Deputeti Labinot Tahiri me paratë e muzikës bleu tri vetura

Ekonomia June 11, 2018 - 15:28
Lexoni më shumë detaje

Deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Labinot Tahiri, po del t’ia ketë parë hairin muzikës, raporton “Zeri.info”.

Thuajse, gjithë pasurinë që zotëron Tahiri e ka siguruar nga profesioni i tij i dikurshëm prej këngëtari.

Tahiri në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar tokë në vlerë të mbi 445 mijë eurove, të cilat i ka trashëguar nga gjyshi dhe përmes përfitimeve muzikore, raporton Zëri.Info.

Deputeti i AKR-së, ka tri shtëpi të deklaruara.

Dy nga babai, si pronë të përbashkët në vlerën e 270 mijë eurosh, si dhe një nga përfitimet muzikore në shifrën prej 370 mijë eurosh.

Atij muzika ia ka sjellë edhe tri vetura, të cilat nuk dihen cilit lloj i përkasin përveç vlerës. Një veturë që e ka deklaruar nën pronësi të bashkëshortes kushton 19 mijë euro.

Vetura e tij që vozit në vlerë të 27 mijë eurosh, si dhe një të përbashkët 6 mijë e 800 euro.

Të gjitha veturat e tij, prejardhjen e pasurisë e kanë sërish nga muzika.

Për pasurinë e tij, deputeti Tahiri është ende në detyrime financiare ndaj bankave.

Gati 200 mijë euro është shuma e detyrimeve financiare që deputeti ka nëpër banka për renovim të shtëpisë.

Tashmë si deputet, Tahiri merr pagën mujore prej 1 mijë e 700 euro nga Kuvendi i Kosovës. /ZËRI