Deficiti tregtar i Kosovës u thellua në 13% në maj

Ekonomia June 22, 2018 - 20:56
Lexo detajet

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.1 për qind në muajin maj 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 277.8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 245.7 milionë Eurosh në vitin 2017. ASK thotë se eksporti mbulon importin me 10.6 për qind.

Të dhënat e ASK-së thonë se eksporti i mallrave në muajin maj 2018 kishte vlerën 32.8 milionë Euro, ndërsa importi 310.6 milionë Euro, që është një rënie prej -2.0 për qind për eksport dhe një rritje prej 11.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Në muajin maj metalet bazë dhe artikujt prej tyre.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.9% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 20.7% e përbëjnë produktet minerale; 11.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 10.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 3.3% e përbëjnë produktet bimore; 3.0% e përbëjnë lëkura dhe artikuj prej saj; 2.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 2.1% e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij, etj.”, thuhet në komunikatë

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.8 për qind të importit e përbëjnë  makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 14.3 për qind e përbëjnë produktet minerale; 11.4 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.0 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.7 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.5 për qind e përbëjnë produkte të industrisë kimike; 4.9 për qind e përbëjnë produktet bimore etj.

Eksportet e Kosovës drejt BE-së u rritën për 50 për qind me partnerë kryesorë Austrinë e Gjermaninë

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 11.2 milionë Euro, ose rreth 34.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 51.6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Austria (10.2%), Gjermania (4.5%), Sllovenia (3.9%), Britania e Madhe (3.8%), Holanda (3.4%), Bullgaria (3.0%).”, bën të ditur komunikata
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 133.2 milionë Euro, ose 42.9 për qind e importeve të përgjithshme, një rritje prej 13.1 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 12.7 për qind, Italia 8.4 për qind, Spanja 2.9 për qind, Greqia 2.5 për qind,  Polonia 2.2 për qind etj.

Në eksportin e mallrave drejt vendeve të CEFTA-s, Kosova shënoi një rritje të vogël prej 5.2 për qind ku Shqipëria ishte partneri kryesorë.

“Në muajin maj 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 17.5 milionë Euro, ose 53.5% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 5.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.5%), Maqedonia (12.2%), Serbia (12.1%), Mali i zi (8.0%).”, sqaron komunikata
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin maj 2018, arritën në 85.5 milionë Euro, ose 27.5 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 12.6 për qind, Shqipëria 6.5 për qind, Maqedonia 5.0 për qind dhe B&H 2.9 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet tjera të botës arritën në 3.9 milionë euro ndërsa importet në 91.8 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.9 milionë Euro, ose 12.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (7.8%) dhe Turqia (2.3%). Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 91.8 milionë Euro, ose 29.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (10.4%) dhe Kina (8.9%)”, tha ASK.