Haradinaj: Liberalizimi i vizave, lajm i mrekullueshëm për bizneset

Ekonomia July 19, 2018 - 15:41
Detajet

Pas dhënies së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se liberalizmi i vizave u lehtëson jetën kosovarëve dhe e ka konsideruar si lajm të mrekullueshëm për bizneset, shkruan “Zeri.info”.

“Liberalizimi i vizave, qytetarëve të Kosovës ua lehtëson jetën, dhe veçanërisht është lajm i mrekullueshëm për bizneset në vend. Në vizitën e sotme në Odën Ekonomike të Kosovës, rikonfirmova përkushtimin e Qeverisë për të rritur parametrat në ekonomi, si dhe për të vazhduar partneritetin me sipërmarrësit dhe bizneset”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në “Facebook”.

Ai matej ka thënë se bizneseve në vend me ndërtimin e termocentralit “Kosovës së Re” u garantohet stabilitet energjetik. Poashtu, sipas shefit të Qeverisë janë ndërmarrë hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore që e lidhin Kosovën me shtetet fqinje e më gjerë.

“Komunave u kemi siguruar hapësirë të veçantë për zona ekonomike. Kurse, politikat fiskale i kemi ndër më të mirat në rajon. Ekonominë po e orientojmë drejt partnerëve tanë strategjikë dhe me lëvizjen e lirë në vendet e BE-së do të fuqizohen lidhjet ekonomike me Europën”, ka shtuar Haradinaj. /Zëri/