120 mijë euro për mëditje, akomodime e udhëtime gjatë tre muajve

Ekonomia August 15, 2018 - 08:22
Mësoni më shumë detaje

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti Kuvendi i Kosovës për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit, mëditje për udhëtim zyrtar jashtë vendit, si dhe akomodim gjatë udhëtimit zyrtar jashtë vendit ka shpenzuar më shumë se 120 mijë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Të zgjedhurit e popullit nuk po tregohen të vëmendshëm me prezencën e tyre në seanca, por krejtësisht ndryshe po veprojnë kur bëhet fjalë për t’i përmbushur nevojat e luksit.

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti Kuvendi i Kosovës për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit, mëditje për udhëtim zyrtar jashtë vendit, si dhe akomodim gjatë udhëtimit zyrtar jashtë vendit ka shpenzuar më shumë se 120 mijë euro.

Duke u bazuar në raportin tremujor financiar të Kuvendit, të cilin e ka siguruar gazeta Zëri, për tremujorin e parë të këtij viti janë shpenzuar 1 milion e 61 mijë e 586 euro vetëm për paga e mëditje.

LEXO EDHE: Kërkohet një ''Listë e kuqe'' edhe për shtetasit e Serbisë

Anëtarët e Kuvendit të Kosovës i kanë shpenzuar 18 mijë e 558 euro në udhëtime zyrtare jashtë vendit, ndërsa mëditjet e tyre kapin shumën e 21 mijë e 205 eurove.

Lirë nuk u ka kushtuar as akomodimi gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, shkruan më tutje "Zëri".

19 mijë e 239 euro arrin vlera e akomodimit të tyre gjatë udhëtimeve zyrtare, ndërsa shpenzimet tjera të udhëtimeve jashtë vendit 1 mijë e 376 euro.

Ata nuk i kanë lënë anash as drekat zyrtare.  

Vetëm për shtrimin e tyre i kanë shpenzuar jo më pak se 14 mijë e 274 euro.

Për shpenzime telefonike janë shpenzuar 7 mijë e 406 euro nga buxheti i shtetit, përderisa subvencionet e ndara për entitetet politike kanë qenë në vlerën e 17 mijë e 175 eurove. Për nga shpenzimet rrugën deputetëve nuk ua lëshon as administrata e Kuvendit. Edhe shpenzimet e tyre për këtë tremujor po dalin të jenë goxha të majme.

Administrata e Kuvendit shpenzoi 23 mijë euro për mëditje

Deputetët nuk janë të vetmit që renditen të parët në shpenzimin e buxhetit shtetëror, atyre u bashkohet edhe administrata e Kuvendit.

Duke iu referuar raportit tremujor financiar të shpenzimeve, të cilin e posedon gazeta “Zëri”, administrata e Kuvendit vetëm për paga e mëditje ka shpenzuar 491 mijë e 200 euro.

23 mijë e 802 euro arrin vetëm vlera e mëditjeve të tyre gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, derisa akomodimi u ka kushtuar 12 mijë e 195 euro.

Shpenzime thuajse të ngjashme janë realizuar edhe për udhëtime zyrtare jashtë vendit, vlera e shpenzimeve të kësaj kategorie arrin në 9 mijë e 617 euro.

Për t’i mbushur veturat me karburant administrata e Kuvendit i ka shpenzuar 11 mijë e 754 euro, për shërbime telefonike 2 mijë e 628 euro e për shërbime tjera kontraktuese 2 mijë e 440 euro.

Ndonëse për dreka zyrtare nuk kanë shpenzuar shumë vetëm 649 euro, më shumë u kanë kushtuar shërbimet tjera të zakonshme, ngrohja qendrore 33 mijë e 722 euro, rryma 21 mijë e 424 euro e uji 4 mijë e 230 euro.

Ankesa të shumta janë adresuar edhe për stafin mbështetës politik, më saktësisht për këshilltarët e kryetarit të Kuvendit, të cilët po kritikohen se janë shpenzuesit më të mëdhenj të buxhetit.

