Hulumtimi për ikjen e investitorëve “përplas” MTI-në me AKB-në

Ekonomia July 25, 2018 - 08:52
Lexoni më shumë detaje

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), e cila drejtohet nga Agim Shahini, ka publikuar një hulumtim për ikjen e investitorëve të huaj nga Kosova, i cili po kundërshtohet ashpër nga drejtuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Hulumtimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) për ikjen e investitorëve të huaj nuk po vlerësohet si kredibil nga përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë (MTI).

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) ditë më parë ka publikuar një hulumtim, në të cilin thuhet se 94 për qind e investitorëve që e kanë vizituar Kosovën janë larguar nga vendi pasi kanë gjetur një klimë më të favorshme për investime në shtetet tjera.

LEXO EDHE: Vonesa e projektit me kontratë të dyshimtë

Por rezultatet e tilla të hulumtimit po i hedh poshtë Enver Hajrullahu, këshilltar i ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë, Bajram Hasani.

Hajrullahu ka deklaruar për Zërin se ky hulumtim nuk ka qëllime dhe e ka vlerësuar si propagandues.

“Klima për investime është dëshmuar edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore, ku Kosova është ranguar si top-reformatore në të bërit biznes, duke u radhitur në vendin e 40-të dhe në vendin e 10-të si vendi më reformatore. Kjo tregon më së miri klimën e investimeve në Kosovë dhe këto propaganda nuk janë të mira për shtetin e Kosovës dhe nuk kanë qëllime të mira”, ka thënë për gazetën Zëri këshilltari i ministrit Hasani.

Tutje, ai ka përmendur edhe takimet me investitorët e huaj, që sipas tij e vlerësojnë klimën e të bërit biznes në Kosovë.

“Investitorët e huaj i favorizon tashmë edhe Ligji për Investime Strategjike, që për herë të parë mbrohen me ligj. Po ashtu kemi krijuar zona ekonomike të cilat janë mundësi për bizneset e huaja të kenë hapësira më të mëdha. Është krijuar edhe infrastruktura ligjore që i favorizon shumë investitorët e huaj, konkretisht Pakoja Fiskale”, ka shtuar mes tjerash këshilltari Enver Hajrullahu.

Shahini: 35 për qind e investitorëve ikën në Serbi

Në anën tjetër kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB)-së, Agim Shahini njëherësh realizues i hulumtimit, tregon për ecurinë deri tek arritja e këtyre rezultateve.

“Aleanca e Bizneseve në vitin e kaluar ka parë se gjendja tek investitorët e huaj nuk është e mirë dhe kemi parë që ka vërejtje të mëdha në aspekt të politikave të gjithmbarshme ekonomike. Nëpër organizata të ndryshme në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018 kemi parë se nga gjithë ai interesim i madh që ka ardhur për Kosovën, ata nuk kanë gjetur mundësi ose interes për të investuar në Kosovë”, ka sqaruar Shahini.

Më tej, ai ka pasqyruar edhe përqindjet në vendet tjera ku kanë ikur investitorët.

“I kemi pyetur pse. Ata kanë dhënë disa përgjigje që i kemi identifikuar mbi 10. Ata kanë dhënë vërejtjet e tyre dhe kanë kërkuar që këto politika në Kosovë duhet të përmirësohen në mënyrë që të vijnë në Kosovë. Numri i madh i tyre rreth 35 për qind kanë shkuar në Serbi, 25 për qind në Maqedoni, 15 për qind në Shqipëri, 10 për qind në Mal të Zi dhe 5 për qind në Bosnjë, një numër i vogël nuk janë përgjigjur”, ka përfunduar tutje kreu i AKB-së.

Në Odën Amerikane s’e komentojnë hulumtimin

Statistikat e nxjerra nga hulumtimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve për ikjen e investitorëve nuk ka dashur t’i komentojë as drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ndonëse shpesh ka realizuar hulumtime të ngjashme.

Në një prononcim dhënë gazetës “Zëri”, Zeka nuk e ka mohuar faktin se Kosova nuk po u ofron shumë mundësi investitorëve të huaj.

“Nuk mund ta komentoj hulumtimin e AKB-së, meqë nuk kam informata për metodologjinë që kanë përdorur për gjenerimin e të gjeturave të prezantuara. Qasja edhe e kësaj Qeverie, por edhe e qeverive paraprake për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja është josistematike në mungesë të një strategjie të zbatueshme”, i ka thënë gazetës “Zëri” Zeka.

Ai ka përmendur edhe kriteret që Kosova duhet t’i përmbushë në këtë aspekt për t’ua garantuar një ambient më të mirë të bërit biznes investitorëve të huaj.

“Vendi ka nevojë që të tregojë përkushtim në aspektin e përmirësimit të sundimit të rendit e të ligjit dhe përmirësimin e perceptimit për korrupsionin, që vazhdon të dëmtojë imazhin që Kosova gëzon. Po ashtu duhet të ketë angazhim më të madh në aspektin e promovimit të mundësive për investime. Fatkeqësisht në këta muaj të qeverisjes aktuale kanë munguar përpjekjet e tilla pavarësisht se tashmë kemi legjislacion mjaft nxitës siç është ai për investime strategjike, politika fiskale, mjaft atraktive”, ka shtuar tutje drejtori i Odës Amerikane në Kosovë.

Në anën tjetër eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa theksin kryesor të fajit për ikjen e investitorëve e vë te lufta politike dhe te mosluftimi i korrupsionit.

“Problemi i Kosovës, lidhur me vëllimin ende modest të investimeve të jashtme nuk është në anën e resurseve, por më tepër tek imazhi ose te lufta primitive politike që po e dëmton stabilitetin e vendit, ekonomik, politik e social, si dhe problemet me zbatimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Derisa nuk e zgjidhim këtë edhe masat politike fiskale, që janë marrë në dy-tri vjetët e fundit do të kenë efekte të pamjaftueshme”, ka deklaruar Mustafa.

Një hulumtim i publikuar muaj më parë nga Grupi i Bankës Botërore “Të Bërit Biznes 2018” ka renditur Kosovën në mesin e 10-të ekonomive të botës që ka arritur përmirësime të mëdha në reformat e të bërit biznes.

Kosova u rendit në pozitën e 40-të nga 190 vende tjera sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, nga vendi i 60-të ku figuronte vitin e kaluar.