Përfaqësues të bizneseve kërkojnë gjykatë për bizneset

Ekonomia May 23, 2018 - 08:11
Lexo detajet

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve të Mitrovicës ka shtruar nevojën e themelimit të një gjykate komerciale, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përfaqësues të bizneseve të Mitrovicës kanë zhvilluar një takim me ministrin e Drejtësisë Abelard Tahirin të martën, në të cilin merrnin pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, Rrustem Abiti nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Flamur Lajçi nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA e ku u diskutua për ndikimin e drejtësisë në zhvillimin e bizneseve, si dhe për sfidat dhe mundësitë e reformimit në sektorin e drejtësisë në raport me bizneset.

Në takim u theksua përkushtimi i bizneseve dhe institucioneve të drejtësisë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimi ekonomik në vend përmes koordinimit të plotë të bizneseve dhe institucioneve të drejtësisë, për rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe për përmirësimin e mirëqenies sociale.

Edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, si dhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës Rrustem Abiti vlerësuan se Kosovës i duhet patjetër një gjykatë për bizneset dhe ekonominë.

Ministri Abelard Tahiri tha se është duke u diskutuar për themelimin e gjykatës komerciale, e cila do ta ndante drejtësinë për bizneset në kuadër të një reforme të rëndësishme që ndërlidhet me gjykatat.

“Kosovës i nevojitet një gjykatë komerciale dhe për këtë çështje është duke u biseduar me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. Duhet të krijohen kushte për investitorë, sidomos për investitorë të huaj, por pa dyshim duhet pasur vëmendje dhe kujdes edhe për bizneset vendore që të investojnë. Natyrisht në këtë aspekt duhet krijuar bazën ligjore për mbrojtje të bizneseve”, tha ministri Tahiri.

Ndërkaq Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, gjithashtu ka shtruar nevojën e themelimit të një gjykate në Kosovë, e cila do t’i trajtojë rastet që ndërlidhen me bizneset.

“Në Kosovë duhet të krijohet një gjykatë fiskale, si dhe duhet të rriten kapacitet fiskale në mënyrë që të shtohet numri i gjykatave në Kosovë, të cilat do t’i trajtojnë rastet që kanë bizneset. Gjithashtu do të ishte më se e domosdoshme që Kosova ta ketë një kod komercial në të cilin do të përfshiheshin të gjitha ligjet që rregullojnë çështje ekonomike e komerciale, gjë që do të bëhej për herë të parë diçka e tillë në Ballkan”, ka thënë Zeka.

Ndërsa Flamur Lajçi, nga KIESA, tha se janë të rëndësishme edhe organizimi i konferencave rajonale, të cilat rëndom i organizon Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë, nga të cilat përfitojnë bizneset.

Në anën tjetër Rrustem Abiti, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se institucionet e Kosovës kanë krijuar kushte të volitshme për zhvillimin e bizneseve dhe janë përmirësuar kushtet e të bërit biznes.

Ai tha se pikërisht për këtë Kosova është radhitur në vend e 40-ta për kushtet e krijuara për të bërë biznes.

Abiti tha se ka qenë gabim i madh që është shuar Gjykata Ekonomike, sepse bizneset kanë nevojë për një gjykatë që merret me bizneset dhe që trajton çështje që ndërlidhen me bizneset. Sipas tij, në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës duhet të ketë gjykatës për çështje ekonomike.

Përfaqësues të bizneseve të Mitrovicës në takimin që patën me Tahirin propozuan që të ndryshohet Ligji i Prokurimit, si dhe u interesuan për shkaqet e vonesave të zgjidhjes së lëndëve nëpër gjykata. Ata i sugjeruan ministrit Tahiri që Ministria e Drejtësisë të punojë për ta përmirësuar imazhin për sundimin e ligjit për bizneset.

“Do të angazhohemi maksimalisht që të gjitha problemet me të cilat përballen bizneset të zgjidhen. Do t’i eliminojmë të gjitha pengesat ekzistuese dhe do të ndihmojmë për krijimin e kushteve për bërje të biznesit”, tha mes të tjerash ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri në një takim që pati me bizneset e Mitrovicës, të martën.