Brenda 30 muajsh përfundon autostrada Prishtinë - Mitrovicë

Ekonomia July 16, 2018 - 08:59
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës Pal Lekaj, që para pak ditëve për shkak të kompensimit është përballur me pronarët e tokave të fshatrave të Vushtrrisë, nëpër të cilat kalon autostrada, ka siguruar se 35 kilometrat e mbetur të autorrugës Prishtinë – Mitrovicë do të përfundojnë në afatin e parashikuar (brenda 30 muajsh), shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës Pal Lekaj ka siguruar qytetarët e Vushtrrisë dhe ata të Mitrovicës se 35 kilometrat e fundit të autorrugës Prishtinë – Mitrovicë do të përfundojnë në afatin e parashikuar.

Ai ka falënderuar banorët, pronarë të pronave që prekën nga projekti i autostradës për, si ka thënë ai, “mirëkuptimin që kanë pasur në mënyrë që projekti të vazhdojë të zbatohet”.                                                      

“Projekti që ka nisur së zbatuari para disa ditëve nga të qenët projekt në sirtarë të pluhurosur po bëhet realitet që do të transformojë veriun e Kosovës. Me projektin e autostradës ‘Tre Heronjtë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha’ do të zgjidhim përfundimisht një nyje të mbetur të rrugëve të Vushtrrisë e të Mitrovicës”, ka thënë ministri Lekaj.

LEXO EDHE: Spitali i Prizrenit me shumë mungesa                                                                                                   

Ministri Lekaj është përballur para disa ditëve me pronarët e tokave nëpër të cilat kalon “Segmenti M2” i autostradës Prishtinë – Mitrovicë, të cilët kanë kërkuar kompensim për tokat që do t’u merren për të mundësuar realizimin e projektit të “Segmentit M2” të autorrugës, e gjatë 5 kilometra, shkruan më tutje "Zëri".

Segmenti i kësaj autorruge kalon nëpër pronat e banorëve të fshatrave Gojbulë, Banjskë, Sllatinë dhe Pasomë.

Ata patën shprehur edhe problemet e tjera që lidhen me këtë pjesë të autorrugës, siç është qasja në pronat e tyre.

Ministri Lekaj ka kërkuar nga banorët që të mos e pengojnë realizimin e projektit, por edhe që t’i kërkojnë të drejtat e tyre për pronat.

Ai ka siguruar banorët se të gjithat pronat që janë vlerësuar do të kompensohen.

Lekaj ka folur për rëndësinë e madhe që ka projekti i autorrugës, i cili lidh qytetet më të mëdha të vendit me veriun e Kosovës.

Për qytetarët e Vushtrrisë sidomos janë të rëndësishme 5 kilometrat e “Segmentit M2” të autorrugës Prishtinë – Mitrovicë, pasi që për një kohë të gjatë kanë sjellë problem për qarkullim të automjeteve.                                                                                                                    

Ndryshe, “Segmenti M2” i autorrugës Mitrovicë – Prishtinë (Lumadh - Gojbulë) në Vushtrri ka filluar të ndërtohet para tre muajve dhe më në fund banorët e qytetit të Vushtrrisë do të mundë të qarkullojnë pa vështirësi.

Rreth 5 kilometra të kësaj rruge kanë paraqitur problem të madh për qytetarët e qytetit të Vushtrrisë për një kohë të gjatë.

Krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, në fillimin e punimeve patën siguruar se së shpejti do të ndërtohet autorruga, që ka paraqitur problem të madh për vushtrriasit.                               

Sipas ministrit Pal Lekaj, për 5 kilometra të “Segmentit M2” të autorrugës Prishtinë -Mitrovicë nëpër Vushtrri investohen 12 milionë euro dhe se mjetet janë të fondeve arabe.

Ai siguroi se brenda 30 muajve të gjitha 35 kilometrat e rrugës Prishtinë – Mitrovicës do të përfundojnë.

“Investimi bëhet përmes fondeve arabe dhe kap vlerën e rreth 12 milionëve vetëm për ketë pjesë prej rreth 5 kilometrave. Përveç kësaj, do t’i kemi edhe dy të tjera, të cilat po ashtu janë milionëshe e me këtë dëshiroj të them se Vushtrria, Mitrovica e qytetet e tjera nga niset e çka përshkon do të jenë me të hapura për t’i afruar investitorët dhe me të afta për të transportuar prodhimet e veta, qofshin ato bujqësore ose edhe të tjera. Kjo rrugë jo vetëm që i lidh ndërmjet vete këto qytete, por këto qytete i lidh edhe me korridore rajonale. Ne brenda 30 muajve do t’i përfundojmë të gjitha 35 kilometrat që janë të pandërtuara në këtë autorrugë dhe kështu do të jemi më afër njëri-tjetri”, tha ministri Lekaj.