Kryebashkiaku Leli: Me 'Eurokohën' mund ta zhvillojmë turizmin e Vlorës (Video)

Ekonomia June 01, 2018 - 18:28
Detajet

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kanë takuar dje pronarin e kompanisë më të madhe turistike në vend “Eurokoha” Remzi Ejupin, me qëllim të promovimit dhe të zhvillimit të turizmit në bregdetin shqiptar.

Kreu i Vlorës ka vlerësuar punën e “Eurokohës” në menaxhimin e numrit të madh të pasagjerëve nga Evropa, duke kërkuar që të angazhohet njëkohësisht në rritjen edhe të numrit të pasagjerëve kosovarë në bregdetin e Vlorës.

“Ju menaxhoni shumë mirë me klientë nga Kosova, nga Gjermania dhe kudo tjetër. Bashkërisht mund të bëjmë edhe më shumë që qytetarët e Kosovës ta vizitojnë bregdetin e Vlorës, por i ftoj edhe qytetarët e Vlorës që ta vizitojnë Kosovën”, ka thënë Leli.

Kryebashkiaku Leli një partneritet të tillë me agjencinë “Eurokoha” e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm në fushën e turizmit. “Ky partneritet është thjesht për të shkëmbyer turizëm, vizitorë dhe për ta zhvilluar ekonominë. Unë e konsideroj këtë si një moment nga më të rëndësishmit në punën time si kryebashkiak që gjej një partner për t’i promovuar vlerat e Vlorës këtu në Prishtinë, në Kosovë dhe tek ‘Eurokoha’. Zgjedhja e ‘Eurokohës’ është sikur të bashkosh kohën me Evropën dhe ne shqiptarëve të gjithë bashkë në një të tërë ” ka thënë Leli.

Ndërsa Ejupi është shprehur i nderuar që Leli ka përzgjedhur kompaninë e tij për ta rritur numrin e pushuesve në Vlorë. “Është kënaqësi dhe nder për ne. Do të jemi gjithmonë në shërbim të shtetit tonë shqiptar dhe natyrisht se nuk do të mungojë angazhimi që të punojmë për ditë më të mira në avancimin e turizmit në Shqipëri. Kosova ka më së shumti turistë në Shqipëri”, ka thënë drejtuesi i “Eurokohës”.

Ejupi ka shtuar se kompania e tij ka angazhuar një fluturim shtesë nga Gjermania, me qëllimin që shqiptarët e diasporës t’i kalojnë pushimet e tyre në bregdetin shqiptar.

“Shqipëria shumë shpejt do ta gjejë veten në hartën turistike evropiane”, ka thënë Ejupi./ZËRI