro. Gjithnjë duke u bazuar në raportin gjashtëmujor të Ministrisë së Financave shihet se po ashtu gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kemi një rritje prej 44 për qind edhe të shpenzimeve për avanca. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit paraprak shpenzimet në këtë kategori buxhetore kanë qenë 340 mijë euro, derisa në periudhën e njëjtë të këtij viti kanë arritur në 480 mijë euro. Rritje prej 54 për qind gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti shihet edhe në kategorinë buxhetore për blerje të mobileve dhe pajisjeve me pak se 1000 euro. Për këtë qëllim sivjet u shpenzuan për 6 muaj 2 milionë euro, nga 1.3 milion euro sa ishin shpenzuar në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti po ashtu një shumë e konsiderueshme e mjeteve prej 24 milionë eurosh është shpenzuar në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport si “Shpenzimet për shërbime” e derisa për këtë qëllim gjatë gjysmës së parë të vitit që lamë pas janë shpenzuar 19 milionë e 950 mijë euro.
293 milionë euro për paga
Shpenzimet buxhetore gjatë kësaj periudhe raportuese arritën vlerën prej 844.12 milionë eurosh (duke përfshirë pagesën e interesit), duke shënuar rritje prej 10%, që korrespondon me 74.64 milionë euro më shumë të krahasuar me gjashtëmujorin paraprak.
Një ekzekutim i tillë i buxhetit gjatë gjashtë muajve ta parë të vitit 2018 korrespondon me 94% të planit për këtë periudhë. Kjo rritje është nxitur nga ekzekutimi më i lartë i investimeve kapitale për 15%, si dhe rritjes së shpenzimeve rrjedhëse prej 9%, sipas kategorive buxhetore mallra dhe shërbime rritje rreth 12%, subvencione dhe transferime rritje rreth 10%, si dhe rritje e shpenzimeve për paga prej 7%.
Shpenzimet për paga dhe mëditje shënuan vlerën prej 293.82 milionë eurosh gjatë këtij gjashtëmujori, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 50% duke e krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori. Fatura e pagave gjatë periudhës raportuese paraqet një rritje prej 7% ose rreth 19.65 milionë euro më shumë, duke i krahasuar me faturën e pagave në periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kjo rritje kryesisht i atribuohet rritjes së pagave me 4% për të gjithë shërbyesit publikë në përputhje me rregullën fiskale të pagave sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (Neni 22/c), si dhe zbatimit të vendimit të Qeverisë për ngritjen e pagave të disa sektorëve qeveritarë, duke filluar nga muaji qershor, por me efekt retroaktiv sipas vendimit qeveritar.
253.6 për subvencione dhe transferime
Shpenzimet në subvencione dhe transferime arritën shumën prej 253.6 milionë eurosh, që paraqet një rritje prej 22.6 milionë eurosh, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 48% të krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori, ose 10% më shumë duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Sipas Ministrisë së Financave, kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së transferimeve sociale, përkatësisht ndihmave sociale dhe skemave të reja me vendim të Qeverisë, si dhe ngritje e lehtë në kategoritë ekzistuese. “Në anën tjetër, subvencionet e tjera kanë shënuar rënie prej 5 milionë eurosh ose 11% duke i krahasuar me periudhën paraprake. Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 183.08 milionë eurosh, që paraqet një rritje prej 23.7 milionë eurosh, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 26% duke i krahasuar me vlerën totale vjetore të buxhetuar për këtë kategori ose rreth 15% më shumë duke i krahasuar me periudhën e njëjtë paraprake”, thuhet në raportin gjashtëmujor të Ministrisë së Financave, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.
Po ashtu shpenzimet për huamarrjen shtetërore (pagesa e interesit dhe kryegjësë, duke përfshirë kthimet nga nënhuazimet) kanë regjistruar vlerën 18.15 milionë euro, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 31% të krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori, duke shënuar kështu një rënie prej 58% të krahasuar me pagesat për këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak 2017.