Takohen Lekaj e Ahmeti, ja çfarë diskutuan

Ekonomia August 09, 2018 - 17:15
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, gjatë ditës së sotme është takuar me kreun e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, raporton “Zeri.info”.

Lekaj u njoftua nga Ahmeti për problemet dhe vështirësitë që has Komuna e Prishtinës gjatë përditshmërisë së saj, dhe ndikimin që mund të ketë Ministria e Infrastrukturës, në evitimin e problemeve infrastrukturore.

Me këtë rast, Lekaj shprehu gatishmërinë që ministria që ai udhëheq do ta ndihmojë kryeqytetin në planin zhvillimor urban, po ashtu kjo ministri do të financojë projekte të cilat kanë rëndësi të veçantë, fillimisht për Prishtinën, e pastaj edhe për gjithë qytetarët të cilët do të kenë kyçje në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit, përcjell më tutje “Zeri.info”.

Me një bashkëpunim nikoqirësh dhe përkushtim ndaj punës, për të cilën edhe janë të ngarkuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës do të realizojnë edhe projekte në bashkëfinancim dhe të cilat konsiderohen me dobi reciproke.

Megjithëse ky ishte vetëm një takim paralajmërues dhe një lloj mundësie për të hapur rrugë të reja bashkëpunimi mes ministrisë dhe komunës në fjalë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, qartazi pohoi se Ministria e Infrastrukturës do t’i jap rëndësi të veçantë kryeqytetit, pasi edhe nevojat janë dukshëm më të mëdha.

Në konferencën e mbajtur për media, Lekaj përmendi disa prej projekteve të cilat do t’i bashkëfinancojë dhe do të ofroj çfarëdolloj përkrahje, por pa konkretizuar ndonjë gjë, vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Këto projekte janë: Ura e Veternikut, qarkorja e jashtme tek AL-PETROL, rikategorizimi i infrastrukturës, si dhe vija e tramvajit.

Drejtuar mediave, Lekaj u shpreh: “Ne jemi në gjendje që ta mbështesim Komunën e Prishtinës në çdo rrugë, duke e ditur që është kryeqyteti i Republikës së Kosovës. Barra kryesore bie mbi kryetarin, por ne jemi këtu që të bashkëpunojmë dhe, ne si Ministri e Infrastrukturës, nuk do të hezitojmë që të japim mbështetje në projektet madhore, e të cilat do t’ia lehtësojnë punën komunës”.

Pavarësisht mangësive në buxhet si dhe vështirësive në teren, Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës, në përputhje me nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, do të bëjnë më të mirën e mundshme, që të gjitha projektet infrastrukturore të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, t’i finalizojnë me sukses.ë /ZËRI/

Image

Image

Image