Në bazë të raportit tremujor financiar për paga e mëditje stafi mbështetës politik i ka shpenzuar 173 mijë e 156 euro për paga e mëditje, 5 mijë e 456 euro shpenzime në udhëtime zyrtare jashtë vendit e 3 mijë e 378 euro për mëditje të udhëtimeve jashtë vendit.

Për akomodim gjatë udhëtimit zyrtar jashtë vendit janë shpenzuar 3 mijë e 173 euro e 513 euro për shërbime tjera kontraktuese.

Drekat të paguhen nga xhepi i deputetëve

Përfaqësuesve të shoqërisë civile po u pengon fakti se deputetët e Kuvendit vazhdojnë t’i realizojnë shpenzimet me paratë e taksapaguesve. Ata po u kërkojnë deputetëve t’i paguajnë ato nga xhepi i tyre.

Menaxheri i programeve në lëvizjen “Fol”, Jeton Zulfaj, në një prononcim për gazetën “Zëri” e quan të habitshëm faktin se si janë realizuar këto shpenzime duke parë mospunën e Kuvendit gjatë kësaj periudhe.

“Duke pasur parasysh mospunën e Kuvendit në tremujorin e parë të vitit është e habitshme të shihen shpenzimet për dreka, për darka, si dhe për mëditje. Kuvendi duhet të publikojë në raportin financiar edhe emrat e personave që hanë dreka zyrtare, siç bënë edhe për udhëtime. Drekat duhet të paguhen nga xhepi i thellë i deputetëve dhe jo nga xhepi i varfër i qytetarëve”, është shprehur Zulfaj. 

Tutje ka kërkuar reduktimin e shpenzimeve të panevojshme, sidomos nga i pari i Kuvendit Kadri Veseli.

“Është në integritetin dhe dinjitetin e vet deputetëve që të marrin masa t’i reduktojnë shpenzimet e panevojshme dhe t’i mbulojnë shpenzimet e tyre pa ia dërguar faturën popullit. Natyrisht, këtu duhet të prijë i pari i Kuvendit”, ka përmendur në mes tjerash ai.

Pakënaqësi të ngjashme ka drejtuar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina.

Pantina i ka thënë gazetës “Zëri”, se Kuvendi ka nevoja më të mëdha për të investuar se këto që realizohen momentalisht.

“Ne kemi shprehur vërejtjet tona edhe për mënyrën e ndarjes së buxhetit e po ashtu edhe me mënyrën e shpenzimeve pastaj. Kuvendi ka shumë e shumë nevoja të investohet qoftë të investohet në infrastrukturë, por mbi të gjitha të investohet në rritjen e transparencës, në rritjen e mbikëqyrjes parlamentare”, ka thënë Pantina.

Sipas saj, shpenzimet më të mëdha realizohen nga zyra e Kuvendit dhe nga numri i madh i këshilltarëve.

“Shpenzimet shumë më shumë bëhen në aktivitete të cilat jo vetëm që nuk janë të dobishme, por shpeshherë nuk ndikojnë fare në punën e Kuvendit, në rritjen e efikasitetit. Shpenzimet më të mëdha bëhen nga zyra e Kuvendit, sidomos me numrin e madh të këshilltarëve, por edhe nga deputetët ose nga komisionet që këto shpenzime nuk janë të arsyetueshme sepse nuk ndikojnë në efikasitetin e punës së Kuvendit”, ka theksuar Pantina.

Me buxhetin e Kosovës nuk ka luks për shpenzime në dreka zyrtare. Kështu ka deklaruar njohësi i rrethanave ekonomike Lulzim Beqiri.

“Nëse i referohemi raportit të Kuvendit del se kemi një Kuvend që djeg paranë e shtetit pa kurrfarë kriteri. Administrata e Kuvendit ka shpenzuar vetëm për paga e mëditje rreth 491 mijë e 200 euro. Të mos harrojmë se kryetari i Kuvendit ka hiç më pak se 14 këshilltarë politikë”, është shprehur Beqiri.

Të kemi parasysh faktin se Kuvendi i Kosovës në këtë sesion ka dështuar në një varg projektligjesh për t’i miratuar në mungesë të kuorumit.