ATK paralajmëron inspektime në dasma

Ekonomia July 05, 2018 - 12:54
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar se do të zhvillojë aktivitete shtesë gjatë sezonit të verës që të sigurojë një nivel të lartë të përmbushjes tatimore.

Përmes një komunikate për media ky insitucion ka njoftuar se është e fokusuar në tri çështjet kryesore: përmbushjen vullnetare, ofrimin e shërbimeve profesionale, si dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve.

“Ky aktivitetet do të zhvillohet brenda dhe jashtë orarit të punës,  kjo me qëllim të monitorimit sa më të mirë të veprimtarive rekreative, argëtuese-përfshirë organizimet nëpër hotele dhe restorantet, koncertet, dasmat si dhe veprimtari të ngjashme,  të cilat në këtë sezon janë më të theksuara”, thuhet në njoftim.

Sipas ATK-së, këto aktivitete ndërmerren në mënyrë që të sigurohen dëshmi të ndryshme, në lidhje me të hyrat që realizohen nga ky sektor.

“Bazuar në dëshmitë që krijohen gjatë këtyre aktiviteteve, si dhe bazuar në faktet e tjera që gjenden në mënyra të ndryshme, ATK bën vlerësimin e obligimeve të këtij sektori”, vijon njoftimi.

Gjatë periudhës janar-qershor 2018, sipas Administratës, tek ky sektor janë realizuar 1901 vizita, ku nga konstatimet e bërë janë lëshuar gjoba në vlerë 111 mijë e 325 euro.