'Humbin' 11 milionë euro që Serbia i pagoi për ujësjellësin në veri

Ekonomia May 11, 2018 - 08:07
Lexo detajet

Zyra e BE-së në Kosovë në vitin 2011 kishte nisur projektin e zgjerimit të kapaciteteve të fabrikës për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës, i cili do të furnizonte me ujë edhe komunat veriore, por serbët e këtyre komunave nuk kishin pranuar të kyçeshin në jug, por kishin vendosur ta ndërtojnë ujësjellësin rajonal të veriut në një fshat të Zubin Potokut, ndërtimi i të cilit ka dështuar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Tri komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi, edhe pas 5 vjetëve nga fillimi i punimeve nuk janë bërë me ujësjellësin e vet.

Dy komunat veriore, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, edhe më tutje furnizohen me ujë nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës dhe për ujin e harxhuar nuk paguajnë asnjë cent.

Madje edhe kur ka prishje në jug ata alarmojnë menjëherë të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare, madje edhe Zyrën e BE-së në Kosovë me kërkesën që uji të mos u ndalet kurrë. Gati në 13 milionë euro kanë arritur borxhet e serbëve të veriut të Kosovës për ujin e shpenzuar.

Në vitin 2011 serbët e veriut nuk kishin pranuar fare të kenë punë me jugun sa i përket ujit të pijshëm, pasi me qeverinë e Serbisë ishin pajtuar që ta ndërtojnë Ujësjellësin Rajonal Veri në një fshat të Zubin Potokut, për të cilin tri komunat veriore kishin hyrë në borxh te një bankë në Serbi, 9 milionë euro. “Insajderi” serb ka bërë një hetim, të cilin e përcjellin mediet lokale serbe në veri dhe ka ardhur në përfundim se punët në ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal Veri kanë kushtuar 11 milionë euro, të paktën këtë shumë shteti i Serbisë ia ka paguar “Hypo Alpe Adrian Banke” si garantuese e kredisë për tri komunat veriore.

Udhëheqësit e tri komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, të cilat atëherë udhëhiqeshin nga strukturat paralele, më shumë kishin preferuar që ta ndërtojnë një ujësjellës të ri në një fshat të Zubin Potokut sesa të kyçeshin në gypat e fabrikës për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës.

Zyra e BE-së në Kosovë në vitin 2011 kishte nisur projektin e zgjerimit të kapaciteteve të fabrikës për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës, i cili do të furnizonte me ujë edhe komunat veriore, por serbët e këtyre komunave nuk kishin pranuar të kyçeshin në jug, por kishin vendosur ta ndërtojnë Ujësjellësin Rajonal të Veriut në një fshat të Zubin Potokut.

Për këtë qellim tri komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku, kishin marrë 9 milionë euro kredi te “Hypo Alpe Adrian Banke”, ndërsa kishte garantuar Republika e Serbisë. 

Tenderi për realizimin e projektit ishte nënshkruar në kohën kur kryeministër ishte Ivica Daçiq, ndërsa në aktin e nënshkrimit të kontratës merrte pjesë edhe Aleksandër Vulin, drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

“Shteti i Serbisë është këtu që ta përmirësojë jetën e qytetarëve të Kosovës. Ky projekt  madje tregon se sa shtetit të Serbisë i ka mbetur te secili qytetar që jeton në këtë territor”, kishte thënë Vulin në aktin e prerjes së shiritit, i cili kishte siguruar se Ujësjellësi Rajonal Veri do të përfundojë për 18 muaj.

Më 10 prill 2018 qeveria e Serbisë, si garantuese, paguan këstin e fundit të kredisë të të tria komunave veriore të Kosovës (9 milionë euro), pasi tri komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku dhe Zveçani, kishin njoftuar Ministrinë e Financave në qeverinë e Serbisë se nuk mund ta paguajnë kredinë për mjetet që kanë marrë nga “Hypo Alpe Adria Banke” për Ujësjellësin Rajonal Veri, andaj qeveria serbe ishte detyruar të paguajë edhe kamatë, gati 2 milionë euro.

Në anën tjetër kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriq, nuk ka mundur të thotë se deri ku kanë shkuar punimet dhe për ç’arsye ujësjellësi nuk ka përfunduar, ndonëse janë dhënë 9 milionë euro.

Ai nuk ka mundur të thotë gjithashtu se ku janë paratë që janë tërhequr nga banka dhe a u janë paguar ato konzorciumit që ka kryer punimet, por të cilat qëmoti janë ndërprerë.

Në veri të Mitrovicës flasin për një “plaçkitje patriotike”, siç thonë ata, ndërsa gjithë këtë e lidhin me Aleksandër Vulinin, për të cilin thonë se është keqpërdorues i madh i mjeteve të Zyrës për Kosovën dhe se ai kishte blerë banesë në Beograd me paratë që janë dhënë për kamerat e sigurisë së Zveçanit derisa ai ndodhej në postin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës thonë se për të qartësuar këtë punë është e interesuar edhe vetë kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.