Në Kosovë janë 60 mijë automjete të pasiguruara

Ekonomia May 17, 2018 - 11:05
Lexoni më shumë detaje

Numri i madh i automjeteve të pasiguruara po del të jetë problem serioz për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrosë për Kartonin e Gjelbër. Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë po llogaritet të jenë hiç më pak se 60 mijë automjete të pasiguruara, shkruan sot "Gazeta Zëri".

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk janë të pajisur me “Kartonin e Gjelbër”. Kjo mungesë atyre po u kushton shumë me të marrë rrugën për në vendet e Bashkimit Evropian. Veç tyre, edhe mërgimtarët përballen me shpenzime të njëjta me të hyrë në Kosovë. Tërë këto shpenzime do të reduktoheshin nëse automjetet e pasiguruara në Kosovë do të siguroheshin në përqindjen e lejuar dhe Kosova do të pranohej ndërkombëtarisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, me tre anëtarët e Komisionit që përfaqëson Safete Hadërgjonajn, Blerim Kuçin, Naser Osmanin përballë pjesëmarrësve relevantë, e quajti të turpshëm faktin që mërgimtarët me të hyrë në Kosovë detyrohen të paguajnë për “Kartonin e Gjelbër”. "Këtë vit e kemi vendosur çështje kyçe ‘Kartonin e Gjelbër’. Qe 20 vjet pas lufte kosovarët nuk mund të pajisen me ‘Kartonin e Gjelbër’. Ideja ka qenë të japim zgjidhje përmes një takimi konsultativ. Është e turpshme që diaspora paguan për ‘Kartonin e Gjelbër’ sa herë hyn në Kosovë", u shpreh Abdixhiku.

Osmani: Për një muaj në Kroaci paguajmë 250 euro, për dy javë në Greqi 180 euro

Në mungesë të “Kartonit të Gjelbër” qytetarët e Kosovës për një muaj qëndrimi në Kroaci detyrohen të paguajnë 250 euro, ndërsa për dy javë në Greqi 180 euro. Kështu ka deklaruar anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani. “Jemi në vitin e katërt që po e kërkojmë këtë zgjidhje. Kemi hyrë një proces tjetër. Edhe ne këtu bëjmë shpenzime. Paguajmë 250 euro për një muaj në Kroaci dhe paguajmë 180 euro për dy javë në Greqi, për vetura është fjala. Ne nuk kemi kompani të shpedicionit për këto probleme. Te “Kartoni i Gjelbër” kam përshtypjen që po ngec diku për mungesë të vullnetit politik”, deklaroi Osmani.

Përveç këtyre çështjeve të ngritura pati prej përfaqësuesve të Komisionit për Buxhet dhe Financa që u interesuan nëse mosprezenca e Kosovës në Kombet e Bashkuara po e zvarrit këtë proces.

Zëvendëskryetarja e këtij Komisioni Safete Hadërgjonaj u është drejtuar me pyetje pjesëmarrësve relevantë të përfshirë nëse mosanëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara po paraqet problem për “Kartonin e Gjelbër”.

“Ne edhe sot në vitin 2018 nuk e kemi të zgjidhur këtë problem. Në Komisionin për Buxhet kemi provuar ta zgjidhim këtë çështje, kemi biseduar për përfaqësuesin e Byrosë Kosovare, mirëpo ne ende jemi në këtë situatë dhe mua më intereson të di nëse mosprezenca e Kosovës në Kombet e Bashkuara është problem”, deklaroi Hadërgjonaj.

Ajo kërkoi edhe detaje shtesë nëse nevojiten ndërhyrje ligjore, për të cilat u shpreh e gatshme në bashkëpunim.

Guvernatori: 20 për qind e veturave, të pasiguruara

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në këtë takim u tregua i zëshëm karshi çështjes për “Kartonin e Gjelbër”. Mehmeti ndër të tjera theksoi si problem kyç çështjen e automjeteve të pasiguruara, që ka arritur në 20 për qind e që ligjërisht lejohet vetëm 5 për qind. “Ka mbetur një çështje e brendshme, automjetet e pasiguruara. Më herët kjo përqindje ka qenë diku rreth 25 për qind të automjeteve të pasiguruara, kjo ka mundur të vijë në 20 për qind. Lejohet vetëm 5 për qind të jenë automjete të pasiguruara, ndërsa ne kemi 20 për qind. Kjo është një detyrë shtëpie që duhet ta kryejmë dhe për këtë duhet vetëm vullnet politik. Për këtë çështje Këshilli i Byrove duhet ta hapë një zyrë në Prishtinë dhe ta shesë ‘Kartonin e Gjelbër’”, ka treguar guvernatori Mehmeti.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, deklaroi se për këtë Kosova duhet të realizojë disa kritere tjetra të jashtme. Në këtë mes Gashi përmendi edhe çështjen e targave. "Ne duhet të kemi një targë, ndërsa i kemi tri. Duhet ta nënshkruajmë Traktatin e Vjenës dhe një variant e cila është diskutuar në BE është që të nënshkruajmë një marrëveshje me Unionin Evropian, ku hiqet pagesa që diaspora duhet të paguajë për të hyrë në vendin tonë. Pa qenë anëtar të OKB-së është e pamundur të bëhemi anëtar të Kartonit të Gjelbër", deklaroi Gashi.

Por këto çështje nuk u vlerësuan si problematike nga guvernatori Mehmeti, i cili premtoi zgjidhje alternative në rast se Kosova nuk pajiset me “Karton”.

Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, u shpreh se çështja e automjeteve ka qenë problem që nga fillimi, e cila mund të zgjidhet brenda dy vjetëve.

Mos anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) si problem për “Kartonin e Gjelbër” e përmendi edhe drejtori i Byrosë së Sigurimeve, Blerim Pushkolli. Komisioni për Buxhet dhe Financa të mërkurën mbajti takim konsultativ me pjesëmarrësit relevantë për çështjen e “Kartonit të Gjelbër”. Në përbërjen e këtij Komisioni ishin pjesëmarrës kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Lumir Abdixhiku, zëvendëskryetarja Safete Hadërgjonaj, anëtarët Naser Osmani dhe Blerim Kuçi. Ndërsa përballë tyre ishin guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, drejtori i Byrosë së Sigurimeve në Kosovë Blerim Pushkolli, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Izmi Zeka, si dhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave Fatmir Gashi.

Në këtë takim u zyrtarizuan edhe shifrat e automjeteve të pasiguruara, që u tha të jenë diku rreth 60 mijë.