Mbyllen dy fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë, pronarët thonë se nuk ka prova

Ekonomia May 16, 2018 - 10:57
DETAJET

Inspektorët e komunës së Mitrovicës kanë mbyllur dy fabrika për përpunimin e vajrave motorikë që ndodhen në afërsi të “Lagjës së Boshnjakëve”, pas një peticioni të banorëve të kësaj lagjeje dhe të disa lagjeve në afërsi.

Pronarët kanë thenë se fabrikat janë në fazë testuese dhe jo prodhuese dhe se nuk ka asnjë provë se kanë rrezikuar shëndetin e banorëve, shkruan Gazeta "Zëri"

Kërkesat e vazhdueshme, protestat e mëpastaj edhe një peticion i banorëve të “Lagjës së Boshnjakëve” në veri dhe të disa lagjeve tjera në jug për t’i mbyllur dy fabrikat për pëpunimin e vajrave motorikë që ndodhen në afërsi të “Lagjës së Boshnjakëve” në jug të Ibrit, janë realizuar. Inspektorët e Komunës së Mitrovicës, në mbështetje edhe të pjesëtarëve të policisë, kanë ndërprerë punën në dy fabrika të këtij qyteti, veprimtaria e të cilave është përpunimi i vajrave motorike.

Inspektorët kanë konstatuar se përveç mungesës së dokumentacionit, këta operatorë gjatë veprimtarisë së tyre prodhojnë helme toksike dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Kryeinspektori i Mitrovicës, Hysni Ahmeti, tha se me urdhër të kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, por edhe pas peticionit të qytetarëve për ndotje të ambientit, është marr vendim që këto dy fabrika të mbyllen përkohësisht derisa të paisen me dokumentacionin përkatës. Sipas tij, gjithçka po bëhet për të mirën e qytetarëve dhe se është e patolerushme më ndotja e ambientit në qytetin e Mitrovicës nga ana e këtyre operatorëve. “Kemi marr urdhër nga kryetari, por edhe si Drejtori e Inspekcionit, jemi duke bërë inspektimin e dy fabrikave të reciklimit të gomave “BTP “Holdin” dhe “Bas Partners”.

Nuk kanë pëlqim nga Drejtoria e Ambientit dhe pas peticionit të qytetarëve për ndotjen e ambientit, kemi marr vendim që t’i mbyllim përkohësisht derisa të pajisen me dokumentacion përkatës nga Ministria e Ambientit dhe Drejtorisë së Ambientit. Jemi duke e bërë për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës për arsye se ndotja e ajrit ka qenë në nivel jashtëzakonisht të madh të premtën mbrëma. Na është dashur të intervenojmë me inspektorë për të inspektuar gjendjen momentale çfarë është këtu, ne nuk mund të tolerojmë më këto fabrika me ndotë ambientin në komunën tonë”, ka thënë Ahmeti. Në anën tjetër, Baki Baliu, njëri nga pronarët e “BTP Holdin” ka sqaruar se puna në këtë fabrikë aktualisht është vetëm në fazën testuese dhe jo prodhuese.

Ai theksoi se kompania ‘Sirius Eko-tek’ nga Austria, e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, ka bërë verifikimin këtu dhe ka konstatuar se nuk ka mbetje dhe as ndotje të ambientit. “Ne nuk jemi në prodhim, por në testim. Pa u kry testimi komplet ne nuk marrim leje të prodhimit deri t’i plotësojmë të gjitha kushtet.

Të gjitha kushtet janë të plotësuara, tash pritet vetëm të vijnë nga Ministria e Mjedisit me na dhënë pëlqimin për prodhim. Kompania ‘Sirius Eko-tek nga Austria e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, kanë qenë këtu dhe kanë bërë verifikimin. Nuk ka asnjë mbetje, e kemi edhe me shkrim. Në bazë këtyre analizave shtetërore austriake që nuk ka mbetje dhe ndotje. Nëse kanë ndonjë provë këta, ose ndonjë dëshmi që ka ndotje, lë ta sjellin dhe po e zgjidhim problemin”, theksoi Baliu.

E ndërkaq, pronarët e fabrikës “Bas Partners” kanë thenë se kanë marrë licencën nga Ministria e Ambijentit. Ata kanë thenë gjithshtu se Ministria e Ambijentit ka kërkuar analiza, të cilat i kanë bërë instituti nga Novi Sadi. “Analizat për vërtetimin e cilësisë së ndotjes së ajrit që i ka bërë instituti i Novi Sadit i kanë dërguar dy javë, kur kanë ardhë është konstatur se janë brenda normative. Analizat janë krye në monitorimin e inspektorëve të Ministrisë së Ambijentit”, thotë njëri prej pronarëve të “Bas Parnters”, Masar Bashota.

Ai ka shtuar se banorët nuk rrezikohen nga puna e fabrikës së tij. Pronarët e të dy fabrikave për përpunimin e vajrave motorikë thonë se janë në fazën testuese, e jo në fazën prodhuese, ndërsa insistojnë se kanë pëlqimin e komunës së Mitrovicës për të operuar. Ndryshe, qytetarët e disa lagjeve të jugut dhe veriut të Mitrovicës, si ‘Lagjes së Boshnjakëve’, ‘2 Korriku’ dhe të Shupkovcit, përveç se protestuan disa herë, ata kanë nënshkruar edhe një peticion për ndërprerjen e punës së këtyre operatorëve, për shkak të ndotjes së ambientit, respektivisht të ajrit nga operatorët.

Sipas tyre, këta operatorë zakonisht punojnë ditëve të festave, të shtunave e të dielave, si dhe natën vonë kur ka mjegull dhe të reshura, për t’u ikur syve të inspektorëve të komunës.